“E nderuar zonjushë Kaidanow, shefe e Misionit Amerikan në Prishtinë,
Të nderuar punonjës të Misionit,
Të nderuar pjesëmarrës të kësaj ceremonie shtetërore,
Zonja e zotërinj,
”
“Kosova ka tashmë një histori të marrëdhënieve speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që janë farkuar nëpër kohë të stuhishme të ekzistencës sonë. Po mbushen 12 vjet që kur kemi përfaqësim diplomatik të SHBA-ve në Kosovë. Hapja e Zyrës Amerikane më 6 qershor 1996, që u bë nga Nënsekretari amerikan i Shtetit John Kornblum, ka shënuar vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.
Ky shënonte moment të rëndësishëm të marrëdhënieve të shkëlqyeshme në mes të Kosovës dhe SHBA-ve, do të thoshte më 1996 Presidenti Ibrahim Rugova, i cili me të drejtë e quante këtë lidhje ?miqësi të përhershme? në mes të dy vendeve tona.
Presidenti amerikan George W. Bush, në letrën e tij të njohjes së pavarësisë së Kosovës, që ma dërgonte mua të nesërmen e shpalljes, përkujtonte ?lidhjet e thella dhe të sinqerta të miqësisë që bashkojnë njerëzit tanë?. Kjo miqësi, theksonte Presidenti Bush, ?e farkuar gjatë orëve më të errëta të tragjedisë së Kosovës, është bërë edhe më e fortë në nëntë vitet që kur ka mbaruar lufta në Kosovë?.
Sot, me hapjen e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, po kurorëzohet njëra pjesë e punës për vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike në mes të Kosovës dhe SHBA-ve.
Kjo do të përmbyllet me hapjen e Ambasadës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pa e zgjatur, urime zonjusha Kaidanow, urime të gjithëve në këtë rast historik të institucionalizimit diplomatik të lidhjeve në mes të dy vendeve tona që i ndajnë kontinentet, po i bashkojnë vlerat e lirisë e të demokracisë.
Zoti e bekoftë kombin amerikan!
Zoti i bekoftë lidhjet tona të përhershme miqësore!
Presidenti i Republikës së Kosovës,
Dr. Fatmir Sejdiu
“