Të nderuar të pranishëm,
E nderuara ministre Haxhiu,
Të nderuar ambasadorë,
Deputetë,
Përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare,
Përfaqësues të shoqërisë civile,
Të nderuar media,
Shumë të nderuara znj. Vasfije, znj. Shyhrete,
Të gjitha ato zonja të cilat sot fizikisht nuk janë me ne, po që na përcjellin, i përgëzoj për guximin dhe i uroj që sot më në fund kjo ditë është institucionalizuar.
Të nderuar kolegë nga Presidenca, po ashtu,
Më lejoni që në fillim të përcjell urimet e përzemërta të Presidentes Osmani e cila fatkeqësisht sot fizikisht nuk është me, sepse gjendet në një vizitë në Kalabri.
Te dashur te pranishëm,
Dhunimi i më shumë se 20 mijë personave në Kosovë, dhunimi sistematik i grave në Bosnje e Hercegovinë, sikurse edhe dhunimet masive që sot po ndodhin në Ukrainë dëshmojnë se njerëzimi vazhdon të përballet me dhunën seksuale, një ndër krimet më çnjerëzore të shndërruar në armë lufte kundër civilëve, gra e burra, shpesh edhe fëmijë.
Këto krime që po vazhdojnë të ndodhin edhe në këtë shekull, shtrojnë domosdoshmërinë që të angazhohemi fillimisht t’i njohim viktimat si të tilla, t’i çmojmë për kurajën e t’i mbështesim të gjitha ato dhe ata për fuqinë e tyre, sepse njohja dhe drejtësia janë parakushte të paqes.
Të mbijetuarat e të mbijetuarit e dhunës duhet të jenë në qendër të procesit të shërimit të shoqërisë sonë.
Duke kujtuar viktimat, duke njohur e përkrahur të mbijetuarit dhe duke mbajtur përgjegjës kriminelët, sigurohemi që e kaluara të mos përsëritet dhe e ardhmja të jetë më e sigurt për secilin nga ne.
Miratimi i propozimit të Presidentes Osmani për ta shpallë 14 prillin- Ditë të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, dëshmon angazhimin dhe vullnetin e saj të vazhdueshëm për të qenë afër të mbijetuarve, në mënyrë që zërat e tyre të dëgjohen, historitë e tyre të njihen dhe drejtësia për ta të vendoset.
Le të jetë kjo ditë në shërbim të kujtesës sonë kolektive, le t`i dëgjojmë rrëfimet e tyre të zhveshur nga stigma, ngase ata dhe ato dëshmuan se pavarësisht përpjekjeve çnjerëzore kundrejt tyre, nuk arriti askush t`i thyejë.
Të mbijetuarit e dhunës janë kujtesa jonë kolektive, janë dëshmi e kohës, janë e vërteta jonë të cilën e mbrojmë sot dhe do ta mbrojmë kurdo e kudo!
Sot Vasfija, Shyhretja, por edhe të gjithë ata burra e gra, janë zëri ynë. Siç e ka thënë Presidentja Osmani, në propozimin e saj për caktimin e kësaj dite, shënimi i 14 prillit do të jetë vulosje e përhershme e një kapitulli të dhimbshëm e tragjik të historisë sonë, do të jetë bashkim i zërave tonë për të dënuar dhunën seksuale si armë të luftës në Kosovë dhe kudo në botë.
Faleminderit!