Më lejoni që në emër të delegacionit të Kosovës t?ju drejtohem ju deputetë të Kuvendit të Kosovës me një fjalë lidhur me zhvillimin e procesit të bisedimeve për status të Kosovës të udhëhequr nga Presidenti Ahtisari në bazë të vendimit të Këshillit të Sigurimit dhe mandatit që i është dhënë atij.
Ekipi i Unitetit gjatë kësaj periudhe disa muajshe që nga fundi i shkurtit, kur kanë filluar takimet e para, përmes delegacioneve përfaqësuese ka prezantuar qëndrimet e veta për tri tema bosht të cilat janë trajtuar në takimet e Vjenës dhe rreth të cilave gjer tani janë zhvilluar gjithësej shtatë takime. Edhe pse në këtë Kuvend janë dhënë informacione dy herë nga udhëheqësit e delegacioneve, e ndiej nevojën të ritheksoj me këtë rast se Ekipi i Unitetit me gjithë strukturën e tij të brendshme të organizimit, duke filluar nga Grupi Politik Strategjik dhe ekipet e specializuara për çështje kushtetuese juridike, ekonomike, çështjet e trashëgimisë kulturore, etj. në përbërjen e të cilave ka të angazhuar ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, ka përgatitur dhe prezantuar në mënyrën më serioze qëndrimet e Kosovës përmes dokumenteve dhe pjesëmarrjes së drejtpërdrejt në bisedimet e Vjenës.Bisedimet më të gjata gjer tani (pesë takime) dhe takime të tjera në nivel ekspertësh janë zhvilluar lidhur me çështjet e decentralizimt të pushtetit në Kosovë dhe shumë aspekte të gërshetuara brenda këtij procesi. Çështje të veçanta të debatuara më së shumti kanë qenë ato që kanë të bëjnë me formimin e komunave të reja në Kosovë, kompetencat dhe funksionet e tyre themelore me një fokus të veçantë në çështjen e kompetencave të deleguara që kanë të bëjnë me financat lokale, kujdesin shëndetësor dhe sekondar, arsimimin e lartë, policinë dhe drejtësinë dhe një aspekt i veçantë është çështja e bashkëpunimit midis komunave. Delegacioni i Kosovës, pas analizave të shumta që ka bërë dhe duke respektuar kriteret e përcaktuara me dokumentin bazë ‘Parimet themelore të Reformës së Pushtetit Lokal në Kosovë’ për formimin e komunave të reja, pas propozimit të mëhershëm se në Kosovë mund të formohen 3 + 1 komunë, propozimin e tij të fundit e ka ofruar me mundësinë e formimit edhe të dy komunave të reja dhe që është kompromisi ynë final. Me këtë çasje kemi dëshiruar që të kontribuojmë në drejtim të integrimit sa më të madh të komunitetit pakicë serb në proceset vendimmarrëse, pra edhe në nivelin lokal të vendimmarrjes. Aspektet tjera të veçanta rreth zhvillimeve të bisedimeve në këtë temë u janë raportuar më herët në Kuvend. Këtu duhet ndarë qëndrimin e Delegacionit të Kosovës për çështjen e Mitrovicës për të cilën kemi theksuar se mund të organizohet ‘Një Qytet me dy komuna’ që do të udhëhiqeshin nga një bord i përbashkët në përbërje prej shtatë anëtarësh, nga tre përfaqësues nga secila komunë, pra të komuniteteve që u takojnë dhe një përfaqësues ndërkombëtar i cili edhe do të jetë udhëheqës i përkohshëm i këtij bordi. Detalet e veçanta rreth kësaj çështje ende do të përpunohen në kuadër të këtij koncepti themelor. Delegacioni i Kosovës ka zhvilluar edhe bisedime konkrete lidhur me çështjet ekonomike që kanë të bëjnë kryesisht me çështjen e borxheve të jashtme dhe pasurive të jashtme, çështjet e pronës dhe të drejta të tjera, interesat dhe detyrimet, pensionet, depozitat bankare të ngrira në valuta të jashtme, kërkesat e tjera të individëve për kompensim dhe humbjet kolektive.Delegacioni i Kosovës është shprehur se propozimet e tij nisen nga konteksti i zgjidhjes së statusit i cili e njeh Kosovën si shtet të pavarur, se Kosova pranon zbatimin e parimeve kyçe të akorduara në Marrëveshjen e entiteteve tjera të ish Federatës Jugosllave lidhur me sukcesionin të arritur në 2001, derisa disa çështje që kanë të bëjnë me Kosovën, të cilat nuk kanë qenë karakteristike për entitetet tjera, kërkojnë zgjidhje specifike brenda parimeve kryesore.Të gjitha çështjet e tjera të trajtuara në kuadër të kësaj teme Delegacioni i Kosovës iu ka qasur në kuadër të parimeve themelore që kanë të bëjnë me të drejtën e sukcesionit mes shteteve. Tema që ka të bëjë me trashëgiminë kulturore dhe religjioze pokështu është trajtuar në dy takime të gjertanishme dhe nuk është arritur ndonjë pajtim sikur edhe për temat e mëparme. Qëndrimet e Delegacionit të Kosovës lidhur me aspektet e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, historike dhe religjioze janë fundamentalisht të mbështetura në dokumentet ndërkombëtare dhe në parimet e UNESCO-s mbi mbrojtjen e këtyre monumenteve. Problem i veçantë në vazhdimësi është shtruar çështja e krijimit të zonave mbrojtëse rreth këtyre monumenteve. Delegacioni i Kosovës ka shtruar propozimin se ky parim mund të aplikohet për 14 kisha dhe manastire ortodokse serbe. Me këtë rast ka përcaktuar edhe hapësirat e mundshme mbrojtëse të cilat nuk mund të cënojnë në asnjë mënyrë pronën private përreth tyre, por që megjithatë me ligj të veçantë duhet të përcaktohet mënyra e mbrojtjes së tyre. Propozimet e palës serbe në mënyrën se si i kanë shtruar ata (40 objekte dhe hapësira me qindra hektarë përreth tyre) janë të papranueshme.Lidhur me të gjitha këto tema të shtruara Delegacioni i Kosovës duke pasur parasyshë dokumentin themelor që i ka ofruar për bisedime i është përmbajtur dhe do t’i përmbahet parimit se ‘nuk ka marrëveshje përderisa nuk ka marrëveshje të përgjithshme’ që nënkupton realizimin e pavarësisë dhe sovranitetit të plotë të shtetit të Kosovës. Të nderuar deputetë,Më lejoni të theksoj se në kuadër të kësaj periudhe kohore të zhvillimit të këtij procesi kam pasur nderin e veçantë që së bashku me Kryeministrin e Kosovës z. Çeku të kemi takim të rëndësishëm me Sekretaren e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës znj. Dr. Condoleza Rice, si dhe zyrtarë tjerë të State Department dhe Shtëpisë së Bardhë. Me këtë rast ne jemi inkurajuar dhe mbështetur për qasjet që kemi për ndërtimin e një Kosove demokratike që do të ketë kujdes të veçantë edhe ndaj minoriteteve në kuadër të saj. Përfaqësuesve të shtetit amerikan ua kemi prezantuar qëndrimin e institucioneve dhe popullit të Kosovës për pavarësinë e Kosovës si zgjedhje e pa alternativë që buron nga vullneti i popullit. Pas pak ditësh kam qenë i ftuar nga ana e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që në emër të popullit dhe të institucioneve të Kosovës të shprehi vizionin tonë për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës. Me këtë rast shkëlqesisë së tyre, përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, ua kam shprehur qartazi qëndrimin tonë të palëkundur për realizimin e pavarësisë së plotë të Kosovës, dhe në të njejtën kohë u kam ofruar vizionin tonë për të ardhmen e përbashkët të të gjithë qytetarëve të saj, të shumicës dhe të pakicës. Të nderuar deputetë,Duke respektuar përcaktimin tonë për të qenë pjesë aktive dhe konstruktive e të gjithë procesit të bisedimeve, me datën 24 të këtij muaji me ftesë të Presidentit Ahtisari Delegacioni i Kosovës, në bazë të vendimit unanim të të gjithë anëtarëve, ka marrë pjesë në një takim të organizuar nga ai dhe ekipi i tij (UNOSEK) në të cilin kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit, përfaqësuesit e SHBA-së dhe të Unionit Evropian. Në këtë takim, ku ka marrë pjesë edhe Delegacioni i Serbisë, është hapur çështja e statusit politik të Kosovës.Ju bëj me dije se qëndrimi i Delegacionit të Kosovës i shprehur në këtë takim ka qenë dhe mbetet prezantimi i vullnetit politik të Kosovës për pavarësinë dhe sovranitetin e plotë të Kosovës. Këtë qëndrim e kemi shprehur duke respektuar pokështu në plotëni qëndrimet e Kuvendit të Kosovës të shprehur përmes Rezolutës së tij se ‘pavarësia e Kosovës është e panegociushme’. Me këtë rast ju njoftoj se përmes prezantimit të përgjithshëm me fokus të veçantë për nevojën e përfundimit sa më të shpejtë të këtij procesi me pavarësimin e Kosovës dhe njohjen e saj ndërkombëtare, po kështu përmes debatit të mëvonshëm kemi kundërshtuar me argumente qasjet që përfaqësuesit e Serbisë i kanë ofruar për të ardhmen e Kosovës dhe pozitën e saj juridike-politike, në formë të autonomisë, apo siç ata shpesh herë e propagojnë ‘më shumë autonomi e më pak se pavarësi’. Është e qartë se nuk jemi përputhur dhe as që mund të përputhemi asnjëherë me vizione të tilla. Potencoj me këtë rast atë që e theksova edhe në takimin e Vjenës sikur që kanë theksuar edhe anëtarët e tjerë të delegacionit se konceptet e Prishtinës dhe Beogradit, mund të kuptohen edhe kësisoji: Serbia dëshiron që të na qeverisë dhe të vazhdojë sundimin e tij kolonial në Kosovë, ndërsa Kosova dëshiron që populli i saj të qeverisë me vetëvehten. Të nderuar deputetë,Një theks të veçantë, përveç evidencimit të gjithë rrugëtimit tonë për liri dhe pavarësi të përcjellur me ngjarje të përgjakshme përgjatë dekadave dhe veçanërisht me gjenocidin e v. 1999 ndaj popullit shumicë të Kosovës, ia kemi përkushtuar vendosmërisë sonë për të ndërtuar një shtet modern dhe demokratik që në të njejtën kohë do të thotë paqe dhe stabilitet afatgjatë në të gjithë rajonin. Nevoja jonë e veçantë e cila është prezantuar është pikërisht respektimi i vlerave dhe specifikave të secilës etni që është në Kosovë, me theks të veçantë të pakicave, mbi bazë të standardeve më të larta ndërkombëtare. Me këtë rast i kemi bërë thirrje Beogradit që të ndërprejë instrumentimin e vazhdueshëm të serbëve të Kosovës dhe të lejojë integrimin e tyre në institucionet demokratike të Kosovës. Dhe, po të njejtën kohë ua kemi bërë me dije se karshi nevojës që ata të jenë në rrugëtim bashkë me ne dhe të ndërprejnë bojkotet, megjithatë Kosovës s’mund të jetë peng i sjelljeve të tyre në ecjen e saj përpara. Delegacioni i Kosovës ka shprehur përkushtimin e tij të veçantë të nevojës së bashkëpunimit me të gjithë fqinjët e vet, pra edhe me Serbinë, dhe vendet e rajonit për të nxitur proceset e gjithanshme të integrimit Kosovës, por edhe të tyre në strukturat e Bashkimit Evropian dhe NATO. Të nderuar deputetë,Delegacioni i Kosovës në Vjenë, në unitet të plotë dhe palëkundshëm, ka shprehur përcaktimin e vet për një Kosovë evropiane në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Kemi theksuar se historia jonë është e dhimbshme, e përgjakshme. Se nuk mund ta harrojmë këtë histori, por poashtu se jemi të vendosur që të mos mposhtemi prej saj, se vizioni ynë për shtet të pavarur dhe shoqëri multientike, është vizion i përbashkët i institucioneve demokratike të Kosovës dhe i popullit tonë.Dua t’ju informoj se gjatë drekës kam zhvilluar një bisedë të shkurtër me Presidentin e Serbisë z. Tadic, të cilit ia kam shprehur sërish qëndrimet tona për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.Delegacioni i Kosovës është i përkushtuar që të kontribuojë maksimalisht me qasjet e tij konstruktive në mënyrë që procesi për definimin e statusit politik të Kosovës të përmbyllet këtë vit. Për këtë arsye ne do të bashkëpunojmë ngushtë me Presidentin Ahtisari dhe ekipin e tij, me Grupin e Kontaktit dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë, në interes të përshpejtimit të këtij procesi. Siç jeni në dijeni, po atë ditë Grupi i Kontaktit ka miratuar një dokument të rëndësishëm që vlerëson lartë qasjen e deritashme të Delegacionit të Kosovës dhe inkurajimin për proceset në vijim, duke qenë i përkushtuar poashtu në mbetjen besnik ndaj parimeve të mëhershme lidhur me Kosovën. Theks i veçantë i përkushtohet garantimit të tërësisë territoriale të Kosovës. Së fundi, të nderuar deputetë ju falënderoj për mbështetjen e përgjithshme që i keni dhënë punës së Delegacionit për realizimin sa më të shpejtë të qëllimit të përbashkët që kemi: pavarësimin dhe sovranitetin e plotë të Kosovës. Pokështu falënderoj angazhimin e institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, mekanizmat e tyre civilë dhe ushtarakë (KFOR dhe policinë e UNMIK-ut) për ndihmën e madhe që i kanë ofruar popullit dhe institucioneve të Kosovës përgjatë këtyre shtatë viteve, si dhe kontributin e tyre për përmbylljen e këtij procesi.Ju faleminderit!