Kjo konferencë po mbahet në kohën kur Kosova po e rrumbullakon një periudhë shumë të rëndësishme të ndërtimit të institucioneve demokratike dhe të kornizës së një ekonomie funksionale të tregut.
Ndërkaq, së bashku me faktorin ndërkombëtar po punojmë që këtë vit ta përmbyllim statusin e vendit tonë. Në një Kosovë të pavarur dhe sovrane do të fillojë të krijohen kushte të qëndrueshme për investime dhe perspektivë e domosdoshme e zhvillimit ekonomik.
Gjatë shtatë viteve të kaluara, së bashku me UNMIK-un, kemi ngritur një bazë shumë të mirë ligjore dhe institucionale për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Korniza ekzistuese ligjore u garanton investitorëve një siguri të plotë të aktivitetit, të pronës dhe të përdorimit të profitit. Megjithatë ne do të punojmë vazhdimisht për krijimin e kushteve më të mira për investime, përmes zbatimit të ligjeve dhe praktikave më bashkëkohore, do ta avancojmë edhe më tutje efikasitetin e institucioneve publike dhe do të sigurojmë që politikat fiskale dhe buxhetore të jenë të favorshme për investitorët e mëdhenj dhe nxitëse për sektorin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Krijimi i kushteve për investime të jashtme do të jetë çështje me prioritet edhe e Planit Nacional të Zhvillimit Ekonomik, të cilin është duke e përfunduar qeveria jonë. Përkrah reformave strukturale që kanë të bëjnë me tejkalimin e disbalanceve makroekonomike dhe synimeve tona për integrime ekonomike evropiane dhe botërore, do të angazhohemi ta ndërtojnë një shoqëri të bazuar në dituri dhe ta përmirësojmë konkurrencën ekonomike dhe efikasitetin e shërbimeve publike. Kosova ka nevojë ta ndërtojë infrastrukturën ekonomike, të investojë më shumë në kapitalin njerëzor dhe të krijojë një mjedis më të favorshëm për biznese. Integrimi i zhvillimit ekonomik me atë hapësinor do të siguroj një përdorim dhe alokim të drejtë dhe racional të resurseve shumë të çmueshme me të cilat disponon vendi ynë. Zhvillimin e sektorit të energjisë e vlerësoj si faktor shumë të rëndësishëm për krijimin e parakushteve për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, duke patur parasysh se energjia është një input tepër i rëndësishëm i prodhimtarisë dhe shërbimeve por edhe një determinantë kyçe e standardit të jetesës së qytetarëve. Investimet e reja në këtë sektor, qofshin ato të hapjes së mihjes së re, rehabilitimit të blloqeve ekzistuese apo ndërtimit të kapaciteteve të reja gjeneruese, duhet të sigurojnë shfrytëzim efiçent të resurseve dhe standarde evropiane të ruajtjes dhe kultivimit të ambientit. Prandaj, janë të mirëseardhur të gjithë investitorët me të cilët do të gjejmë interesin e përbashkët për këto projekte, ndërkaq ne do të ofrojmë të gjitha kushtet ligjore dhe institucionale për aktivitetin e suksesshëm të tyre. Në fund dëshiroj të falënderojë investitorët e deritanishëm, por edhe shtetet, qeveritë dhe organizatat donatore, të cilat dhanë kontributin e tyre që ti tejkalojmë pasojat e drejtpërdrejta të luftës dhe të konsolidojmë kushtet për një zhvillim normal ekonomik dhe demokratik. Edhe një herë, ju uroj punë të frytshme të kësaj konference dhe shprehu konsideratën time të plotë për rezultatet të cilat do të pasojnë.