DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Ushtruesit të Detyrës së Presidentit, dr. Jakup Krasniqi në pritjen e organizuar me rastin e 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi mbajti sot një fjalim në pritjen e organizuar nën patronatin e tij, me rastin e 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës.

Në vijim po e japim fjalimin e plotë të z.Krasniqi: I nderuar kryeministër, zoti Hashim Thaçi, Të nderuar përfaqësues diplomatikë,Zonja dhe zotërinj,Nesër, më 17 shkurt, Kosova e veshur me petkun festiv, shënon trevjetorin e pavarësisë së saj.Viti 2008  i realizoi Kosovës  aspiratën, për të cilën breza të tërë luftëtarësh e veprimtarësh u përpoqën me sakrifica e mundime të gjata. Në këtë përvjetor, ne përulemi me respektin e përjetshëm, para të gjithë atyre burrave e grave të Kosovës, që bënë sakrificën sublime për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e atdheut të tyre të shtrenjtë. Më 17 shkurt, e në çdo 17 shkurt, ne përkulemi para Komandantit Legjendar – Adem Jashari dhe jasharëve të lavdishëm, për flijimin e tyre biblik, për frymën e lirisë e të paqes që sollën në Kosovën tonë.Më 17 shkurt, ne kujtojmë me mirënjohje të thellë të gjithë miqtë tanë, që i kontribuuan lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit demokratik të Kosovës. Gjatë këtyre tri viteve të pavarësisë, Kosova ndërtoi sistemin demokratik, institucionet e shtetësisë, ngriti një infrastrukturë të tërë ligjore e fizike, shënoi një zhvillim solid ekonomik e shoqëror, thelloi reformat e gjithanshme dhe sanksionoi me kushtetutë barazinë e qytetarëve të saj, si pjesëtarë të një shoqërie të lirë dhe demokratike.  Sipas rezultateve të certifikuara të zgjedhjeve të përgjithshme të 12 dhjetorit 2010, shumë shpejt do të ndërtojmë institucionet përfaqësuese e ekzekutive të Kosovës për të vazhduar betejën e madhe drejt zhvillimit ekonomik dhe sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë dhe forcimit të stabilitetit politik e të sigurisë, reformave të gjithanshme demokratike dhe njohjes ndërkombëtare, anëtarësimit në OKB dhe organizatat tjera botërore, si dhe drejt liberalizimit të vizave e të integrimeve euroatlantike. Kosova e pavarur e demokratike, do të jetojë e të zhvillohet pandalshëm dhe do të përballet suksesshëm me sfidat e rritjes e të përparimit.Ju faleminderit. 

This site is registered on wpml.org as a development site.