I nderuar z. Vrajolli,
Të nderuar panelistë,
Të nderuar shkëlqësi ambasadorë,
Të nderuar të pranishëm,
Ekspertë të fushë së sigurisë,
Zonja dhe zotërinj,
Edhe mua më vjen keq që po fillojmë me vonesë, për fat të keq nganjëherë janë rrethana jashtë duarve tona, por megjithatë besoj që do të keni diskutime të frytshme përgjatë shënimit të këtij 15 vjetori.
Kam kënaqësinë e veçantë që të jem sot në mesin tuaj për të shënuar 15 vjetorin e fillimit të punës suaj kërkimore në fushën e politikave të sigurisë. Zhvillimi i sektorit të sigurisë dhe institucioneve të sundimit të ligjit të Republikës sonë, dhe më e rëndësishmja, bashkëpunimi ynë me qëllimin e përbashkët paqen dhe sigurinë afatgjate në rajon është diçka për të cilën QKSS ka dhënë dhe vazhdon të japë kontribut shumë të rëndësishëm.
Ju përgëzoj po ashtu për faktin se në këtë jubile keni vendosur që ta kremtoni me një konferencë edhe të karakterit rajonal, e cila dëshmon përkushtimin tuaj të fuqishëm për zhvillimin dhe reformën e sektorit të sigurisë jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi.
Hulumtimet tuaja profesionale me qasje proaktive e me metodologji bashkëkohore kanë rezultuar me indikatorë shumë kredibil të cilat kanë kontribuar në forcimin e parimit të qeverisjes së mirë, integritetit profesional dhe qëndrueshmërisë së institucioneve të sigurisë në vendin tonë.
Puna me ekspertizën tuaj në fushën e studimeve të sigurisë ka komplementuar edhe punën e institucioneve tjera, përfshirë edhe institucionet akademike në fushën e sigurisë në vend, si dhe ka ndihmuar që shoqëria civile të shihet si promotor i komunikimit, i llogaridhënies dhe ndryshimit pozitiv në demokracinë tonë. Si rezultat i kësaj, ju po vazhdoni të luani rol vendimtar në ndërtimin dhe konsolidimin e demokracisë funksionale të Kosovës.
Raportet, analizat dhe përmbledhjet lidhur me politikat e sigurisë duke përfshirë edhe rolin e grave, por edhe komuniteteve jo shumicë në hartimin dhe zbatimin e këtyre politikave, kanë ndikuar që të rritet akoma më shumë niveli i përgjegjshmërisë dhe i performancës së institucioneve tona dhe i atyre në rajon.
Prandaj, ju falënderoj për këtë punë, për profesionalizmin tuaj dhe uroj që të vazhdoni tutje punën tuaj në këtë frymë e më këtë zell!
Të nderuar të pranishëm,
Mjedisi i sigurisë në vendin tonë pashmangshëm ndikohet nga mjedisi global i sigurisë në përgjithësi dhe ai rajonal në veçanti. Paqja reale dhe e qëndrueshme kërkon partnerë të përkushtuar dhe qëllime të përbashkëta. Kosova është dhe do të mbetet partnere e të gjithë atyre që i ofrojnë shoqërisë zgjidhje që garantojnë paqen dhe sigurinë në vendin tonë, në rajon dhe në mbarë botën.
Sot jemi dëshmitarë që mjedisi global dhe rajonal vazhdon të mbetet i pasigurt dhe jashtëzakonisht kompleks. Jemi poashtu dëshmitarë të çdoditshëm të aspiratave për pushtime territoriale nga ana e vendeve hegjemoniste. Agresioni ushtarak rus në Ukrainë ka rritur rrezikun që edhe vende të tjera me aspirata të njëjta si Rusia të ndërmarrin veprime territoriale ndaj vendeve të pavarura e sovrane. Lufta e padrejtë dhe e paligjshme e Rusisë kundër Ukrainës duhet të shërbejë si ilustrim për të gjithë se vakuumi gjithnjë keqpërdoret nga shtetet që kanë qëllime malinje, si Rusia, të cilat shfrytëzojë situatën e krijuar në dëm të të gjithëve.
E krahas kësaj sfide jashtëzakonisht serioze, ne sot po jetojmë në një botë po kaq komplekse dhe të pasigurt me kërcënime dhe rreziqe të shumta që sa vijnë e shtohen.
Duke vlerësuar këtë realitet, si Presidente e Republikës, në cilësi të Komandantes Supreme të Forcës së Sigurisë e poashtu në cilësinë e Kryesueses së Këshillit të Sigurisë por vetëm në gjendje të jashtëzakonshme, së bashku me institucionet dhe autoritetet e tjera politikëbërëse dhe vendimmarrëse të vendit, në veçanti ato që merren me sektorin e sigurisë, kemi hartuar fillimisht dhe pastaj edhe miratuar Strategjinë e Sigurisë, ku vendi ynë ka përcaktuar politikat e sigurisë dhe interesat shtetërore të Republikës së Kosovës në funksion të sigurisë së përgjithshme, në funksion të mbrojtjes së integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror, si dhe të jetës dhe pronës së qytetarëve të vendit pa dallim.
Ky angazhim i yni i përbashkët shpërfaq konsolidimin e vazhdueshëm të arkitekturës së Sigurisë së Republikës sonë. Si demokracia më e re në Evropë, jemi shumë të vetëdijshëm se kemi shumë punë përpara nesh dhe se puna në këtë drejtim është në fakt në progres e sipër. Kjo punë mbështetet jo vetëm në institucionet tona, por edhe në shoqërinë tonë civile.
Jemi kujdesur maksimalisht që koncepti ynë i sigurisë dhe i mbrojtjes së vendit të jetë i bazuar plotësisht në konceptin e bashkëpunimit me aleatët tanë strategjik dhe ndërtimin e aftësive dhe kapaciteteve tona shtetërore ku, ndër të tjera, jo vetëm burrat por edhe gratë dhe vajzat, e të gjithë qytetarët tanë pa dallim të jenë pjesë e çdo institucioni, çdo veprimi dhe çdo vendimi.
Kjo nënkupton edhe mbulimin e plotë të gamës së çështjeve, nisur nga lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtja e kufijve, mbrojtja e sistemeve dhe infrastrukturës vitale nga armiqtë, e deri tek luftimi i dhunës dhe garantimi i barazisë gjinore në shoqërinë tonë.
Kërcënimet dhe rreziqet jokonvencionale si ato të luftës hibride dhe asimetrike, pashmangshëm kërkojnë reagim dhe mbrojtje kolektive, prandaj edhe vendi ynë dhe i gjithë spektri i institucioneve që përbëjnë arkitekturën e sigurisë dhe mbrojtjes së vendit, janë në bashkëpunim dhe në koordinim të plotë me strukturat homologe të vendeve tona aleate.
Fokusi ynë është qëllimi i bashkëpunimit bilateral dhe multilateral, zgjerimi i spektrit të partneriteteve të reja dhe integrimi sa më i shpejtë në strukturat evropiane dhe euroatlantike, respektivisht anëtarësimi në BE dhe në NATO. Besojmë se ky bashkëpunim përveç në nivele bilaterale, së shpejti do të kurorëzohet edhe me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Kartën e Adriatikut dhe poashtu edhe në Partneritetin për Paqe si parakusht për anëtarësim në NATO.
Ndërtimi, zhvillimi dhe forcimi i institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit përgjatë 15 viteve të pavarësisë, me përkrahjen e madhe të partnerëve tanë, ka ndikuar që gradualisht të shndërrohemi në eksportues të sigurisë, dhe promovues e mbrojtës të denjë të vlerave euroatlantike të paqes, lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
Pjesëmarrja e Republikës së Kosovës, me statusin e vendit pritës në mesin e 25 vendeve në stërvitjen e përbashkët shumëkombëshe të drejtuar nga Komanda Evropiane e SHBA-ve, “DEFENDER’23”, në muajin e ardhshëm do të rikonfirmoj gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë e rreth 1400 trupave të FSK-së përkrah 7800 trupave ushtarake amerikane dhe 14,000 trupave shumëkombëshe të vendeve aleate dhe partnere nga SHBA-të dhe shtete tjera anëtare të NATO-s.
Ky sukses historik konfirmon më së miri edhe besimin e fuqishëm që ka arritur të ketë, partneri ynë strategjik, SHBA në Republikën e Kosovës dhe në ushtrinë tonë.
Përgjatë këtyre viteve, FSK-në e kemi ndërtuar dhe zhvilluar me mbështetjen e partnerëve tanë, me aftësi dhe kapacitete operacionale profesionale, sipas standardeve të NATO-s, si forcë e ndërveprueshme për realizimin efektiv edhe të operacioneve shumëkombëshe të përbashkëta ushtarake, në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal e atij global.
Njëkohësisht, konsolidimi dhe forcimi i institucioneve demokratike të shtetit të së drejtës dhe sundimi i ligjit janë faktorë shumë me rëndësi në fuqizimin e sistemit të integruar të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit dhe procesit të integrimit euroatlantik, përkundër sfidave që na shkaktohen nga qasja destruktive e fqinjit verior Serbisë, që ka për qëllim minimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në vendin tonë.
Serbia, si satelit i Rusisë ne Ballkanin Perëndimor, vazhdon të mbetet kërcënimi më serioz dhe kryesor ndaj sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës. Republika e Serbisë vazhdon të përdorë në mënyrë të sinkronizuar të gjitha elementet e saja përmes metodave hibride kundër Republikës së Kosovës. Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, ajo vepron kundër shtetësisë dhe integrimit të Republikës së Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Kurse, përbrenda në territorin e Republikës së Kosovës, ajo instrumentalizon strukturat kriminale në veri duke i paguar dhe shtytur ato për të kryer krime dhe njëkohësisht pengon integrimin e plotë të qytetarëve serbë në Republikën e Kosovës, përmes presionit, frikës, shantazhit si dhe nëpërmjet dhunës. Në të njëjtën kohë, Serbia vazhdon të paraqesë rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e gjithë rajonit, duke shtuar edhe kapacitetet ushtarake, si në pozicionimin e tyre përgjatë kufirit me Kosovën, poashtu edhe në raport me shtetet e tjera në rajon.
Në këtë kontekst, deri sa të kemi këtë qasje dhe këto pretendime të hapura të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës dhe jo vetëm, prania e NATO-s në Kosovë dhe në rajon është faktori kyç në ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë rajonale. Metodat e luftës hibride të modelit rus, po zbatohen vazhdimisht nga Serbia, me qëllim të ngritjes së tensioneve në veri të vendit tonë. Tendenca të ngjashme të destabilizimit janë shfaqur tashmë edhe në vende tjera të rajonit tonë, përfshirë Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën. Por, fatmirësisht, deri më tani, përkundër këtyre tendencave, vendet tona kanë treguar qëndrueshmëri falë orientimit të qartë euroatlantik dhe partneritetit të ngushtë me SHBA, me vendet e Bashkimit Evropian, me vendet tjera anëtare të NATO-s si dhe bashkëpunimit të rregullt e të mirë të koordinuar të bazuar mbi vlera dhe objektiva të përbashkëta.
Të nderuar të pranishëm,
Krahas ngritjes së profesionalizmit, modernizimit dhe standardizimit të aftësive dhe kapaciteteve profesionale dhe funksionale të institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes, po punojmë në vazhdimësi për promovimin e vlerave, vlerave të barazisë, të gjithpërfshirjes, të mosdiskriminimit, duke vlerësuar lart rolin shumë të rëndësishëm të grave dhe atyre që janë më pak të përfaqësuar në institucione të të gjitha niveleve, si dhe në funksion të kultivimit dhe avancimit të paqes dhe sigurisë. Në funksion të kësaj, ashtu sikurse edhe vitin që shkoi, sivjet në muajin tetor, Kosova sërish do të jetë nikoqire e Forumit të Dytë Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe ne presim që shumë prej jush këtu do të na bashkoheni në këtë ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme. Me këtë rast, dua të falënderoj QKSS-në për partneritetin e vazhdueshëm në këtë drejtim.
Faleminderit shumë edhe një herë për vëmendjen tuaj. Ju uroj shumë suksese në punimet e konferencës dhe pritshi edhe shumë përvjetorë e jubile me suksese pafund!
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR