presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Jahjaga në Universitetin Georgetown

Është kënaqësi e madhe të rikthehem në Universitetin e Georgetown-it për të diskutuar atë çfarë po bëhet sfida më e madhe e gjeneratave të këtij shekulli – ajo se si e definojmë rolin e religjionit dhe si e akomodojmë religjionin – apo religjionet – në demokracitë tona pluraliste.

“Konteksti i marrëdhënieve ndërfetare në Kosovë: tejkalimi i ndarjeve dhe forcimi i tolerancës në shtetin e ri” I nderuari Imam HendiTë nderuar studentë,Zonja dhe zotërinj, Është kënaqësi e madhe të rikthehem në Universitetin e Georgetown-it për të diskutuar atë çfarë po bëhet sfida më e madhe e gjeneratave të këtij shekulli – ajo se si e definojmë rolin e religjionit dhe si e akomodojmë religjionin – apo religjionet – në demokracitë tona pluraliste. Para se të filloj, dëshiroj që t’ju falënderoj të gjithë ju për pjesëmarrje dhe Imamin Hendi për ftesën që të flas në këtë forum dhe për t’u rikthyer në Georgetown. Shumë gra vendimmarrëse të cilat u kanë dhënë formë debateve të kohës sonë dhe për të cilat kam respekt të thellë, kanë kaluar nëpër këto salla dhe është gjithmonë kënaqësi që të vazhdosh hapave të këtyre shtegshënueseve. Kisha kënaqësinë që ta takoj Imamin Hendi gjatë vizitës së tij në Kosovë vitin e kaluar, kur na u dha mundësia për të shkëmbyer mendimet dhe pikëpamjet mbi ato se çfarë jemi duke u munduar të bëjmë në Kosovë dhe sfidat e shumta me të cilat jemi duke u ballafaquar. Dhe jam mirënjohëse për mundësinë për t’i përshkruar se si shteti më i ri i Evropës është duke bërë hapa të mëdhenj në rimëkëmbje, tejkalim dhe ecje përpara. Natyrisht, rrugëtimi drejt rimëkëmbjes, drejt normalitetit, drejt asaj se çfarë përfaqëson Kosova sot, ishte kompleks. Siç e kam përshkruar shpesh, ne jemi një shoqëri e cila në fundin e shekullit të kaluar ka jetuar, ka rezistuar nëpërmes një mosbindjeve qytetare, dhe përfundimisht ka luftuar represionin e tmerrshëm të regjimit serb të kohës, një represion dhe një luftë të cilat kanë lënë varrë të thella në shoqërinë tonë. Me ndihmën e shumë vendeve demokratike, të cilat i dolën në ndihmë popullit të Kosovës, ne kemi kaluar këto dy dekadat e fundit në rindërtimin e lidhjeve në mes të etnive të ndryshme, në mes të institucioneve fetare dhe kemi punuar shumë për të ndërtuar besimin, komponentë kyçe kjo e pajtimit dhe sigurimit se ngjarjet e viteve 1990 nuk do të ndodhin më kurrë ne Ballkan. Për përcaktimin e drejtimit tone përpara, ne vetëm duhej të shinim prapa, në traditën tonë të gjatë të koekzistencës paqësore dhe harmonike të religjioneve të ndryshme. Kosova është shtëpi e një popullate prej rreth 90 për qind shqiptarë, shumica myslimanë, shumica e të cilëve janë sekularë dhe të tjerët shumica pasues të traditës Hanefi, e cila daton që nga konvertimet e ndodhura gjatë pushtimit nga perandoria osmane në shekullin e pesëmbëdhjetë. Kemi po ashtu edhe një prezencë të Sufizmit, me traditat e tyre mistike, e cila prezencë ka mundësi të datojë që nga shekulli i trembëdhjetë, duke mbijetuar deri më sot në Kosovë, një pasuri të cilën ne e konsiderojmë si trashëgimi të vlefshme kulturore. Kosova ka disa nga kishat më të rëndësishme ortodokse serbe, në të cilat komuniteti serb, rreth 5 për qind e popullatës, kryen ritet e veta fetare. Po ashtu kemi edhe një komunitet shumë të vogël, por vibrant, të komunitetit katolik. Dhe jemi shumë, shumë krenarë që i japim kishës katolike shenjtoren e saj më të re, Nënën Terezë, murgeshë me origjinë shqiptare, e cila bëri betimin e saj shumë vjet më parë, në një kishë të vogël dhe të izoluar, të njohur për statujën e saj të Madonës së zezë, në lindje të Kosovës. Nuk na duhet të hulumtojmë shumë dhe gjatë për të gjetur gjurmë të rëndësishme të kësaj koekzistence nëpër qytetet dhe fshatrat e Kosovës. Ato janë thellësisht të mishëruara në arkitekturën e qyteteve të cilat shtrihen në rrugët tradicionale të tregtisë. Si në pak vende të botës, në Kosovë kemi kisha, katolike dhe ortodokse, dhe xhamia, të cilat e ndajnë të njëjtin oborr. Përzierja e tingujve të kambanave dhe thirrjes së myezinit për tu falur, e minareve dhe kryqeve të cilat e shpojnë qiellin, e bën Kosovën jo vetëm të pasur me traditë, por edhe krijon një model të tolerancës, e cila në botën e sotme plot intolerancë, dallon dukshëm. Kishte kohëra kur kjo koekzistence fetare të cilën sapo e përshkrova, ishte testuar rëndë, posaçërisht gjatë shkatërrimit të Jugosllavisë, pjesë e së cilës ishte edhe Kosova. Në kohë të ish Jugosllavisë, menjëherë pas përfundimit të luftës së dytë botërore, kur ne sundoheshim nga komunizmi, klerikët ishin të persekutuar, xhamitë-shpesh ato më historike- ishin rrëzuar deri në themel dhe religjioni në masë të madhe ishte larguar nga domeni publik. Eventualisht, lloji socialist i komunizmit lejoi që në përfundim të shekullit të 20-të në Jugosllavi të zvogëlohet shtrëngimi mbi objektet fetare. Për dallim nga Shqipëria fqinje, ku diktatura komuniste kishte kthyer xhamitë dhe kishat në vende grumbullimi plehrash, në Kosovë gjatë viteve 70 dhe 80, xhamitë dhe kishat lejoheshin që të ekzistojnë me kusht që religjioni të mos ketë vend në mënyrën se si ndërtohej shoqëria komuniste. Por, atyre u kushtohej shumë pak kujdes dhe shumë objekte u shkatërruan nga moskujdesi. Në vitet 1990, kur Jugosllavia filloi te shkatërrohet, shumë autorë filluan ta përshkruajnë lutën në bazë të shkrimeve të veprës së Samuel Hantingtonit, “Përplasja e Civilizimeve” ku luftërat ndodhin në vijat ndarëse të civilizimeve, vija ku civilizimet janë të përziera dhe ku kultura është e barabartë me religjionin. Por, ajo çfarë pamë në terren ishte se si batica e nacionalizmit gjeti mbështetje në religjion. Pamë se si nacionalizmi i fjetur u përforcua nga identiteti fetar. Dhe në ato vende ku identitetet ishin të përziera dhe ku koekzistenca ishte më prevalente, pasojat ishin më të rënda. Kjo nënkupton se objektet e kultit – të cilat kishin mbijetuar për shekuj për shkak të respektit të ndërsjellë dhe ruajtjes nga komunitetet e përziera – u sulmuan – jo për shkak të Zotit të cilit i luteshin në to, por sepse agjenda nacionaliste i kishte përcaktuar si identitete kundërshtare me të cilat kishte përleshje për territore.Për shembull, gjatë represionit të Millosheviqit, dhjetëra kisha u ndërtuan në Kosovë me shumicë shqiptare, si pjesë e përpjekjes për kolonizim dhe asimilim. Shumë pakë mbrojtje dhe ruajtje iu ofrua trashëgimisë islamike të Kosovës. Gjatë luftës, rreth 40 për qind të xhamive të Kosovës, bibliotekave islamike dhe objekteve të tjera me rëndësi kulturore dhe fetare u dëmtuan apo u shkatërruan nga forcat serbe në kampanjë  të pastrimit etnik. Pas luftës, huliganët shqiptarë shkatërruan një numër të kishave ortodokse serbe duke u munduar që të dobësojnë lidhjet e komunitetit serb në Kosovë. Ky ishte një episod i dhimbshëm i historisë së gjatë të Kosovës gjatë së cilës- në pjesën më të madhe- njerëz të etnive dhe feve të ndryshme ruajtën atë të cilën e besuan se është trashëgimi e tyre e përbashkët, duke u ngritur mbi tundimet për të ndjekur agjendat politike të cilat i ndanin këto komunitete dhe të cilat keqpërdornin dallimet në mes tyre. Nga ajo kohë kemi arritur që ta hapim një kapitull të ri në Kosovë. Në përgjithësi, sulmet ndaj monumenteve religjioze dhe shkatërrimi i vendeve të shenjta është ndërprerë. Dhe në raste kur ato ndodhin, ato dënohen nga të gjithë dhe kryesit e veprave sillen para drejtësisë. Si liderë të Kosovës, ne i jemi qasur detyrës për rindërtimin e lidhjeve me pikëpamje se koekzistenca jonë është më e gjatë se periudha e mosmarrëveshjeve tona. Paqja dhe stabilitetit nuk mund të ndërtohen nën kërcënim dhe presion, se prosperiteti ynë ekonomik dhe vlerat dhe idealet e demokracisë nuk mund të krijohen pa ndërprerje të armiqësive. Se nuk do t’i mohojmë të drejtat të cilat në një periudhe na u mohuan ne. Një nga zotimet tona të shpeshta ishte se do ta rindërtojmë Kosovën si shtet laik, ta ndajmë qartazi shtetin nga çështjet fetare. Pikënisja jonë ishte Kushtetuta e jonë. Ne hartuam dhe aprovuam një Kushtetutë e cila promovon praktikim të papenguar të fesë dhe i jep trajtim të njëjtë të gjitha feve në Kosovë. Ne natyrisht, në jetët tona sekulare, po ashtu e lejojmë edhe mosbesimim, sepse ne e shohim religjionin si pjesë të rëndësishme të identitetit të njerëzve por edhe si zgjidhje individuale. Në themel, nëpërmes këtij zotimi që të ndajmë  religjionin nga shteti ne duam që të mbrojmë religjionet dhe objektet e tyre të kultit nga politika dhe që ato të mos përdoren më kurrë për nxitje të ndasive etnike. Përkundër të kaluarës sonë të hidhur, si shumicë etnike në Kosovë, ne kemi obligim që t’i ruajmë kishat ortodokse serbe dhe mënyrën e jetës së bashkëvendësve tanë serbë. Për ta, këto monumente janë pika kyçe të identitetit të tyre dhe janë vende të rëndësishme të mbijetesës së tyre. Ne fitojmë legjitimitet si shtet i qytetarëve të barabartë në bazë të asaj se si i trajtojmë pakicat tona, dhe jemi të vendosur që ta ndërprejmë këtë cikël të pakuptimtë të dhunës e cila ka lënë gjenerata të tëra- duke përfshirë edhe gjeneratën time- të përjashtuar nga shoqëria dhe në izolim. Kjo është arsyeja se pse, nëse e shikoni Kushtetutën e Kosovës, ajo është unike në dhënien e një autonomie të madhe  kishës ortodokse serbe dhe në mbrojtje të vendeve të shenjta. Pas trazirave të vitit 2004 të cilat shënjestruan këto objekte, qeveria e Kosovës ka paguar të gjitha shpenzimet e rikonstruimit dhe ka burgosur fajtorët. Është e panevojshme të thuhet se ka shumë hidhërim të mbyllur në shoqërinë tonë rreth të kaluarës, për atë se ka shumë kryes të krimeve të tmerrshme, të kryera në emër të kombit dhe fesë, të cilët kurrë nuk janë penduar, kërkuar falje apo dënuar. Por, ne duhet t’i rezistojmë kësaj shtytjeje për t’u hakmarrë. Ne duhet të shohim përpara dhe të vendosim themelet e një dialogu kuptimplotë ndërfetar me qëllim që ngjarjet e së shkuarës sonë mos të ndodhin më kurrë në të ardhmen. Dhe jam e lumtur që mund të them se liderët fetarë të Kosovës e kanë kuptuar këtë rol dhe janë duke udhëhequr përpjekjet për të iniciuar këtë lloj diskutimi. Dhe derisa lëvizim përpara, Kosova po ballafaqohet me çështjen se si do të zgjedhë t’ia interpretojë të shkuarën gjeneratave të ardhshme. Kosova kurrë nuk guxon të bëhet vend ku monumentet fetare shkatërrohen deri në themel. Por, pasi që janë objekte kulti, ato nuk duhet të bëhen vend ku mund të iket nga fakti se si u krijuan ato, posaçërisht ato objekte të cilat u ndërtuan gjatë represionit serb. Nëse vendosim t’i shohim si objekte të shenjta, kam frikë se do ta tregonim vetëm një pjesë të tregimit. Mënyra të cilën shpresoj se bashkëvendësit e mi do ta zgjedhin është se do t’i ruajnë ato dhe do t’i informojnë gjeneratat e reja me kontekstin i cili i rrethon ato, ngjashëm me debatin e kohës së fundit në shoqërinë tuaj rreth rolit të figurave të mëdha historike dhe skllavërisë. Kjo është e vetmja mënyrë për të mësuar nga gabimet e së shkuarës. Një sfidë tjetër e madhe për vendin tonë të vogël është edhe ruajtja e llojit tonë unik të islamit, i cili është produkt i shumë viteve koekzistence me traditat tjera fetare. Fatkeqësisht, Kosova nuk ka qenë e kursyer nga ringjallja globale e rrymave fetare të cilat mundohen të eksploatojnë dallimet etnike për të shtyrë më tej ambicien fetare, pra për të përdorur fenë për t’i theksuar dallimet etnike ekzistuese si pabesi. Ne jemi duke i parë shenjat e një interpretimi jo tolerant dhe më fundamental të islamit, të huaj për Kosovën por i cili ka gjetur rrugë deri tek vendi ynë.  Por, pyetja se si t’i mbrojmë shoqëritë tona nga kjo ka vetëm një përgjigje: arsimim dhe vetëm arsimim. Të dashur miq, Ky është tregimi modest i Kosovës. Siç mund ta kuptoni nga fjalimi im, ne nuk i kemi akoma të gjitha gjërat të qarta por kemi bërë hapa të mëdha përpara. Ne e kemi zgjeruar tavolinën dhe kemi shtuar numrin e karrigeve që t’i përfshijmë të gjithë ata të cilët i kanë mbajtur të gjalla traditat dhe karakterin e bukur të shoqërisë sonë. Ju faleminderit që ishit sot këtu dhe që më lejuat të ndajë mendimet e mia me ju.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.