“E nderuara familje Sokoli,
I nderuar zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës, z. Ramë Manaj,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
I nderuar kryetar i Komunës së Prishtinës, z. Isa Mustafa,
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,
”
“I.
Pranvera e vitit 1999 ka qenë pa dyshim më e rënda në historinë e Kosovës. Duke e parë se shekullit të sundimit të saj okupues në Kosovë po i vinte fundi, Serbia filloi përpjekjen e fundit për ta zhbërë Kosovën dhe popullin e saj shumicë. Me strategjinë e shndërrimit të Kosovës në tokë të djegur, Serbia kreu krime të tmerrshme kundër njerëzimit, dogji e shkretoi qindra-mija shtëpi, shkolla e objekte të kultit dhe dëboi afër një milion shqiptarë nga vatrat e tyre.
Si në çdo tragjedi tjetër, edhe në tragjedinë e Kosovës të pranverës së vitit ?99, pati shumë ngjarje të cilat e tronditën ndërgjegjen njerëzore të botës së civilizuar, sepse përmasa e jehonës së tyre kapërcen çdo kufi kohe e hapësire. Pa dyshim, e tillë ka qenë edhe masakra e Mejës e prillit të atij viti, ku forcat serbe vranë dhe masakruan rreth 500 civilë shqiptarë. Në ato ditë të rënda u vra edhe Gjergj Sokoli, aktivist politik, deputet dhe luftëtar i luftës së fundit të Kosovës për liri e pavarësi.
II.
Ndonëse ishte vëllai i vetëm i tetë motrave dhe baba i katër fëmijëve, Gjergji nuk e ndali asnjëherë veprimtarinë e tij. Si njëri ndër aktivistët më të shquar në rrethinën e Gjakovës dhe në nivel të Kosovës që nga fillimi i viteve ?90, në zgjedhjet e dyta nacionale, më 1998, ai u zgjodh deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Njëkohësisht, ishte edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Ëështje Kushtetuese.
Pra, Gjergji kontribuoi në ndërtimin e institucioneve shtetërore të vendit tonë. Pikërisht për shkak të veprimtarisë së tij kombëtare e shtetërore, regjimi serb vazhdimisht e keqtrajtoi, e burgosi dhe e përndoqi. Por, vuajtjet nuk e demoralizuan Gjergji asnjëherë. Përkundrazi, ai e intensifikoi angazhimin e tij me të shpërthyer lufta në Drenicë; u mobilizua në mesin e aktivistëve që ndihmonin për evakuimin dhe strehimin e popullsisë së përndjekur dhe bashkë me aktivistët e tjerë, mbante bashkëpunim të vazhdueshëm me ushtarët e Ushtrisë Ëlirimtare të Kosovës në zona të ndryshme të luftimeve.
Kur filluan sulmet e NATO-s, Gjergj Sokoli ndodhej në mesin e ushtarëve të UËK-së në regjionin e Rekës së Keqe, ndërsa familja e tij ishte përndjekur bashkë me banorët tjerë të Rekës së Keqe përtej kufirit.
Vrasësit e Gjergjit u përpoqën ta fshehin krimin, por, pas luftës, Tribunali i Hagës e zhvarrosi trupin e Gjergjit dhe e dërgoi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Rahovec, ku pas analizës së testit të ADN-së u bë identifikimi i tij.
III.
Të nderuar pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore,
Të nderuara familje të dëshmorëve,
Zonja dhe zotërinj,
Gjergj Sokoli gjithë jetën dhe veprën politike, shtetërore dhe luftarake ia kushtoi lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai punoi edhe në fushën e solidaritetit midis qytetarëve tanë, si njëri nga dimensionet më njerëzore të vendit tonë. U dallua me fjalën e urtë edhe në pajtimin e ngatërresave dhe gjaqeve. Shkurt, Gjergji ishte një njeri që me vullnet dhe me vetëdije të plotë iu fal atdheut të tij për të cilin sakrifikoi edhe jetën.
Në pesëvjetorin e rënies së Gjergj Sokolit, Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova theksonte: ?Ai u vra nga armiku në ditët kur miqtë tanë të udhëhequr nga SHBA u vunë në mbrojtje të vendit tonë. Ai i pa shkëndijat e lirisë, që u kurorëzua më 12 qershor të vitit 1999, me hyrjen e NATO-s në Kosovë. Pra, Ai ndërroi jetë me shpirt të lehtësuar, sepse e shihte agun e lirisë. Ky është fati i burrave trima, siç ishte Gjergj Sokoli. Ata gjithmonë sjellin fat dhe lumturi për brezat që vijnë pas tyre?.
Duke pasur si motivacion shëmbëlltyrën e Gjergj Sokolit, veprimtarinë e tij të pareshtur politike e kombëtare, si dhe trimërinë e treguar në luftën e fundit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në bazë të kompetencave që kam si President i vendit, kam marrë vendim që Gjergj Sokolin ta dekoroj më Medaljen ?Luftëtar i Lirisë – Adem Jashari?.
Zoti e bekoftë Gjergj Sokolin!
Zoti e bekoftë Familjen Sokoli!
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe miqtë e saj!
“