DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALA E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, DR. FATMIR SEJDIU, NË PARLAMENTIN E MALAWIT

Ndihem jashtëzakonisht i privilegjuar që m’u dha mundësia t’ju drejtohem Ju dhe anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të vendit tuaj dhe t’ju falënderoj për përkrahjen e rëndësishme që i keni dhënë dhe po i jepni vendit tim, Republikës së Kosovës. Kam kënaqësinë që me ftesën e Presidentit të nderuar Dr. Bingu wa Mutharika, po qëndroj në vizitë shtetërore në vendin tuaj që me të drejtë quhet Zemra e Ngrohtë e Afrikës.

Lilongwe, 18 qershor 2010 Shkëlqesia Juaj, Dr. Bingu wa Mutharika, President i Malawit,I nderuar kryesues i Asamblesë Nacionale të Malawit,Të nderuar asambleistë,Të nderuar përfaqësues të Qeverisë së Malawit dhe përfaqësues të Korit Diplomatik të akredituar në Lilongwe,Të nderuar pjesëmarrës: Ndihem jashtëzakonisht i privilegjuar që m’u dha mundësia t’ju drejtohem Ju dhe anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të vendit tuaj dhe t’ju falënderoj për përkrahjen e rëndësishme që i keni dhënë dhe po i jepni vendit tim, Republikës së Kosovës. Kam kënaqësinë që me ftesën e Presidentit të nderuar Dr. Bingu wa Mutharika, po qëndroj në vizitë shtetërore në vendin tuaj që me të drejtë quhet Zemra e Ngrohtë e Afrikës.  Në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, dua t’ju shpreh falënderimin dhe mirënjohjen e veçantë për vendimin që morët më 18 dhjetor 2009 për ta njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës . Malawi ishte vendi i 64-të që e ka njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe ky fakt është tepër domethënës dhe na bënë të jemi prore falënderues për vendimin tuaj. Duke e njohur pavarësinë e vendit tonë, Ju keni dalë hapur në mbrojtje të drejtës së popullit të Kosovës për të jetuar i lirë dhe njëherësh keni mbrojtur liritë njerëzore, Ju keni dalë hapur në anën e së drejtës së patjetërsueshme të popujve për të vendosur vetë për fatin e tyre dhe për të ardhmen e brezave që do të vijnë.Prandaj, unë ju falënderoj të gjithëve, të dashur përfaqësues të popullit të Malawit, e në mënyrë të veçantë Presidentin Dr. Bingu wa Mutharika, i cili, ashtu siç më kishte premtuar në një takim tonin në Kombet e Bashkuara në shtator 2009, shpalli njohjen e vendit tim. Kjo njohje është posaçërisht e rëndësishme për ne edhe për faktin se ishte e para pas shqyrtimit gojor të nisur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për mendim këshillëdhënës lidhur me pavarësinë e Kosovës. Besojmë që shpejt do të kemi edhe mendimin e kësaj gjykate pro aktit të ligjshëm të popullit të Kosovës, i cili  do të  nxisë edhe vendet që kanë hezituar deri tani të marrin vendimin e duhur për njohjen e pavarësisë së vendit tim. Ne e kemi thënë shumë herë se argumentet pro pavarësisë së Kosovës janë të parrëzueshme, sepse Kosova është shpallur e pavarur me vullnetin politik të popullit të shprehur nga përfaqësuesit e tij më 17 shkurt 2008. Dua të theksoj edhe një herë se Kosova ka qenë njëra nga tetë njësitë e barabarta të ish-federatës jugosllave, e cila është shpërbërë pas luftërave shumë të përgjakshme e shumë tragjike, të cilat i shkaktoi Serbia me agresionin e saj, së pari në Slloveni, e pastaj edhe në Kroaci, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë.Para pak ditësh, Tribunali i Hagës e cilësoi krimin e bërë nga forcat serbe në Srebrenicë si gjenocid duke dhënë dënime kapitale për krimet e bëra ndaj popullsisë civile. Unë vetëm po jua rikujtoj se ishte e njëjta armatë, ishin të njëjtat njësi militare e paramilitare ato që e përgjakën Kosovën më 1998 dhe 1999, duke lënë pas vetes mbi 12.000 viktima civile, shumë prej të cilëve pleq, gra dhe fëmijë. Me historinë e saj, me përjetimet e rënda dhe me përpjekjet e gjata për liri, demokraci e pavarësi, Kosova është rast tërësisht sui-generis, ashtu sikundër është cilësuar edhe nga ish-Presidenti i Finlandës, nobelisti i Paqes Marti Ahtisari, i cili ishte i deleguar i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në procesin ndërkombëtar të caktimit të statusit final të Kosovës. Prandaj, asnjë përpjekje për të bërë krahasim në mes të Kosovës dhe ndonjë vendi tjetër kudo në botë nuk është i qëndrueshëm dhe arsyeshëm. Kosova ka qenë një vend i pushtuar me dhunë dhe që ka fituar lirinë e vet pas një rezistence shumë të gjatë paqësore dhe me luftë dhe falë ndihmës kruciale ndërkombëtare të botës demokratike, e cila ndërhyri në Kosovë për ta shpëtuar popullin e saj nga zhbërja fizike. Republika e Kosovës po dëshmohet fuqishëm si një faktor i paqes dhe i stabilitetit në rajon, duke kontribuar drejtpërdrejt për nxitjen dhe thellimin e bashkëpunimit në mes vendeve të rajonit. Në këtë kontekst, unë kam kënaqësinë t’ju informoj se vendi im ka marrëdhënie të shkëlqyeshme me fqinjët e parë, me Republikën e Shqipërisë, me Malin e Zi dhe me Maqedoninë, si dhe me vendet e tjera të rajonit, siç janë Kroacia, Sllovenia, Turqia dhe Bullgaria. Këto raporte po zhvillohen çdo ditë e më shumë në fushën e ekonomisë e relacioneve tregtare si dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve. E ardhmja e gjithë rajonit është në Bashkimin Evropian, dhe Kosova është e gatshme të bashkëpunojë ngushtë me partnerët e saj rajonal për ta realizuar këtë synim.Në vitin e tretë të pavarësisë së saj, Republika e Kosovës ka vizion të qartë për të ardhmen e saj. Populli dhe institucionet e vendit tim synim parësor e kanë integrimin sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Ju siguroj që të gjithë qytetarët e Kosovës janë shërbyes të devotshëm të jetësimit të kësaj ëndrre të kahmotshme, e cila tashmë po shfaqet qartë në horizont.Ne kemi jetuar gjatë nën robërimin brutal, kemi përjetuar dhunë të paparë, me mijëra viktima civile, me qytete të djegura dhe fshatra të rrënuara tërësisht nga forcat e pushtuesit. Megjithatë, kemi gjetur forcë që të falim dhe t’ia shtrijmë dorën e miqësisë Serbisë, me qëllim të ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë për popujt tanë.Serbia ka dashur që ta zhdukë nga faqja e dheut popullin e Kosovës dhe ne këtë s’do ta harrojmë kurrë. Porse, ne jemi të përkushtuar që kjo pjesë tragjike e historisë sonë të mbetet vetëm pjesë e kujtesës, me qëllim që të ecim drejt prosperitetit dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të vendit, të rajonit dhe të botës mbarë. Kosova është shtet i pavarur e demokratik i të gjithë qytetarëve të saj të barabartë para ligjit. Komunitetet pakicë që përbëjnë më pak se 10% kanë të drejta të barabarta me shumicën e cila përbënë mbi 90% të popullsisë. Kosova është shtet shumetnik, me një diversitet të veçantë gjuhësh, besimesh e kulturash etnike e shpirtërore. Këtë diversitet ne e çmojmë si pasurinë më të madhe të vendit tonë, ndaj duam ta ruajmë me xhelozi, ashtu siç do ta ruajmë tolerancën, dashurinë dhe mirëkuptimin për njëri-tjetrin, një veçori kjo që na ka dalluar ndër shekuj. Duke përmbyllur, këtë fjalim, unë ju bëj thirrje sërish që të vazhdoni përkrahjen tuaj për vendin tim. Mbështetja juaj në kontinentin e Afrikës dhe kudo në botë do të na ndihmonte pa masë në procesin e sigurimit të njohjeve të reja për vendin tonë, që janë shumë të rëndësishme për ne. Kjo vizitë e imja në Malawi është një mundësi e veçantë që ne të zhvillojmë dhe shtrijmë në shumë fusha bashkëpunimin mes dy vendeve dhe dy popujve. Dy vendet tona, jam shumë i bindur, do të kenë rastin të punojnë bashkë për të mirën e popujve në interes të paqes dhe zhvillimit. Dua me këtë rast të theksoj se lideri shpirtëror i pavarësisë së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, njeri që kishte  vënë gjithë angazhimet dhe qenien  e tij për të mirën e përbashkët të njerëzve pa dallim etnie, gjuhe, religjioni etj., kishte një maksimë që ndihmoi shumë vendit tim. Ai thoshte se popujt duhet të kenë shumë miq. Duhet ruajtur miqësitë e vjetra dhe duhet krijuar  miqësi të reja. Kjo miqësi jona, nga sot do të jetë shumë më e devotshme dhe për të mirë jo vetëm të dy popujve të vendeve tona.Unë ju siguroj edhe një herë që miqësia e Kosovës me popullin e Malawit, me popullin e Zemrës së Ngrohtë të Afrikës është shumë domethënëse për ne, për shpresat dhe besimin tonë se e ardhmja e popujve tanë do të jetë shumë më e ndritur sesa e kaluara. Ju faleminderit për vëmendjen Tuaj!Zoti e bekoftë Republikën e Malawit dhe popullin e saj të mrekullueshëm! 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.