presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALA E PRESIDENTIT TË KOSOVËS, DR. FATMIR SEJDIU, NË CEREMONINË TRADICIONALE TË ‘DARKËS SË LAMËS’

Dalëngadalë po e bëjmë traditë tonën zyrtare një traditë të moçme vendëse, të cilën e riktheu në kalendarin tonë Presidenti Ibrahim Rugova.
Këtë festë tradicionale, me emrin autentik Darka e Lamës, Presidenti Rugova e quante Ditë Falënderimi për Zotin që na ka blatuar të mirat e vitit.

Darka e Lamës ka qenë festë tradicionale e paraardhësve tanë, e ilirëve, e cila është ruajtur nëpër kohë të vështira të ekzistencës sonë, sepse këtë ekzistencë e ka ruajtur tharmi i jetës autentike.Është hera e katërt që Darka e Lamës organizohet nën përkujdesjen e Presidentit të Kosovës, për herë të parë pa Presidentin tonë historik, Ibrahim Rugovën, njeriun e kulturës kombëtare e shtetërore, që ndërtimin e shtetit tonë e ka konceptuar në gërshetim të traditës autentike dhe të vlerave më të mira moderne. Kujdesi i Presidentit Rugova për traditën dhe idetë e tij për ruajtjen, kultivimin dhe përditësimin e thesarit kombëtar, duke përfshirë edhe elemente të kulturës autentike ushqimore, kanë hasur herë-herë edhe në moskuptime nga një pjesë e njerëzve te ne.Kosova jonë është vend me potenciale për të dhënë prodhime të mira dhe me bollëk të kulturave të ndryshme. Toka e Kosovës ka qenë vend i njohur për prodhimin e drithërave prej kohës antike, ndërsa kjo tokë pjellore është e përshtatshme edhe për kulturat që kanë ardhur nga Perëndimi, duke përfshirë edhe Amerikën.Nëse në të kaluarën Darka e Lamës ka qenë festë familjare, e nukleusit të shoqërisë sonë, sot kemi nderin që ta organizojmë në nivel feste shtetërore, dhe të shtrohemi përreth tryeze bashkë me miqtë tanë të shumtë nga e gjithë bota. Jemi të bindur se me këta miq nga bota do ta festojmë së shpejti ditën e kurorëzimit të pavarësisë së vendit tonë, e cila do të shënojë ndërtimin e shtetit në një truall që ka njohur një bazë të moçme shteteformuese që në antikë – me Dardaninë — dhe mbi traditat më të mira moderne të shtetit.Prodhimet e Kosovës do të rinjohin identitetin e vet edhe në rrafsh ndërkombëtar me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Atëherë do të jenë prodhime me shenjën “Made in Kosova”. Atëherë do të ketë motiv për punë më të madhe të bujqëve tanë, të industrisë sonë ushqimore, për të prodhuar më shumë.Jam i bindur se Darkën e Lamës të vitit 2007 do ta kremtojmë në shtetin e Kosovës të njohur ndërkombëtarisht!Të nderuar miq, ju falemnderit që na jeni bashkuar në sofër për ketë festë tradicionale. Po e mbaroj këtë fjalë timen me frazën tipike shqiptare kur ulemi rreth sofrës: “Ju bëftë mirë”! Ju bëftë mirë Darka e Lamës!

This site is registered on wpml.org as a development site.