presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALA E PRESIDENTIT SEJDIU NË CEREMONINË E SHËNIMIT TË 4 KORRIKUT – DITËS SË PAVARËSISË SË SHBA-ve

Jam shumë i nderuar që ndodhem këtu me Ju, për të shënuar Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës – 4 Korrikun.

Prishtinë, 2 korrik 2010

I nderuar Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, z. Christopher Dell,
E nderuara zonja Dell,
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,

Jam shumë i nderuar që ndodhem këtu me Ju, për të shënuar Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës – 4 Korrikun.

Sot, në 234-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mund të themi pa asnjë mëdyshje se 4 Korriku i vitit 1776 shënon datën e lindjes së një vendi simbol të luftës për lirinë e të gjithë popujve, për demokracinë dhe prosperitetin në botë.

Parimet themelore që frymëzuan baballarët themelues të shtetit amerikan, parimi i së drejtës për jetë, i lirisë dhe i kërkimit të lumturisë janë themel i patjetërsueshëm i parimeve universale për të drejtat dhe liritë e njeriut kudo në botë. Ndërsa, Kushtetuta e SHBA-ve, ndonëse si tekst është njëra ndër më të shkurtat e demokracisë moderne, paraqet një ndër dokumentet më të fuqishme të kohës sonë për mbrojtjen, respektimin dhe garantimin e vlerave të përbotshme të secilit njeri, të secilit etnitet apo grupim.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sot sinonim i një kombi të madh, që angazhohet në të gjitha kontinentet për një botë më të qetë, më paqësore dhe më të sigurt. Ato janë shpresa e shumë popujve anekënd globit për liri, mirëqenie dhe ardhmëri më të ndritshme.

SHBA-të janë përherë të parat për t’u ndihmuar vendeve të goditura nga fatkeqësitë e ndryshme. Dorën e ndihmës dhe të bujarisë së këtij vendi të madh sot e gëzojnë popuj të ndryshëm në të gjitha skajet e botës.

Tani, le të më lejohet të citoj Presidentin John F. Kennedy, i cili thoshte: “Le ta dijë çdo shtet, pavarësisht a na e dëshiron të mirën apo të keqen, se ne do të paguajmë çdo çmim, do të bartim çdo barrë, do të tejkalojmë çdo vështirësi, do të ndihmojmë çdo mik, do të kundërshtojmë çdo armik, që të sigurojmë mbijetesën dhe suksesin e lirisë”.

Kjo thënie e famshme e tij, besoj, paraqet frymën dhe shpirtin e vërtetë të kombit amerikan, i cili lirinë nuk e çmon të plotë vetëm për vete, por për të gjithë njerëzimin njësoj.

I nderuar Ambasador Dell,
E nderuara zonja Dell,
Zonja dhe zotërinj,

Populli i Kosovës, gjatë ditëve të lëvizjes sonë të madhe për liri, demokraci dhe pavarësi pati përkrahjen e përhershme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
SHBA-të dolën në ballë të ndërhyrjes unike të Aleancës Veriatlantike për shpëtimin e popullit të Kosovës nga zhbërja fizike në pranverën e vitit 1999.
SHBA-të qëndruan pranë popullit dhe institucioneve të Kosovës gjatë gjithë viteve të rimëkëmbjes së vendit tonë, i cili kishte dalë i dërmuara nga lufta dhe nga pasojat e shtypjes së gjatë e brutale të regjimit të Millosheviqit.
SHBA-të, bashkë me aleatët e shumtë të humanizmit dhe të lirisë së kombeve, qëndruan me ne edhe në ditët vendimtare të procesit të përcaktimit të statusit final të Kosovës, pavarësisë së saj.

Përfundimisht, SHBA-të po e ndihmojnë në çdo aspekt forcimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës për të mirën e të gjithë qytetarëve tanë pa dallim etnie a besimi.

Duke shprehur sërish dëshirat më të mira për kombin amerikan, me rastin e kësaj date të rëndësishme, uroj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qytetarët dhe prijësit e këtij vendi simbol të demokracisë moderne, të kenë përherë përvjetorë të suksesshëm. 

Urime dhe fat!
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Zoti e bekoftë miqësinë në mes dy vendeve tona!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.