presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Jahjaga me rastin e Ditës së luftës kundër kancerit të gjirit

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në ecjen simbolike, të organizuar me rastin e Ditës së luftës kundër kancerit të gjirit.

Para pjesëmarrësve të shumtë në këtë fjalim, Presidentja Jahjaga mbajti këtë fjalim:

I nderuar ministër Agani,
E nderuar ministre Çitaku,
Të nderuar përfaqësues të Qeverisë së Republikës së Kosovës,
I nderuar kryetar i komunës së Prishtinës, z.Mustafa,
Të nderuara deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Republikën e Kosovës,
Të nderuar familjarë,
E nderuara zonja Latifi,
Mike të dashura,

Ky pikëtakimi ynë i përvitshëm, në këtë ditë kur shënojmë përkushtimin tonë për jetë, për të fituar betejën kundër kancerit të gjirit, shpreh vendosmërinë tonë si qytetarë të ndërgjegjshëm, që të ngremë vetëdijen për këtë sëmundje, si një betejë e jona e përbashkët.

Kanceri i gjirit, është sëmundje që prek pa dallim të gjitha shtresat e shoqërisë kudo nëpër botë. Kjo sëmundje, edhe pse shumë e rëndë, mund të mposhtet nëse zbulohet me kohë.

Mesazhi im sot është ai i shpresës, i cili buron nga forca dhe guximi i shumë grave dhe burrave që e kanë sfiduar këtë sëmundje, duke i mposhtur të gjitha vështirësitë me të cilat janë përballur ato.

Janë përpjekjet dhe suksesi i tyre që dëshmojnë se sa e vlefshme është jeta e njeriut dhe sa e madhe është dëshira për të jetuar.

Ju lus të gjithave, nëna, gra, motra dhe vajza, t’i nënshtrohemi kontrolleve të rregullta mjekësore, pasi diagnostikimi i hershëm do të thotë fitore mbi këtë sëmundje.

Përmes ecjes tonë simbolike, ne dëshmojmë kujdesin edhe solidaritetin si individë, si shoqëri dhe institucione, për të gjithë të prekurit nga kanceri i gjirit. Vetëm së bashku mund ta fitojmë këtë betejë!

Prandaj e çmoj dhe e vlerësoj nismën e grupit të grave deputete, për mbledhjen e fondeve për mamografinë mobile, e cila do të ishte në shërbim të të gjitha grave, në çdo cep të shtetit tonë. Qëllimi ynë i përbashkët është që çdo grua të ketë qasje në shërbimet mjekësore, sepse vetëm kështu identifikohet dhe parandalohet kanceri i gjirit.

Kontribut të çmuar në luftën kundër kancerit të gjirit ka edhe shoqata “Jeta/Vita”. Zonja Nafije Latifi është përkujdesur vit pas viti që të na bashkojë, për të dëshmuar se ne kemi forcën dhe vullnetin që ta parandalojmë këtë sëmundje. Kanceri nuk zgjedh persona, por ne mund të zgjedhim t’i ndalojmë efektet vdekjeprurëse të tij.

Parandalimi dhe zbulimi i hershëm do të thotë Jetë. Të ngadhënjejmë mbi sëmundjen. Le të fitojë Jeta!

Vet prezenca juaj nënkupton përkushtimin dhe solidaritetin tonë si popull, që kemi pasur dhe vazhdojmë ta kemi.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.