DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Jahjaga në Këshillin Atlantik

Shtatëmbëdhjetë vite më parë, në këtë ditë, në këtë kryeqytet dhe në kryeqytetet e vende evropiane aleate të NATO-s, u mor një vendim i guximshëm për të intervenuar në baza humanitare për të ndaluar krime lufte dhe pastrimin etnik të kryer mbi shqiptarët në Kosovë nga aparati shtetëror i Serbisë.

Menaxhimi i sigurisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor E dashura zonja Farkas,Të nderuar pjesëmarrës,Zonja dhe zotërinj, Shtatëmbëdhjetë vite më parë, në këtë ditë, në këtë kryeqytet dhe në kryeqytetet e vende evropiane aleate të NATO-s, u mor një vendim i guximshëm për të intervenuar në baza humanitare për të ndaluar krime lufte dhe pastrimin etnik të kryer mbi shqiptarët në Kosovë nga aparati shtetëror i Serbisë. Vendimi për të ndërmarrë një kampanjë bombardimi ndaj caqeve ushtarake, për ta ndalur represionin serb dhe për ta detyruar tërheqjen e forcave nga Kosova ka bërë një histori të madhe. Për herë të parë në historinë e aleancës së Atlantikut Verior, u zhvillua një luftë në bazë të sigurisë regjionale. Jo për territor, as për burime, por për principe: kundër një shteti sovraniteti i të cilit kishte humbur legjitimitetin kur filloi të persekutojë dhe të shtypë qytetarët e vet në bazë të kombësisë së tyre. Brutaliteti i ndërmarrë në Kosovë në vigjilje të shekullit të 21-të nuk ishte i panjohur për liderët e Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Ajo pasoi masakrat në Ruandë, dhe Bosnje, fare pranë Kosovës. Ato peshonin rëndë në mendjet e vendim marrësve. Na sfiduan ne që të mendohemi se përse shërbejnë aleancat, lidhjet e kombeve, konventat, ligjet dhe kartat, nëse vazhdimisht dështonim në mbrojtjen e të pambrojturve nga dhuna e sponzoruar nga shteti? Në Kosovë, ata u bënë ashtu siç thonin se ishin. Intervenimi ndali luftën dhe ju solli kosovarëve paqen dhe lirinë aq shumë të kërkuar.Komuniteti ndërkombëtar – OKB-ja, NATO dhe një numër i madh i organizatave ndërkombëtare – tejet të angazhuar në detyra të ruajtjes së paqes dhe ndërtimit të institucioneve, i ndihmonin Kosovës të lëvizte drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut të lirë. Rreth një milion refugjatë u kthyen nëpër shtëpitë e tyre në ditët ë para pas përfundimit të konfliktit. Pas pothuaj se 10 vitesh të involvimit aktiv ndërkombëtar, një rrugëtim i jashtëzakonshëm i shtetndërtimit, Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, dhe kur po i afrohemi përvjetorit të një dekade si shtet i pavarur, mund të them me besim të plotë se ne kemi arritur të rimarrim veten, të tejkalojmë dhe të lëvizim përpara. Përgjithësisht, aftësia jonë për të përparuar nga një shtet në gjendje lufte në shtet ligjor në një periudhë të shkurtër ligjore ishte rezultat i drejtpërdrejtë i sigurisë së vendosur në terren dhe vendosmërisë së aleatëve amerikanë dhe evropian për ti qëndruar të vendosur zotimit për paqe dhe stabilitet në Ballkan. Kjo siguri mbahej nga pesëdhjetë mijë trupa të NATO-s të vendosura fillimisht në Kosovë, një vend me 2 milionë banorë dhe me madhësi sa territori i shtetit Connecticut, si garantues të paqes, dhe nga mijëra policë të OKB të cilët vendosën parametrat e ligjit dhe rendit. Siguria dhe strategjia dalëse ishin të lidhura ngushtë me  themelimin e institucioneve të reja të sigurisë të cilat ne duhej ti krijonim, të udhëhequr aq zemërgjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar. Ato bazoheshin në krijimin e besimit, parashikueshmërisë dhe qartësisë. Ne morëm mbi vete përgjegjësinë për sigurinë e të gjithëve në Kosovë nëpërmes Policisë së Kosovës, një institucioni të besueshëm i cili reflekton balancin etnik në Kosovë. Ne jemi në proces të transformimit të forcës sonë të veprimit të shpejtë në Forcat e Armatosura të Kosovës, një forcë mbrojtëse e cila reflekton ambiciet dhe interesat e shtetit dhe e cila është duke u krijuar me një qasje graduale dhe shumëfazëshe, në përputhje me shqyrtimin e detajuar të sektorit tonë të sigurisë, i cili përqafon standardet e NATO-s. Në fazën e ardhshme të përmbylljes së sovranitetit të shtetit, përgjegjës për sigurinë e vet, kemi për qëllim që të ndërtojmë një forcë fleksibile dhe moderne mbrojtëse, e cila do të jetë një pasuri për sigurinë regjionale dhe e cila do të ndihmojë në ruajtjen e paqes në Evropë. Si rrjedhojë e këtij transferi gradual, tani ka vetëm 3000 trupa të NATO-s në terren dhe ata më nuk zhvillojnë patrullime apo mbajnë  pika kontrollimi. Por, prezenca e tyre mbetet një gurthemel i sigurisë në Ballkan, sepse edhe pas 15 vjet angazhimesh aktive, ka akoma punë të papërfunduara në regjion. Jemi të vetëdijshëm se shumica e sfidave që kanë vendet e Ballkanit para vetes në rrugën e tyre drejtë anëtarësimit në NATO dhe BE janë të brendshme – siç janë korrupsioni endemik, monopoli ekonomik i elitave të fuqishme dhe pasojat e tjera të keqqeverisjes dhe sundimi jo i plotë i ligjit, të cilat janë kërcënime potenciale. Por, ajo për çfarë duhet të jemi të vetëdijshëm është edhe përparimi i madh të cilin regjioni e ka bërë gjatë dy dekadave të kaluara, përparim i cili nuk do të ishte i mundur pa prezencën e perspektivës për integrim veri atlantik dhe evropian. Kjo ishte incentiva jonë gjithëpërfshirëse për t’u reformuar, për të vepruar së bashku, e edhe për të arritur përparim i cili do të ishte i paimagjinueshëm vetëm disa vjet më parë. Vëmendja e nevojshme sot në Ballkan nuk është ajo e emergjencës. Është e adoptimit nga Ballkani i një modeli të cilin Evropa tani më e kishte testuar dhe sprovuar me sukses para gjysmë shekulli. Qëllim i yni strategjik është anëtarësimi në NATO dhe Bashkimin Evropian, një qëllim i përbashkët i shumicës së spektrit politik të Kosovës. Ne nuk shohim alternativë tjetër ndaj këtij integrimi dhe e di se angazhimet tona komplikohen nga mosnjohja nga katër anëtarët e NATO-s dhe nga reformat ndonjëherë ta ngadalta në vend, dhe do të doja që të mendonim më larg dhe ta shohim këtë momentum si mundësi për ta ndryshuar rrjedhën e historisë në vendet e Ballkanit perëndimor. Me një përjashtim në regjion, vizioni ynë i përbashkët është të bëhemi pjesë e ombrellës së madhe të sigurisë sepse jemi të bindur që ajo është mënyra e vetme për të garantuar paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm. Vendimi i NATO-s për t’i ofruar formalisht anëtarësim Malit të Zi është një hap pozitiv i shumëpritur, siç është edhe vendimi i BE-së për t’i dhënë statusin e vendit kandidat Shqipërisë dhe Serbisë dhe të nënshkruajë marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit më Kosovën, si hap i parë drejt integrimit evropian. Ne kurrë nuk duhet ta konsiderojmë sigurinë si të ndarë nga situate politike, çështje për të cilën kemi bërë shumë për ta adresuar për shkak të aspiratave tona për tu anëtarësuar në BE dhe NATO. Përkundër armiqësive të cilat akoma ekzistojnë dhe vështirësive për të hyrë në dialog me armikun e mëhershëm, qeveritë e Kosovës dhe Serbisë po mundohen që të normalizojnë marrëdhëniet në një proces  të lehtësuar nga BE-ja. Ky angazhim nuk është perfekt. Mungesa e implementimit të prekshëm dhe shumëkuptimshmëria nuk ndihmojnë, por të dy vendet janë të lidhura me kushtëzimin nga BE-ja që të dy vendet të zgjidhin mospajtimet mes tyre para se vendet të merren në konsiderim për anëtarësim. Për Kosovën kjo nënkupton njohje të plotë të pavarësisë nga Serbia para se Serbia të anëtarësohet në BE. Çdo gjë më pak se njohja do të kthejë prapa dekada të investimeve dhe angazhimeve për të vendosur paqe në Ballkan dhe për ti dhënë drejtimin drejtë prosperitetit. Zonja dhe zotërinj, Nuk ka kohë për lodhje nga zgjerimi. Vendet e Ballkanit perëndimor janë në gjysmë udhe dhe kemi nevojë për edhe një shtytje e cila do të na vendoste drejt rrugës së progresit nga nuk mund të kthehet prapa. Integrimi në BE dhe NATO nuk janë ilaç për çdo gjë, dhe më këtë pajtohem plotësisht, por pa këtë opsion të qartë, e ardhmja jonë bëhet e paqartë. Vakumi në të cilin momentalisht e gjejmë veten i ka hapur rrugë dhe mundësi forcave dhe agjendave të cilat tradicionalisht kanë kërkuar që të minimizojnë çfarëdo lloj suksesi në Ballkan dhe më gjerë. Sot, ne gjendemi në mes të një politike ruse, antiperëndimore, dhe agjendave të ndryshme islamiste, të cilat mëtojnë të shfrytëzojnë frustrimet e mbledhura, izolimin, mungesën e prosperitetit ekonomik dhe stagnacionin e gjithëmbarshëm. Shumë është investuar në stabilitetin e Kosovës, Bosnjës, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Ne kemi filluar të përmblidhemi por kemi nevojë për ndihmë që të qëndrojmë në rrugën e duhur. Ne nuk po kërkojmë lehtësira në rrugëtimin tonë drejt NATO-s dhe BE-së, por nuk duhet ta largojmë nga mendja atë çfarë është e një rëndësie strategjike. Ne jemi pjesë integrale e Evropës dhe duhet të trajtohemi si të tillë. Sot, qytetarët e Kosovës janë populli i vetëm në Evropë i cili nuk mund të lëvizë lirshëm, pa viza, drejt vendeve të tjera të Evropës. Vendi i vetëm ku mund të shkojnë pa viza është Turqia. Në dëshirojmë të shihemi si vlerë e shtuar, të jemi pjesë e zgjidhjeve e jo gjenerues i problemeve. Dhe betohemi se do ta kryejmë pjesën tonë të punës. Më lejoni t’ju jap një shembull të lidhur me sigurinë. Gjatë katër viteve të fundit, institucionet e Kosovës kanë konfrontuar me sukses sfidat nga luftëtarët e luftërave të huaja, qytetarë të Kosovës të cilët i janë bashkuar ISIS-it. Në vitet 2013 dhe 2014, rreth 200 qytetarë të Kosovës kanë udhëtuar për në Siri dhe Irak, numër ky i cili na vendos në krye të tabelës së luftëtarëve të luftërave të huaja për kokë banori. Ne ishim të pakompromisë në qasjen tonë sapo e mësuam se edhe ne ishim të prekur nga ky fenomen. Reagimi ynë i parë ishte të mësojmë secilën gjë – nga rekrutuesit e deri tek financimi dhe rrugët, dhe të mësonim mbi lidhjet dhe qëllimet e tyre. Ne vepruam shpejt dhe me vendosmëri ndaj atyre të cilët u kthyen dhe i sistemuan në sistemin tonë ligjor. Edhe me rekrutuesit ishim të vendosur. Arrestimet e ndërmarra na drejtuan tek disa dhjetëra imamë me lidhje në Maqedoni dhe Shqipëri. Mbyllëm xhamitë ilegale dhe OJQ-të të cilat vepronin si paravan për aktivitetet e tyre, posaçërisht në shpëlarje të parave dhe indoktrinim. Kjo sfidë ndaj sigurisë sonë kishte edhe një efekt të menjëhershëm. Ne kemi ripërtërirë disa nga partneritetet tona të vjetra dhe kemi filluar disa të reja, posaçërisht me vendet fqinje, të cilat kanë rezultuar me arrestime të kalibrit të lartë. Kemi rifreskuar ligjet tona dhe kemi aprovuar ligje të reja për të siguruar se sovraniteti dhe pavarësia ligjore nuk duhet të jenë katalizator për ata të cilët dëshirojnë ta ndjekin këtë rrugë. Bashkëpunimi ishte kyç për ta kuptuar se ne duhet t’i bëjmë detyrat tona të shtëpisë. Përkundër prezencës së NATO-s dhe misionit më të madh të BE-së për sundimin e ligjit, ishin agjencitë tona të zbatimit të ligjit të cilat morën përgjegjësinë për ta shndërruar Kosovën në frontin evropian të luftimit të rrjetit terrorist. Zonja dhe zotërinj, Para se të përfundoj, më lejoni t’ju jap disa mendime rreth sfidës sonë të fundit. Ne i ekzaminuam disa çështje sot, në përvjetorin e intervenimit në Kosovë karshi një krize të re para portës së Evropës. Përderisa po flasim këtu, ka refugjatë sirianë dhe emigrantë nga vende të varfra të lindjes së mesme dhe më gjerë, të cilët janë grumbulluar në territorin më të brishtë të Evropës, në tokën e askujt në mes të Greqisë dhe Maqedonisë, dhe së fundmi edhe Shqipërisë.Ka supozime se Shqipëria dhe Kosova janë vendet e ardhshme nëpër të cilat refugjatët dhe emigrantët do të mundohen të gjejnë rrugë të reja për t’i sjellë ata drejt veriut, në Evropën perëndimore, destinacioni i tyre kryesor. Unë i bashkohem Kryeministrit të Shqipërisë për të thënë se ne nuk do t’i hapim kufijtë – jo për shkak të mungesës së vullnetit, por për pamundësinë për t’u ofruar kujdesin e nevojshëm – por as nuk do të ngrehim mure. Vuajtjet e refugjatëve sirianë janë shumë të afërta për ne. Gjatë luftës në Kosovë, një milion shqiptarë – gjysma e popullatës së Kosovës – u dëbuan nga shtëpitë. Ne ishim të detyruar të largohemi drejt vendeve fqinje, në të cilat, përkundër frikës se refugjatët nga Kosova në njëfarë mënyre do ta pushtojnë vendin e tyre, ne u mirëpritëm krahëhapur. Rreth 600.000 refugjatë u pranuan nga Shqipëria, e cila kishte resurse të limituara, si një nga vendet më të varfra të Evropës. Në Maqedoni po ashtu. Por, tre muaj më vonë, kur intervenimi i udhëhequr nga SHBA ndaloi agresionin Serb, një milion refugjatë ngarendën prapa drejt shtëpive të tyre. Më kujtohet paniku i organizatave dhe agjencive për ndihmë nga minat dhe shkatërrimi i lënë pas nga lufta. Por, për refugjatët të cilët nuk dëshirojnë t’i lëshojnë shtëpitë e tyre, moment i kthimit nuk ishte mjaftueshëm i shpejt. Ata të gjithë u kthyen tek shtëpitë e tyre brenda dy javëve nga përfundimi i luftës. Në këtë debat, ne duhet të mbajmë mend se refugjatët janë produkt i luftës. Që ta ndalim rrjedhën e tyre ne duhet ta adresojmë shkakun i cili i ka shtyrë të ikin. Ne duhet ta mbajmë mend se ata janë njerëz të detyruar t’i lëshojnë shtëpitë e tyre dhe se askush asnjëherë nuk dëshiron ta lë shtëpinë e vet. Askush nuk dëshiron t’i bëhet barrë askujt tjetër. Dhe përderisa po e mësojmë se nuk ka një mënyrë të vetme për ta adresuar migrimin dhe se secili shtet në Evropë do ta zgjedhë çështjen në mënyrë vetjake, ne duhet të sigurohemi që veprimet dhe resurset tona të jenë të përbashkëta. Ju faleminderit shumë për vëmendje.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.