presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në manifestimin qendror të shënimit të gjashtëvjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës

Kemi nisur festën e shënimit të gjashtëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, aktit më të rëndësishëm në historinë më të re të vendit, që u ndërtua me idealin e gjeneratave të tëra që sakrifikuan për lirinë dhe demokracinë.

Kjo është një ditë që na bashkon të gjithë neve, qytetarë të shtetit të ri të Evropës dhe është dëshmi se fati ynë përcaktohet nga vetë Ne, njerëz të barabartë të këtij vendi. Kjo është vepra më e lartë e të gjithë Qytetarëve të Republikës së Kosovës – të cilës vepër Ju i dhatë frymën dhe shpirtin dhe e bëtë të përjetshme. Këtë përjetësi e ndërtuan me idealin e tyre ata që bënë luftën – të gjithë ata burra e gra të UÇK-së, me komandantin legjendar Adem Jashari, të gjithë ata intelektualë e vizionarë që i ngritën themelet e shtetit, me Presidentin dr. Ibrahim Rugova. Në këtë gjashtëvjetor duam të dëshmojmë se të gjithë Ne po e realizojmë idealin e gjeneratave të tëra, se po ruajmë vlerat e përcaktuara prej tyre – për një shoqëri të të barabartëve, të njerëzve që bashkëjetojnë për një të ardhme më të mirë.Dhe ne e kemi shkruar të tashmen tonë – në paqe – me ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë, si vullnet i përbashkët i yni dhe i të gjithë atyre që na kanë ndihmuar përgjatë gjithë historisë sonë. Në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe vendet e Bashkimit Evropian. Dhe të ardhmen padyshim se do ta kemi të ndërlidhur me po këta miq tanë. 17 Shkurti shënon historinë e pakthyeshme dhe të pamohueshme të shtetit të Kosovës, një realiteti të krijuar në botë, që ruan pacenueshmërinë e tij dhe që frymon lirshëm.Kemi qenë në anën e drejtë të historisë, sado që përpjekjet e dhunshme dhe e kaluara e hidhur e ka ngadalësuar ecjen tonë drejt synimit për të qenë pjesë e pandashme e projektit të Bashkimit Evropian. Periudha e konflikteve dhe hasmërive në Ballkan ka përfunduar dhe tani është hapur një mundësi e integrimit – në një epokë të rëndësishme kur marrëdhëniet e mira fqinjësore shndërrohen në vlera të pamohueshme për të gjitha vendet tona që aspirojnë anëtarësimin në familjen evropiane. Prandaj pavarësia e Kosovës, që mbanë vulën Tuaj, qytetarë të Kosovës, ka hapur shtegun e mirëkuptimit dhe të marrëveshjeve, ka krijuar mundësinë e qëndrueshmërisë në rajon dhe ndërtimit të marrëdhënieve të reja ndërmjet njerëzve, qytetarëve të shteteve të barabarta. Pavarësia e Kosovës është garantuese e paqes, e stabilitetit dhe e sigurisë për të gjithë rajonin e Evropës Juglindore.  Sot, dua në veçanti të shpreh mirënjohjen time për Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, këtyre dy institucioneve më të besueshme për qytetarët e Kosovës dhe institucioneve që dëshmojnë sa i palëkundshëm është sovraniteti ynë, po aq sa edhe vizioni ynë për integrim në NATO. Suksesi i reformimit dhe profesionalizimit tuaj të mëtutjeshëm është i garantuar falë guximit, kurajës, durimit dhe zotimit për ta përmbushur misionin tuaj për një Kosovë paqësore dhe demokratike, për një shoqëri që ka për synim parësor investimin në sigurinë e çdo qytetari të saj dhe ku secili qytetar bashkëpunon me institucione me besimin se ato ekzistojnë për t’i mbrojtur ata.Jam e bindur se përkushtimi ynë për t’i ruajtur vlerat e idealet mbi të cilat u betuam dhe për të përforcuar dhe avancuar bashkëpunimin me aleatët tanë strategjikë, kurrë nuk do të vihet në dyshim.Të nderuar bashkëqytetarë, Ne kemi ende pune për të bërë në realizimin e ëndrrës së atyre që vendosën themelet e shtetit, duke treguar, sot, vendosmërinë për ta krijuar shtetin e së drejtës, të bazuar mbi rend dhe ligj që shtrihet në secilën pjesë të vendit, duke respektuar lirinë e secilit. Një vendosmëri për ta ndërtuar shtetin që garanton përparimin, mirëqenien dhe sigurinë për të gjithë dhe përfshirjen e të gjithëve.Në duar tona – qytetarë të Republikës së Kosovës – qëndron vetë suksesi i shtetit tonë. Në duart e të gjithë neve, njerëz të barabartë të këtij shteti, qëndron fuqia për ta bërë këtë vend një shembull të demokracisë së zhvilluar, ku gjithëpërfshirja nënkupton edhe obligim dhe përgjegjësi dhe gjithsesi mirëkuptim nga të gjithë.Dhe prandaj, Ne duhet të dëshmojmë se kemi guximin dhe forcën për ta mundur secilën dukuri negative në shoqëri, që do të garantojë rrugën e integrimeve në BE, një aspiratë të qytetarëve tanë, që i bashkon të gjithë njerëzit e Kosovës, pa dallim. Ne nuk mund ta humbim shansin për ta bërë Kosovën një vend të pastër dhe pa korrupsion, një vend pa krim të organizuar dhe një vend ku gjeneratat e ardhshme mund të realizojnë vullnetin dhe ëndrrën e tyre, pa na gjykuar për mosguximin që të përballemi me sfidat e tashme.Jemi në një periudhë të rëndësishme për vendin – kur reformat e thella, në çdo fushë, do të dëshmojnë qëndrueshmërinë e shoqërisë sonë dhe këmbëngulësinë për ta përmbyllur periudhën e tranzicioneve. Reforma që janë sa të rënda dhe të dhembshme, por të domosdoshme për t’i dhënë fuqinë shtetit dhe gjithë shoqërisë. Reforma që do të mundësojnë lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës kudo në Evropë, që do të mundësojnë një zhvillim më të hovshëm ekonomik dhe posaçërisht që do të krijojnë një mjedis të sigurt për investime. Gjithsesi reforma që ndryshojnë perceptimin në botë për shtetin tonë – që mundësojnë ngritjen e një kulture demokratike në shoqërinë tonë. Jemi në një periudhë kur duhet të dëshmojmë gatishmërinë tonë për ta zhvilluar ekonomikisht vendin, ku të rinjtë tanë do të kenë mundësinë të tregojnë vlerat e tyre, duke shprehur dashurinë për shtetin, pa pasur nevojë për të kërkuar një jetë më të mirë diku tjetër.Synimet e përcaktuara qartë për shtetin tonë, nuk mund të mbesin të papërmbushura. Sepse ne do të vlerësohemi për vlerat që po ndërtojmë. Do të vlerësohemi për idealet që po provojmë të krijojmë – të shtetit të së drejtës, të një shteti të lirë dhe të përparuar dhe në veçanti do të vlerësohet për luftën tonë në mbrojtje të këtyre idealeve.  Të nderuar qytetarë të Kosovës,Çdo fillim është i vështirë dhe ky i yni nuk ishte ndryshe. Por, siç kishte shkruar kongresisti amerikan Daniel Webster në kujtim të shpalljes së pavarësisë së Amerikës: “Do ta bëjmë këtë ditë të madhërishme, të pavdekshme. Kur ne të jemi në varr, fëmijët tanë do ta nderojnë këtë ditë. Do ta kremtojnë me falënderim, me festë, së bashku, me fishek-zjarre. Dhe çdo vit – në këtë ditë – do të derdhin lot, shumë lot – jo të nënshtrimit e skllavërisë – jo lot të vuajtjes dhe shqetësimit – por lot mirënjohje, emocioni, gëzimi”.Kosovë gëzuar! Zoti e bekoftë Kosovën dhe miqtë tanë!

This site is registered on wpml.org as a development site.