DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Konferencën e Mynihut, në temën: ‘In or out? The countries in-between Russia and Europe?’

Sot jam shumë i privilegjuar që jam në mesin e juaj, pikërisht në ditën kur ne shënojmë dhjetëvjetorin e shpalljes së shtetit të Kosovës.Kam pasë një nder të madh kur në pasditen e të dieles së 17 shkurtit të vitit 2008, si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës, kam lexuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.Kjo Deklaratë nuk definonte vetëm statusin e Kosovës. Me të, ne, si politikanë dhe si qytetarë të Kosovës, konfirmonim që ne po bënim një shtet që do të ketë vlera të mirëfillta politike dhe qytetëruese liberale dhe demokratike evropiane. Një shtet që do të synojë të jetë pjesë përbërëse e Aleancës Veriatlantike dhe e Bashkimit Evropian.Zatën, nuk ka mundur të ndodhë ndryshe: Çlirimi dhe pavarësia e Kosovës, janë vlera të njëmendta evropiane dhe perëndimore.Nuk do të ndodhte çlirimi dhe shteti i Kosovës, pa një partneritet të jashtëzakonshëm të Kosovës me SHBA-në dhe me Evropën.Shteti i Kosovës është njohur që prej atëherë nga 115 shtete.Ka arritur të shënojë progres në të gjitha drejtimet e mundshme.Por për shkaqe të njohura, rrëfimi për Kosovën nuk është rrumbullkuar në plotëni, ne nuk jemi ende anëtar i OKB-së, ndërsa rrugëtimi jonë kah BE-ja është tej mase i ndërlikuar.Por, qytetarët e Kosovës e dinë çka duan, dhe ne si lidership, nuk kemi kurrfarë dyshimi se cili duhet të jetë drejtimi ynë  si shtet.Kosova është shteti më pro-evropian, më pro-amerikan dhe më pro-perëndimor në Ballkan.Jemi krenar për këtë fakt.Ne jemi unik në Kosovë për këtë orientim.Por, ne në Kosovë, në dhjetë vitet e fundit, jemi përballur me pasojat e mëdha të mungesës së unitetit në BE për shtetin e Kosovës.23 shtete anëtare të BE-së kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por pesë shtete jo.Sikur të kishte unitet të BE-së për Kosovën, sikur BE-ja të kishte folur me një zë, me një qëndrim për Kosovën, jam i bindur që shteti i Kosovës do të ishte shtet më i qëndrueshëm dhe më stabil.Po ashtu, jam i sigurt që në këtë rast, ne tashmë do të kishim normalizuar në plotëni marrëdhëniet me Serbinë, gjë që do të ishte në dobi të Kosovës, të Serbisë dhe të gjithë rajonit.Me një unitet të BE-së rreth Kosovës, me një vendosmëri më të madhe të BE-së për të integruar gjashtë shtetet e fundit të Ballkanit Perëndimor në BE, kam bindjen që ne sot nuk do të kishim pse të merreshim me këtë temë, e cila ndërlidhë ngecjet në procesin e zgjerimit të BE-së me përparimin evident të faktorit Rusi në këto anë të Evropës.Por le të shikojmë përpara, dhe të shfaqim një vendosmëri politike dhe diplomatike, e cila do të mund të shfrytëzonte një momentum të ri, që po krijohet në këto anë të Ballkanit me Strategjinë për zgjerim të BE-së, të shpallur vetëm pak ditë më parë.Në këtë kontekst, ne si Kosovë, jemi të përkushtuar për ta përfunduar dialogun me Serbinë, për ta bërë Marrëveshjen ligjërisht detyruese me të cilën Kosova dhe Serbia, si dy shtete fqinje, do të hynin në periudhën e paparë në historinë tonë të përbashkët, të fqinjësisë së mirë, të pajtimit, pse jo edhe të miqësisë në një të ardhme të përbashkët evropiane.Nuk kemi më kohë për të humbur, as ne, as Serbia.Ne në Kosovë duam që këtë vit e dëshirojmë epilogun e suksesshëm këtij dialogu, i cili me Marrëveshjen ligjësisht obligative, do të jetë një arritje e jashtëzakonshme për ne, për gjithë rajonin, dhe për mbarë Evropën.Kosova është e gatshme për ta hedhur hapin final në këtë drejtim, sepse e dimë që kjo Marrëveshje e madhe me Serbinë, do të jetë garanca sipërore për ngadhjimin e paqes dhe të stabilitetit në këto anë të Evropës.Për më shumë, kjo Marrëveshje do të jetë akti më evropian në rajon për vite me radhë, në mos edhe më gjatë.Po shpresoj që në Bruksel do të kuptohet si asnjëherë më parë sa është e rëndësishme është arritja e kësaj Marrëveshje, dhe çfarë ndikimi do të ketë ajo në finalizimin e hartës politike dhe gjeografike të BE-së, me përfshirjen e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimorë.Ju faleminderit për vëmendje!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.