Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi ka marrë pjesë dhe ka mbajtur një fjalë rasti në manifestimin me rastin e Ditës së Drejtësisë në Kosovë.
Në vijim keni fjalën e z. Krasniqi në këtë manifestim:
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,
Shprehë kënaqësinë të jem prezent në këtë manifestim të Ditës së Drejtësisë në Kosovë. Përkrah 10 dhjetorit, ditës së shpalljes më 1948 të Deklaratës Universale të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Kosova për të tretën herë, po e shënon edhe 16 Janarin, si Ditë të Drejtësisë, që lidhet me betimin e parë të gjyqtarëve dhe të prokurorëve tanë, në Kosovën e pavarur.
Mbi gërmadhat e një sistemi dhe infrastrukture të drejtësisë së rrënuar para dhe gjatë Luftës në Kosovë, në këto vite të lirisë po ngremë sistemin e ri dhe modern, të bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve dhe të pavarësisë së gjyqësisë, të garantuar me kushtetutë dhe ligj. Në Kosovë tashmë është vendosur rend kushtetues që bazohet në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. E drejta kushtetuese në Kosovë ngërthen parimet dhe vlerat moderne të demokracisë së avancuar. Në Kosovë, me Kushtetutën e saj, askush nuk është mbi ligjin dhe të gjithë janë të barabartë para ligjit.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës e sanksionon pushtetin gjyqësor, unik, të pavarur, të drejtë, të paanshëm dhe apolitik, që siguron qasje të barabartë në gjykata.
Jemi në rrugë të mirë për të krijuar gjyqësorin e pavarur, të paanshëm, efektiv dhe profesional, në mbrojtje të ligjshmërisë dhe të Kushtetutës së vendit, si garant i sundimit të ligjit.
Duke u përcaktuar për vlera demokratike në drejtësi, Kosova po i vë ato në praktikën e saj hap pas hapi. Kosova po i bashkon vlerat e saj me popujt e përparuar dhe demokratikë, tashti në kushte të reja të lirisë dhe barazisë.
Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka miratuar qindra ligje të reja, duke plotësuar dukshëm edhe kornizën ligjore të drejtësisë dhe duke aplikuar standarde moderne ligjore, kompatibile me aki komuniter, për të drejtat e njeriut.
Drejtësia jonë ndodhet aktualisht para sfidës së reformave rrënjësore, në harmoni me legjislacionin e miratuar së voni për këtë fushë të rëndësishme të shtetit tonë. Këto reforma, që kanë të bëjnë me gjithë sistemin, duke përfshirë edhe rindërtimin e infrastrukturës institucionale, riorganizimin e organeve zbatuese dhe të funksioneve mbrojtëse, do ta bëjnë atë më efiqente dhe më të besueshme për qytetarët.
Duke qenë shtet demokratik, Kosova presupozohet si shtet i së drejtës, dhe vetëm si shtet i sundimit të ligjit dhe i respektimit të Kushtetutës, mund të quhet demokratik.
Me Kushtetutën dhe kornizën e saj ligjore, Kosova respekton të gjitha instrumentet relevante ndërkombëtare të të Drejtave dhe Lirive themelore të Njeriut dhe u njeh komuniteteve pakicë, përveç të drejtave të garantuara me konventa ndërkombëtare, edhe të drejta shtesë, duke e bërë atë shembull të mirë ndërkombëtar të praktikave më të avancuara të të drejtave të minoriteteve.
Kosovës më shumë se kurrë i duhet një drejtësi kredibile, e pastër moralisht, profesionale dhe efektive. Ajo duhet të përbëjë hallkën kryesore të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të çdo natyre. Këtë luftë ajo duhet ta nisë që nga radhët e veta, për t’i mbrojtur organet e drejtësisë nga dukuri korruptive e kriminale.
Para sa kohësh kam emëruar qindra gjykatës e prokurorë të rinj, duke shtuar kështu potencialin tepër të mangët të drejtësisë sonë, por mbetet akoma shumë punë për të arritur numrin e mjaftueshëm të tyre dhe sidomos për ngritjen profesionale e sigurimin e kushteve adekuate të punës dhe shpërblimin meritor.
Rasti është që në këtë ditë të shënuar t’i falënderoj të gjithë mbështetësit ndërkombëtarë të drejtësisë së Kosovës, si USAID, UNDP, EULEX etj., por edhe organizatorët e kësaj ngjarjeje.
Ju faleminderit