Mirë se keni ardhur në takimin e radhës të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, tema e të cilit është “Zgjedhjet dhe korrupsioni”.
I nderuar kryeministër Kuçi,I nderuar Ministër Rexhepi,I nderuar z.Zbogar,E nderuar zonja Jacobson,I nderuar gjeneral Farina,I nderuar. Z.Borchardt,Të nderuar ambasadorë,Të nderuar përfaqësues nga Prokuroria, nga gjyqësia, nga Policia e Kosovës,Të nderuar përfaqësues nga shoqëria civile, Të nderuar përfaqësues të mediave, Mirë se keni ardhur në takimin e radhës të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, tema e të cilit është “Zgjedhjet dhe korrupsioni”. Kosova ka hyrë në një fazë të rëndësishme të shtetësisë së saj, kur krahas konsolidimit ndërkombëtar po bëjmë përpjekje për të ndërtuar një shoqëri me vlera demokratike, të bazuara në respektimin e rendit dhe të ligjit. Duke vendosur parimet për një shtet të së drejtës, ne jemi përkushtuar për tolerancë zero ndaj dukurive negative në vend, posaçërisht ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe e kemi bërë të qartë se këtë luftë do ta fitojmë. Tani ka ardhur koha që ky përkushtim yni të tregojë rezultate përmes zbatimit të plotë të ligjeve dhe të praktikave që i kemi ndërtuar deri tash. Është e natyrshme që qytetarët tanë të kërkojnë nga ne llogaridhënie dhe të shohin lidershipin tek ne, sepse e ardhmja e tyre varet nga rezultatet tona të përbashkëta në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe se e ardhmja e vendit tonë varet nga puna jonë e përbashkët. Ne duhet të kthejmë besimin e qytetarëve tanë në institucione dhe t’u japim llogari për qeverisjen tonë. Ky besim arrihet duke garantuar që liritë dhe të drejtat e qytetarëve tanë, kudo në Kosovë, nuk do të cenohen nga krimi. Ne e kemi e kemi bërë të qartë se reformat tona në sistemin e drejtësisë duhet të thellohen dhe, bazuar në praktikat më të mira, të përmbyllen me qëllim të krijimit të hapësirës së punës për mekanizmat e pavarur dhe efektivë për ndërtimin e shtetit ligjor. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin! Duam sistem të dinjitetshëm të drejtësisë; me njerëz të aftë dhe të gatshëm ta zbatojnë ligjin dhe me shoqëri që i respekton ligjet. Kosova ka treguar se është e gatshme për të ndërmarrë reforma në drejtësi, në njërën prej hallkave më të rëndësishme të shtetësisë sonë, por neve na mbetet që përparimin në këtë fushë ta përkthejmë në rezultate konkrete dhe të matshme. Drejtësia duhet të jetë e pavarur plotësisht, e pandikuar politikisht por e aftë profesionalisht dhe e gatshme për të vepruar në çdo kohë për të mirën e qytetarëve dhe të shtetit në përgjithësi. Kosova nuk ka shumë kohë për të humbur, sepse procesi i integrimeve euroatlantike varet nga vetë ne; nga vullneti, puna dhe angazhimi ynë për të dëshmuar se jemi të gatshëm dhe të guximshëm për të ndërmarrë hapat më të rëndësishëm për shtetin dhe shoqërinë tonë. Kemi bërë shumë takime, kemi hartuar shumë ligje, kemi kërkuar shumë mënyra për të vendosur parimin e tolerancës zero për korrupsionin, por ende nuk kemi treguar rezultat të bollshëm në këtë fushë. Luftimi i korrupsionit mbetet një ndër pengesat më të mëdha në përparimin drejt integrimeve euroatlantike. Sistemi i drejtësisë mbetet hallka më e rëndësishme në këtë proces. Kur e thash se Kosova është sot në një nga periudhat më të rëndësishme të shtetësisë së saj, e konsideroj të domosdoshëm faktin e bashkëveprimit institucional, të harmonizimit dhe të bashkërendimit në shoqërinë tonë të veprimeve dhe aktiviteteve për të ngritur shkallën jo vetëm të vetëdijesimit por edhe të aktiviteteve të drejtpërdrejta për një proces të pakthyeshëm të çrrënjosjes së korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne sot jemi në një periudhë kur na duhet më shumë punë dhe veprim për të treguar jo vetëm gatishmërinë por edhe efektshmërinë e parandalimit të korrupsionit edhe në procesin zgjedhor. Vlerësoj se standardin e përcaktuar në shoqërinë tonë që prej zgjedhjeve komunale, duhet ta dëshmojmë edhe kësaj radhe, në zgjedhjet e 8 qershorit, për të garantuar një proces demokratik, gjithëpërfshirës, me garanci të plota për votën e secilit qytetar të vendit, kudo qoftë. Kam kërkuar nga Bashkimi Evropian që të dërgojë një mision vëzhgues për zgjedhjet, kërkesë të cilën e kanë pranuar dhe zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme në vend do të vëzhgohen nga Bashkimi Evropian. Ne po hyjmë në zgjedhje të reja me ligj të vjetër. Partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, që tashmë është shpërbërë, kanë filluar reformën zgjedhore por pa e përfunduar atë. Reforma zgjedhore do t’i ndihmonte përmirësimit të legjislacionit dhe krijimit të një klime më të mirë zgjedhore, në përputhje me normat më të larta ndërkombëtare dhe në përputhje me aspiratën tonë për integrime evropiane dhe plotëson edhe një kusht në këtë rrugë. Sado i mangët që të jetë ligji ekzistues, ne kemi vërtetuar se mund të organizojmë dhe mbajmë zgjedhje të pranueshme ndërkombëtarisht, siç ishin zgjedhjet komunale të 2013 që u mbajtën në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Ne kemi vërtetuar se mobilizimi ndërinstitucional është çelësi i suksesit për të mbrojtur të drejtën e qytetarit për të zgjedhë dhe për të qenë i zgjedhur. Kemi treguar përpara qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare, se funksionimi demokratik i institucioneve tona mbron të drejtat themelore dhe ndëshkon ata që tentojnë të prekin fundamentet e shtetit tonë, një shteti të qytetarëve të barabartë që garanton të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithëve përpara ligjit. Në zgjedhjet e kaluara organet e rendit, të ndjekjes dhe gjykimit kanë treguar një përmirësim në kapjen dhe ndëshkimin e personave që kanë provuar përmes metodave korruptive të ndikojnë në lirinë e votës. Këtë praktikë ne duhet që ta intensifikojmë edhe më shumë në këto zgjedhje. Ne duhet të mbrojmë edhe më fuqishëm votën e qytetarit tonë për të krijuar institucione të besueshme dhe legjitime. Është e domosdoshme që të shmangim pasojat politike që shfaqen nga korrupsioni në zgjedhje, me qëllim që të mos e humbim kredibilitetin përpara qytetarëve tanë dhe me qëllim të rritjes së llogaridhënies. Ftoj të gjitha institucionet e përfaqësuara këtu që të jemi vigjilentë dhe të zbatojmë me përpikëri ligjin në çdo rast kur përmes metodave korruptive bëhen përpjekje për të manipuluar me votën e qytetarit. Zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme në vend duhet të jenë zgjedhje shembull që e çojnë përpara shtetin e Kosovës, që vendosin standardin për proceset zgjedhore dhe që i bëjnë qytetarët, në çdo cep të Republikës së Kosovës, të vendosin vetë për të ardhmen e tyre, pa frikën e manipulimit të votës së tyre.