Kam kënaqësinë që sot t’iu shoh dhe t’iu drejtohem në Prishtinë rreth drejtimit dhe synimeve që i kemi përcaktuar si institucione të shtetit në raport me politikën tonë të jashtme.
I nderuar kryetar i Kuvendit Veseli,I nderuar zëvendëskryeministër Thaçi,Të nderuar ambasadorë të Republikës së Kosovës,Të nderuar të pranishëm,Zonja dhe zotërinj,Kam kënaqësinë që sot t’iu shoh dhe t’iu drejtohem në Prishtinë rreth drejtimit dhe synimeve që i kemi përcaktuar si institucione të shtetit në raport me politikën tonë të jashtme.Që prej kur themeluam shërbimin diplomatik kemi qenë dëshmitarë që përparimi në adresimin e sfidave të politikës së jashtme nuk ka qenë i lehtë apo i menjëhershëm.Peizazhi ndërkombëtar, marrëdhëniet mes shteteve, aleancat, pozicionimi i organizatave multilaterale dhe pesha e tyre, ka ndryshuar vazhdimisht. Sot, shtetet janë më të ndërvarura dhe më të ndërlidhura se kurdoherë më parë në historinë e njerëzimit. Dhe një situatë e tillë krijon sfida të shumta, por gjithashtu edhe mundësi të jashtëzakonshme për t’i avancuar aspiratat tona bazuar në interesin dhe vlerat e përbashkëta.Kjo nënkupton që na është dashur të adaptohemi vazhdimisht dhe me një angazhim të ripërtërirë që bazohet në një diplomaci efektive dhe zgjerim partneriteti të depërtojmë në skenën ndërkombëtare, ku përpos që synojmë konsolidimin e shtetësisë tonë ofrojmë edhe kontributin tonë në adresimin e çështjeve dhe kërcënimeve rajonale dhe globale.Përderisa orientimi ynë euroatlantik mbetet alternativa e vetme, ne duhet të vazhdojmë të krijojmë partneritete të reja dhe t’i fuqizojmë ato ekzistuese. Njëkohësisht, duhet ende shumë përpjekje për të përmirësuar imazhin tonë të jashtëm dhe për ta mbajtur Kosovën relevante në sytë e botës.Pas shpalljes së pavarësisë, Kosovës i duhej të dëshmohej si shtet, në forcimin e legjitimitetit të saj të jashtëm, duke ndërtuar ura bashkëpunimi, forcimin e marrëdhënieve me miqtë tanë dhe fuqizimin e vlerave tona të përbashkëta. Hapja e misioneve të reja diplomatike nëpër botë ka reflektuar dhe përforcuar interesin e qëndrueshëm dhe sistematik për marrëdhëniet bilaterale të Republikës së Kosovës.Qëllimi ynë në politikën e jashtme mbetet të krijojmë një orientim të qartë që fokusohet në partneritet me vendet e ndryshme të rajonit dhe të botës, thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe si prioritet thelbësor integrimin në BE dhe NATO.Politika e jashtme e Kosovës është bazuar në disa parime: promovimi i integrimit evropian, partneriteti dhe miqësia transatlantike, bashkëpunimi rajonal dhe bashkëpunimi ekonomik. Dhe janë pikërisht këto parime që duhet të vazhdojnë ta udhëheqin punën tonë si brenda vendit ashtu edhe jashtë kufijve tanë.Procesi i integrimit evropian është opsioni më i pazëvendësueshëm me ndikimin më të madh në transformimin e ekonomisë dhe politikave tona. Në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, ne duhet t’i përmbushim obligimet tona sepse vetëm atëherë do ta shtyjmë përpara vizionin e përbashkët të shtetit të qëndrueshëm dhe të gatshëm për integrim evropian dhe euroatlantik.E kam thënë disa herë se ne nuk kërkojmë një rrugë më të shkurtër për në BE, por ne kërkojmë që kur ne të jemi gati, edhe Bashkimi Evropian të jetë gati.Gjatë këtij viti kam takuar vazhdimisht institucionet e vendit për të bashkërenduar në mënyrë efikase dhe për të përshpejtuar një prej proceseve më të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, Dialogun për Liberalizim të Vizave. Kriteret teknike tashmë janë përmbushur dhe po përgatitemi për vizitën e Misionit Vlerësues të BE-së në Kosovë. Për ta përmbyllur këtë proces të rëndësishëm që i mundëson Kosovën daljen nga izolimi na duhet angazhimi juaj në aspektin bilateral për t’i mbajtur të informuar shtetet anëtare me dinamikën në përmbushjen e kërkesave të parashtruara në këtë proces.E njëjta vlen edhe me ndërmarrjet tjera, qoftë në përmbushjen e obligimeve tona ndërkombëtare që ndërlidhen me krijimin e Gjykatës Speciale, ashtu edhe me rezultatet konkrete në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe rëndësinë e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës, si proces gradual për krijimin e një force mbrojtëse, që pasqyron kompozicionin shumetnik të Kosovës.Kosova ka dëshmuar që është rrëfim suksesi edhe në aspekte të tjera. Konferenca tradicionale ndërfetare e ka shndërruar vendin tonë në qendër të dialogut për njërën ndër çështjet më aktuale në botë. Ngjashëm, rehabilitimi i të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, siç u dëshmua së fundi me mbulimin medial dhe bujën ndërkombëtare që shkaktoi instalacioni artistik Mendoj për Ty, e ka shndërruar Kosovën në udhëheqëse të përpjekjes ndërkombëtare për t’i dhënë fund këtij krimi lufte nëpër konfliktet anë e mbanë botës.Ne presim gjithashtu që shumë shpejt të nënshkruajmë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që shënon një kapitull të ri në marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian. Fillimi i zbatimit të kësaj marrëveshje e vendosë Kosovën në qendër të politikës së zgjerimit të BE-së për rajonin dhe fillimin konkret të procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE.Gjithashtu, një avokim më i fuqishëm dhe ndërinstitucional na duhet për të shtyrë përpara procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, njëlloj sikur që na duhet një shtytje e tillë e koordinuar për të prioritizuar anëtarësimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare, sidomos në ato që lidhen me sundimin e ligjit.Të nderuar ambasadorë,Kosova mbetet e përkushtuar për stabilitetin rajonal dhe forcimin e marrëdhënieve ndër-fqinjësore duke kontribuar në avancimin e këtij bashkëpunimi.Pas anëtarësimit në shumë nisma dhe organizata rajonale, ne po japim kontributin tonë aktiv si anëtar i barabartë në fuqizimin e bashkëpunimit rajonal, kusht i rëndësishëm për përmirësimin e ekonomive tona dhe një hap i domosdoshëm për afrimin e secilit shtet me Bashkimin Evropian. Kosova do të mbetet e përkushtuar në ndërtimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët, që promovojnë besimin e ndërsjellë, një ndryshim thelbësor për një rajon i cili më pak se dy dekada më parë ishte kapluar nga lufta.Bashkëpunimi më i ngushtë ndërshtetëror, sidomos në aspektin ekonomik dhe në fushën e sigurisë, tashmë është domosdoshmëri.Asnjë shtet nuk mbetet i paprekur nga kërcënimet dhe trendët e fundit të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit. Në Kosovë ne po ballafaqohemi me këtë problem dhe vlerësoj se kemi vendosur një shembull të mirë duke dhënë kontribut konkret në luftimin e këtij kërcënimi dhe duke mbrojtur imazhin rajonit të përkushtuar që të kontribuojë në sigurinë e të gjithëve. Dhe ky është një sukses që duhet ta përçojmë në kryeqendrat botërore ku kemi prani.Në aspektin zhvillimor, ndërtimi i themeleve për një partneritet të qëndrueshëm ekonomik nuk është vetëm vendosmëri politike, por nevojë për të përmirësuar jetën e qytetarëve tanë. Stabiliteti dhe koherenca e brendshme e forcon subjektivitetin tonë të jashtëm.Pres nga ju që tashmë t’i keni aftësitë dhe njohuritë për të ndërtuar partneritete ekonomike që mbështesin bashkëpunimin tregtar dhe investimet e jashtme në Kosovë. Vendit tonë i duhen më shumë investime.Të nderuar ambasadorë,Ne mbesim të angazhuar të përmirësojmë kapacitetet tona për të ndjekur një politikë të jashtme efektive, që bazohet në një shërbim të jashtëm efektiv. Si shteti më i ri në Evropë, sigurisht se do të na duhet më shumë kohë dhe më shumë angazhim për të krijuar dhe konsoliduar një shërbim të jashtëm profesional, të papolitizuar, që avancon diplomacinë tonë dhe interesin shtetëror.Ne kemi alokuar mjetet dhe resurset për të zbatuar këtë vizion aq të rëndësishëm, për të avancuar interesin kombëtar të shtetit tonë të ri, për të përmirësuar imazhin e vendit, për të krijuar mundësi të reja ekonomike. Ju jeni ata që punoni çdo ditë për të përkthyer dhe zbatuar vizionin e politikës së jashtme të vendit tonë dhe vizionin e Kushtetutës së Kosovës në rezultate konkrete.Si udhëheqëse e politikës së jashtme kam pasur mundësinë të vizitoj shumë prej misioneve tona diplomatike nëpër botë dhe jam falënderuese për punën që bëni. Nuk ka nder dhe privilegj më të madh se të jesh ambasador i vendit tënd, të jesh në shërbim të qytetarëve, duke ndarë me botën rrëfimin për popullin që asnjëherë nuk u zmbraps nga ëndrra e të bërit shtet. Natyrisht, kushtet gjithmonë mund të jenë më të mira, gjithmonë ka hapësirë për më shumë staf, por ju lutem mos harroni që kjo është hera e parë në historinë e vendit tonë që na është dhënë mundësia ta përfaqësojmë në këto nivele Kosovën, shtetin tonë. Kërkoj nga ju që ta përfaqësoni vendin tuaj me pasion.Qëllimi ynë afatgjatë duhet të jetë një shërbim diplomatik më i fuqishëm, më ambicioz, më inovativ, me një rrjet më të gjerë diplomatik. Një organizatë që joshë më të mirët e këtij vendi. Kjo nuk duhet të mbetet vetëm shprehje e synimeve më të mira, por një qëllim në të cilin të gjithë duhet të besojmë dhe të angazhohemi.Sfidat me të cilat ju ballafaqoheni kërkojnë bashkërendim më të ngushtë të diplomacisë dhe të agjencive të ndryshme të vendit. Shërbimi ynë është një prej më të mirëve që ka arritur të integrojë përparimin e teknologjisë për të përmirësuar diplomacinë tonë dhe vendosjen e Kosovës në hartën digjitale. Ky shembull duhet të zgjerohet edhe në fusha tjera.Ju dëshiroj suksese në punimet e kësaj konference!Ju faleminderit!