presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALA E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, DR. FATMIR SEJDIU, NË ORËN PËRKUJTIMORE TË MBAJTUR NË DHJETËVJETORIN E MASAKRËS SË REËAKUT

“Të nderuar familjarë të martirëve dhe dëshmorëve të Reçakut,
I nderuar Kryeministër Thaçi,
I nderuar ambasador Uilliam Voker,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,

“Në ditë të tilla përkujtimi, siç është 15 janari, dita e Masakrës së Reçakut, ne përkulemi para bashkëqytetarëve tanë, jeta e të cilëve u shua në mënyrë mizore nga forcat e rregullta policore e ushtarake të Serbisë së Millosheviqit dhe paramilitarëve të tij. Sot është një ditë dhembjeje, kur ne të gjithë shprehim nderimin tonë për viktimat e kësaj masakre të tmerrshme, e cila solli para botës pamje që nuk mund ta linin më indiferent askënd. Kjo datë e historisë sonë të stërmbushur me ngjarje të tilla tragjike, qe sinjal i fundit për botën demokratike e liridashëse se më nuk mund të bëhej sehir përpara krimeve të egra që po ndodhnin në Kosovë.
Masakra e Reçakut shpaloi përpara botës fytyrën e vërtetë të Millosheviqit dhe të argatëve të tij. Ekzekutimi brutal i civilëve, bartja e kufomave të tyre në xhaminë e fshatit dhe ekspozimi i tyre për të ngjallur panik te qytetarët e tjerë, transportimi i tyre në Prishtinë kinse për ta bërë obduksionin, si dhe loja e turpshme e mosdorëzimit të trupave të pajetë familjeve irrituan tërë botën dhe mbetën një njollë e zezë dhe e përhershme për shtetin serb.
Të nderuar banorë të Reçakut, të Shtimes e të Republikës së Kosovës,
Ne, institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës jemi zotuar para miqve dhe para botës demokratike se do të ndërtojmë një shtet të lirë e demokratik të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie a kombi, një shtet të rendit e të ligjit, në të cilin do të respektohen njësoj të drejtat dhe liritë e të gjithëve. Po ashtu, në të gjitha takimet e rëndësishme që kemi pasur me burrështetas nga mbarë bota, e kemi theksuar gjithmonë se Republika e Kosovës është përcaktuar të ecën me vendosmëri drejt të ardhmes së saj euroatlantike.
Por, ne nuk mund të harrojmë asnjëherë atë që ka ndodhur në Kosovë, tragjeditë e shumta që ka përjetuar populli i Kosovës gjatë gjithë shekullit njëzet. Sepse, dhe kjo duhet të kujtohet gjithmonë, masakrat e ushtrive, të xhandarmërive dhe të paramilitarëve serbë ndaj popullsisë civile shqiptare janë të hershme. Qindra vendbanime shqiptare në krahinën e Toplicës u spastruan etnikisht në fundin e shekullit XIX. Fatkeqësisht, spastrimi etnik i shqiptarëve vazhdoi kur më shumë e kur më pak edhe gjatë tërë shekullit XX, duke nisur që nga ripushtimi serb i Kosovës në vitet 1912-?13. Në Kosovë nuk ka njeri që nuk e di se si ndodhi ?Janari i zi?, në fshatrat Prapashticë e Keqekollë të Gollakut, ku më 1921, vetëm brenda 24 orësh u likuiduan në mënyrën mizore mbi 1000 civilë shqiptarë, kryesisht gra, pleq dhe fëmijë. Askush nuk mund t?i harrojë përjetimet tragjike të shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë kohës së Rankoviqit, kur mijëra familje shqiptare u detyruan ta braktisin Kosovën dhe të mësyjnë Turqinë pas një dhune sistematike shtetërore, e cila kombinohej me një propagandë të fuqishme për t?i nxitur njerëzit që ta lënë tokën e vet dhe të marrin udhën e Anadollit të largët. Por, pa dyshim, kulmi i krimeve serbe në Kosovë ndodhi gjatë viteve 1998-?99, kur forcat e rregullta ushtarake e policore, si dhe paramilitarët e llojllojshëm, e shndërruan Kosovën në tokë të djegur, duke ua vënë flakën mbi njëqind e tridhjetë mijë shtëpive të shqiptarëve, duke shkatërruar qindra objekte fetare e të kultit, si dhe duke vrarë rreth trembëdhjetë mijë qytetarë. Madje, për t?i fshehur gjurmët e krimit ? dhe këtë po e tregojnë vetë aty-këtu në gjykimet e kriminelëve të vet në Beograd – ata jo një herë i zhvarrosnin kufomat e viktimave civile dhe i dërgonin në varre masive në Serbi, duke kryer kështu krim të dyfishtë ndaj tyre.
Këto janë ngjarje që nuk mund të harrohen. Këto janë përjetime që do t?i ruajmë thellë në kujtesën tonë nacionale, por asnjëherë me ndjenjën e revanshit a të ligësisë. Megjithatë, një ndjesi faji apo një kërkim faljeje nga Serbia, mbase mund ta lehtësonte udhën e bashkëpunimit në mes dy vendeve fqinje, në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Si dy vende fqinje ne kemi interesa të shumta për të pasur marrëdhënie të mira, siç i kemi me të gjitha vendet e tjera të rajonit. Por, fatkeqësisht, atje ende nuk ka një forcë politike apo një lider që do të mund ta pranonte hapur atë që e di krejt bota: Serbia në Kosovë ka kryer krime kundër njerëzimit dhe ajo duhet t?i kërkojë falje popullit shqiptar dhe institucioneve të shtetit të pavarur e sovran të Kosovës.
Të nderuar banorë të Reçakut e të Republikës së Kosovës,
Më 17 shkurt 2008, Kosova u shpall Republikë e pavarur dhe sovrane. Kjo datë shënon pikën e një kthese të madhe jo vetëm për ne, por për të gjithë rajonin. Siç po dëshmohet çdo ditë, pavarësia e Kosovës i ka përshpejtuar proceset e brendshme të demokracisë në vend dhe ka sjellë paqe e siguri të përgjithshme në gjithë rajonin.
Republika e pavarur, sovrane e demokratike e Kosovës synon integrimin sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si dhe ruajtjen dhe forcimin e mëtejmë të miqësisë speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tashmë, kur vendi ynë është njohur nga 53 shtete të botës demokratike anekënd globit, ky vizion yni po merr formë çdo ditë. Unë mund t?ju siguroj që në këtë vit, vendi ynë do të njihet edhe nga shumë shtete të tjera dhe kështu do të hapet rruga për integrim në mekanizmat ndërkombëtarë. Ky proces është i pakthyeshëm, ndërsa ata që shkaktuan Reçakun, Izbicën, Krushën, Mejen dhe shumë e shumë logje të tjera krimesh të tmerrshme kundër civilëve të pafajshëm shqiptarë nuk do të mund ta ndalin më.
Kosova është e lirë, shtet i pavarur dhe sovran dhe askush nuk mund t?ia imponojë më udhën nëpër të cilën do të ecë. Ndaj, në ditë të tilla nderimi e përkujtimi, na mbetet të tregohemi të fortë dhe të dëshmojmë se ata që u flijuan për këtë vend u bënë theror për një ideal të madh e sublim, për lirinë e Kosovës dhe të ardhmen e fëmijëve të saj.
Institucionet e vendit e kanë borxh që të përkujdesen në mëyrë të veçantë për familjet e të rënëve në luftë, të cilët sakrifikuan jetën e tyre për atdheun. Shteti i ri i Kosovës do të shtojë përkujdesjen institucionale për të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre për të arritur lirinë e vendit. Kjo përkujdesje do të rritet me forcimin e institucioneve të shtetit të Kosovës.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës!

This site is registered on wpml.org as a development site.