presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në pritjen solemne me rastin e përvjetorit të gjashtë të Pavarësisë së Republikës së Kosovës

Në gjashtëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, nderojmë vizionin, përpjekjet dhe përkushtimin e palëkundur të gjeneratave të tëra, të cilat brez pas brezi përcollën frymën për liri e demokraci.

I nderuar Kryetar i Kuvendit, z. Krasniqi,I nderuar Kryeministër z. Thaçi,Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale,Të nderuar liderë të partive politike,Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,Të nderuara familje të dëshmorëve dhe aktivistëve që kontribuuan për Kosovën e pavarur,Të nderuar udhëheqës të bashkësive fetare,Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,Zonja dhe zotërinj,                                                                                 Në gjashtëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, nderojmë vizionin, përpjekjet dhe përkushtimin e palëkundur të gjeneratave të tëra, të cilat brez pas brezi përcollën frymën për liri e demokraci. Sot, kur kemi vendosur themelet e shtetësisë sonë, dhe kur po shënojmë këtë përvjetor të gjashtë të pavarësisë, një ideali për të cilin kanë sakrifikuar gjenerata të tëra, ne dëshmojmë qëndrueshmërinë tonë dhe njëkohësisht palëkundshmërinë për ta realizuar këtë ideal.    Në këtë gjashtëvjetor nderojmë të gjithë ata burra e gra të vendeve mike, të SHBA-ve dhe BE-së, që përkrahen fuqishëm kauzën tonë të drejtë e njerëzore në mbrojtje të parimeve universale për të qenë të lirë dhe të barabartë. Mbi këto parime krijuam shtetin e Kosovës, me synimin për të qenë pjesë e shteteve dhe shoqërive demokratike, ku parimi i qytetarisë është themeli i saj dhe ku dallimet fetare e etnike përbëjnë pasurinë dhe vlerat e shtetit. Ky vizion promovon tolerancën, mirëkuptimin e paqen dhe mbi të gjitha i garanton gjithësecilit liri e të drejta të barabarta për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Në çdo përvjetor, vit pa viti, kemi shënuar së bashku arritjet dhe sfidat e rrugës sonë për të përmbushur këtë vizion të vlerave të lirisë e demokracisë, për një Kosovë shtet demokratik,  shtet të të gjithë qytetarëve, promovues të paqes dhe stabilitetit, vend të mundësive të mëdha e anëtare të barabartë në familjen e popujve të lirë. Dhe prandaj, pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, e paprekshme e ndërtuar në çdo pjesë të territorit të saj, për çdo qytetar të barabartë të saj, është një realitet i njohur në botë, një faktor i rëndësishëm i marrëdhënieve fqinjësore në rajon. Ky është shteti ynë, me një synim të qartë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe gjithsesi e të gjitha organizatave të tjera ndërkombëtare. Por, pa dyshim që na mbetet ende rrugë për të bërë për të konsoliduar demokracinë tonë, për të vendosur sundimin e ligjit dhe të rendit në secilin skaj të territorit të Republikës sonë dhe për ta ndërtuar një shtet të pakorruptuar. Vështirësitë me të cilat përballet sot vendi ynë janë vështirësi të tranzicionit nëpër të cilat kanë kaluar edhe vende të tjera të botës demokratike, të cilat jo rrallë herë ngadalësojnë proceset demokratike dhe rrugën e integrimeve. Por, ne kemi dëshmuar se i qëndrojmë besnik vizionit dhe idealit tonë, për një shtet të zhvilluar dhe të përparuar, dhe që jemi të bashkuar e përkushtuar për ta përmbushur atë. Të nderuar qytetarë,Ky gjashtëvjetor na gjen me një demokraci më të konsoliduar, me përpjekje të vazhdueshme për ta bërë vendin me një ekonomi të zhvilluar, dhe gjithsesi me këmbënguljen për të avancuar proceset që na çojnë drejt integrimeve evropiane. Gjashtë vjet të shtetësisë kanë nënkuptuar edhe vite të përpjekjeve për të krijuar një shtet gjithëpërfshirës, ku të gjithë gëzojnë të drejtat e tyre dhe ku përgjegjësia dhe obligimet, po aq sa edhe përfitimet, për shtetin e begatë dhe të përparuar – është e barabartë. Historia e dhunës dhe e konflikteve, e hegjemonisë dhe e shtypjes ka përfunduar dhe kemi hapur tani rrugën e integrimeve dhe të bashkëpunimit, një rrugë të respektit të ndërsjellë dhe të mirëbesimit, dhe gjithsesi një rrugë të ndërtimit të së ardhmes më të mirë. Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim, njerëz që bashkohen në synimin e përbashkët për integrimin në BE, një aspiratë e palëkundur e njerëzve tanë. Në këtë përvjetor të gjashtë, kur jemi bashkuar për të kremtuar të arriturat tona, do të kujtojmë se ndërtimi i së tashmes do të vendos bazat e të ardhmes. Dhe prandaj ne synojmë ndërtimin e shtetit të së drejtës, një shteti ku sundon ligji dhe ku qytetarët do të ndjehen të sigurt dhe të barabartë. Ne kemi ende punë në rrugën e shtet ndërtimit tonë. Kemi ende për të dëshmuar se demokracia jonë zhvillohet përmes vendosjes së themelit të një shteti ligjor, të pastër e të pakorruptuar, një shteti të zhvilluar në të gjitha fushat.   Ne duhet të hapim perspektivën tonë përmes thellimit të reformave të gjithmbarshme, reforma që do të mundësojnë ecjen më të shpejtë të vendit tonë në rrugën e integrimeve, reforma që sado të dhimbshme dhe të rënda do të mundësojnë një të ardhme më të mirë. Ne duhet të krijojmë kushtet e domosdoshme për zhvillim ekonomik dhe për investime të huaja, që do të ndihmojë gjeneratat e reja të kontribuojnë për vendin e tyre.   Kjo është barra dhe puna jonë e të gjithë neve – Qytetarë të Republikës së Kosovës – që e duam këtë vend. Është prandaj përgjegjësi e përbashkët e jona që të vendosim këto themele të demokracisë së zhvilluar dhe të avancojmë proceset tona drejt integrimit evropian. E sotmja është në duart tona dhe atë do ta ndërtojmë së bashku. Kështu sic jemi edhe në këtë festë të shtetit tonë.Kosovë gëzuar!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.