presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e ushtruesit të detyrës së presidentit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqit, mbajtur para Forumit Ndërkombëtar të Biznesit

Kam nderin dhe kënaqësinë t’i drejtohem me këtë fjalë rasti Forumit Ndërkombëtar të Biznesit, që po mbahet këtu në Prishtinë. Ky është një rast i veçantë që të zhvillohen kontakte e ide dhe të hulumtohen mundësitë e bashkëpunimit midis komuniteteve të biznesit. Rëndësia e këtij takimi është edhe më e madhe kur merren parasysh zhvillimet e shpejta aktuale transformuese në Republikën e Kosovës.

Prishtinë, 6 tetor 2010

Të nderuar ambasadorë,

Të nderuar drejtues të bizneseve nga Kosova, Bullgaria dhe vende të tjera,

I nderuari ministër Rexhepi,

Zonja dhe zotërinj,

Kam nderin dhe kënaqësinë t’i drejtohem me këtë fjalë rasti Forumit Ndërkombëtar të Biznesit, që po mbahet këtu në Prishtinë. Ky është një rast i veçantë që të zhvillohen kontakte e ide dhe të hulumtohen mundësitë e bashkëpunimit midis komuniteteve të biznesit. Rëndësia e këtij takimi është edhe më e madhe kur merren parasysh zhvillimet e shpejta aktuale transformuese në Republikën e Kosovës.

Kosova ka potenciale të mëdha zhvillimi, duke përfshirë këtu resurse të pashfrytëzuara natyrore, ndërmarrjet në rritje dhe një fuqi punëtore të re dhe shumë dinamike. Unë besoj se ky takim paraqet një rast jetik për të fuqizuar bashkëpunimin e bizneseve tona, e veçanërisht për të bashkërenduar përparësitë në zhvillimin e iniciativave të suksesshme biznesore.

Dëshiroj gjithashtu të shpreh gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të ofruar ndihmë në thellimin e bashkëpunimit në mes të komunitetit të biznesit në Kosovë dhe në vendet tjera. Qeveria e Kosovës po e mbështet zhvillimin e sektorit privat, si kusht i zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, i rritjes së punësimit dhe i qëndrueshmërisë ekonomike. Në Kosovë, krahas procesit të privatizimit, investimet kapitale kanë shënuar ngritje të vazhdueshme. Zhvillimi ekonomik ka shënuar rritje, kurse bizneset kosovare po bëhen gjithnjë më konkurrente në rajon.

Pas fazës së konsolidimit të ekonomisë sonë të shkatërruar para dhe gjatë Luftës, pavarësia e Kosovës ka krijuar kushte të favorshme për investime të kapitalit të huaj. Të vetëdijshëm për rëndësinë që kanë për investimet, faktorë si siguria, stabiliteti politik, infrastruktura adekuate ligjore e fizike, telekomunikimet dhe lehtësitë doganore e tatimore etj., po ndërmarrim të gjitha masat që të krijojmë kushte për tërheqjen e investitorëve të shumtë dhe të ndryshëm. Kosova është vend stabil dhe i sigurt. Duke përmirësuar infrastrukturën fizike e ligjore, duke siguruar një mjedis të qëndrueshëm biznesi, stabilitet politik dhe siguri, por edhe duke pasur parasysh pasuritë e mëdha dhe potencialin rinor e fuqinë e lirë punëtore, ne presim intensifikim të vazhdueshëm të investimeve të huaja.

Në këto vitet e fundit është krijuar një ambient i volitshëm për investime. Janë bërë reforma të politikave fiskale që kanë rezultuar me ulje të ndjeshme të taksave dhe tatimeve. Kosova ka taksat dhe tatimet nga më të ulëtat në rajon. Po ashtu, janë bërë përpjekje për t’i lehtësuar procedurat administrative e juridike që kanë të bëjnë me veprimtaritë biznesore. Për më shumë, ne si institucione, mbetemi thellësisht të përkushtuara në sigurimin dhe përmirësimin e mëtejmë të ambientit ekonomik.

Më lejoni të përfundoj duke theksuar se bashkëpunimi ndërshtetëror i Republikës së Kosovës me vendet mike në rajon e në botë, e ka lehtësuar edhe bashkëpunimin midis komuniteteve tona të biznesit. Në rrugën e saj drejt integrimit evropian, Kosova do të krijojë kushte dhe hapësira të reja të këtij bashkëpunimi jetik për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie të përgjithshme.

Uroj që ky Forum të ketë zhvillime të mbara e të suksesshme, duke krijuar mundësi të reja bashkëpunimi e investimi.

Ju faleminderit.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.