DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga në Javën e Gruas

Ja ku mblidhemi edhe këtë vit për të filluar një ndër eventet më të rëndësishme të vendit që synojnë promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri, Javën e Gruas.

Të nderuar pjesëmarrës,Të dashura mike, Ja ku mblidhemi edhe këtë vit për të filluar një ndër eventet më të rëndësishme të vendit që synojnë promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri, Javën e Gruas. Në fakt, çdo javë e vitit është e gruas, pasi gratë janë shtylla ku gjen mbështetje e tërë shoqëria, të cilat me punën e tyre shpesh herë të padukshme mundësojnë progresin e saj.  Por ajo çfarë e bën këtë javë të veçantë, është prezenca e gjithsecilës prej jush dhe vendosmëria që shfaqni për të riafirmuar të vërteten e vetme se progresi i gjithmbarshëm i shoqërisë është i lidhur ngushtë me rolin e gruas në të. Ju përgëzoj që jeni bërë pjesë e kësaj platforme emancipimi duke besuar në aftësitë dhe fuqinë që secila prej jush ka, për të garantuar shoqëri demokratike të zhvilluar ekonomikisht, aftësi dhe fuqi të cilat janë pjesë e secilës vajzë dhe grua pavarësisht se nga vjen. Shpreh përgëzimet më të përzemërta për organizatorët USAID, NDI dhe Grupin e Grave Deputete, dhe mbështetësit gjithmonë e më të shumtë, duke ju thënë se mbështetja juaj po dëshmon se jeni në anën e zhvillimit, në anën e progresit, në anën e demokracisë, të gatshëm për të sfiduar stereotipet gjinore që paragjykojnë rolin e gruas në shoqëri. Të jeni të bindur se do të llogarisim mbështetjen tuaj për ta bërë realitet emancipimin e plotë e të barabartë të gruas në shoqëri edhe në të ardhmen. Të nderuar pjesëmarrës,Çdo vit në shënimin e kësaj Jave, ne si shoqëri bëjmë edhe analizën e progresit të arritur në emancipimin dhe përfshirjen e gruas në çdo fushë të jetës, duke vënë në pah sfidat e shumta ende të mbetura dhe duke bërë thirrje për më shumë angazhim prej gjithsecilit prej nesh. Angazhim i cili duhet të vijë nga institucionet, nga komuniteti, nga familja, nga të tre sferat e ndikimit dhe vendimmarrjes të cilat përcaktojnë trajektoren e jetës së një vajze që në hapat e saj të parë. E nëpërmjet saj përcaktojnë trajektoren e zhvillimit të familjes së saj dhe të zhvillimit të gjithmbarshëm të shoqërisë sonë, por edhe të çdo shoqërie në botë. Të jeni të sigurt, një mundësi e ofruar ndaj vajzës, është një përpjekje më shumë për të thyer rrethin vicioz të varshmërisë, të varfërisë, të mospjesëmarrjes në të cilën gratë e gjejnë veten gjeneratë pas gjenerate, është mundësi që i ofrohet progresit. E këtë nuk e them vetëm unë, këtë e thonë edhe të dhënat që vijnë nga vendet të ndryshme të botës, të cilat na dëshmojmë se shoqëritë që garantojnë barazinë gjinore në shkallë më të lartë, janë shoqëri më të suksesshme, që kanë zhvillim më të shpejt dhe demokraci më të konsoliduar. Ajo çfarë po shohim vit pas viti është që tema e barazisë gjinore po bëhet gjithmonë e më shumë temë aktuale duke u ndërlidhur me proceset e tjera të rëndësishme të shoqërisë, duke dal në pah here pas herë edhe si zgjidhje për sfidat e gjithmbarshme të shoqërive që i kemi. Patjetër që vit pas viti ne krenohemi me progresin e bërë, frymëzohemi prej tij, por e kuptojmë edhe se përgjigjja e shoqërisë ende reflekton në konsiderimin e barazisë gjinore si një temë dytësore, të përmbushjes së një obligimi moral, dhe jo domosdoshmërisht si respektim të të drejtave themelore të njeriut, qenësore për zhvillimin e gjithmbarshëm të saj. Kjo na dëshmon se përtej progresit të bërë, ne ende duhet të njohim faktin se gratë si gjysma e shoqërisë përbëjnë gjysmën e kapitalin njerëzor, gjysmën e trurit të vendit që mund ta shtyj përpara shoqërinë, gjysmën e fuqisë punëtore që mund të ndezin motorët e progresit e të zhvillimit, gjysmën e nevojave të shoqërisë të cilat duhet të adresohen e konsiderohen prej saj. Ajo çfarë ne shohim është që progresi në pjesëmarrjen e gruas në çdo fushë të jetës, është shumë ngushtë i lidhur me vizionin individual të atyre që marrin vendime dhe kërkon më shumë përpjekje për garantimin institucional të përfaqësimit të tyre, të përfaqësimit të saj. Është e vërtet, në Kosovë ne kemi një infrastrukturë ligjore e cila ngërthen praktikat më të mira ndërkombëtare të promovimit dhe mbrojtjes së barazisë gjinore, por përtej këtij fakti që pa dyshim na bën të ndjehemi krenar, ne duhet të bëjmë më shumë në jetësimin e këtij legjislacioni. Jetësim i cili, do të vihet re çdo ditë e më shumë, në numrin më të lartë të grave në pozitat vendimmarrëse, në drejtimin e bizneseve, në pjesëmarrjen në fuqinë punëtore, në zotërimin e pronës, në qasjen në drejtësi, në qasjen në shkollim. Jetësim i cili do të ndikojë në cilësinë e jetës që i ofrohet vajzave e grave, e ndërmjet të cilave, në cilësinë dhe mundësitë që i ofrohen fëmijëve e familjes së saj, e nëpërmjet tyre të gjithë komunitetit dhe mbarë shoqërisë. Ajo çfarë ju bie në vesh në mënyrë konstante në adresimin tim është sa shpesh unë përmend fjalën shoqëri ndërsa flas për barazinë gjinore. E bëj këtë për faktin se këto të dyja, shoqëria dhe barazia gjinore, përcaktojnë shkallën e progresit të njëra-tjetrës. Ky vit është i rëndësishëm për agjendën botërore të avancimit të të drejtave të grave në çdo fushë të jetës, pasi shënon 20 vjetorin e Deklaratës së Pekinit dhe Platformës së Veprimit që përfaqëson një nismë të fuqishme me përkrahjen e marrë nga e gjithë bota. Ishte kjo nismë që përcaktoi rëndësinë e marrjes së veprimeve konkrete nga qeveritë e të gjitha vendeve për të garantuar barazinë gjinore si e drejtë njerëzore, si dhe për të korrigjuar padrejtësitë e mosrespektimit të të drejtave të barabarta të grave dhe vajzave në çdo fushë të jetës, padrejtësi që vazhdojnë të jenë ende prezentë fatkeqësisht. Ndërsa entuziazmi për shënimin e dy dekadave përpjekjesh kaploi gjithë botën, e kuptuam që kemi arritur të shendojmë botën në një vend më të sigurt për vajzat dhe gratë, që përfaqësimi i tyre në tavolinat vendimmarrëse është më i lartë, që gratë janë më të përfaqësuara në sektorin e ekonomisë, që qasja e tyre në shkollim është më e garantuar. E kuptuam që ne, si njerëzim, së bashku kemi bërë progres. Por pas dy dekadash e kuptuam edhe që ky progres po vjen shumë ngadalshëm, dhe duhet të angazhohemi shumë më shumë që të garantojmë respektim të dinjitetit social, juridik, ekonomik, politik, trupor të grave dhe vajzave në mbarë botën. Sot në botë janë më pak se 20 gra që udhëheqin me shtetin apo me qeverinë, dhe në nivel botëror niveli i përfaqësimit të grave në Kuvend është 22 për qind. Ne patjetër që ndihemi mirë pasi jemi një ndër shoqëritë në botë që ka një grua në udhëheqjen e saj, ndihemi mirë pasi që mbi 30% e deputetëve të përfaqësuara në Kuvend janë gra, por patjetër që do ndiheshin edhe më mirë, nëse ky progres i yni do të reflektohej edhe në përfaqësimin e denjë të grave në nivelin qendror dhe në atë lokal. Kemi arritur të ndërtojmë praktika të mira në fusha të caktuara të përfaqësimit të gruas, të cilat tashmë po shërbejnë si shembuj edhe për vendet e tjera të rajonit dhe të botës në përgjithësi. Si  formimi  i  Grupit  të  Grave  Deputete,  të  Shoqatës  së  Grave  Police, të  Dhomës  Ekonomike  të  Grave, të  Forumit  të  Grave Gjyqtare dhe  Prokurore, të  Lobit për  Barazi  Gjinore e shumë  të  tjera që  kanë  dëshmuar  rolin  e  rëndësishëm  që  gratë  kanë  në  shoqëri  dhe  kontributin  e  vyer  që  ato  japin  çdo  ditë  në  çdo  fushë  të  jetës. Frymëzohemi çdo ditë nga guximi dhe forca e grave dhe vajzave tona të cilat në çdo kohë, me breza të tërë, kanë dëshmuar se janë të pathyeshme, të gatshme për të bërë çdo sakrificë që ju garanton të ardhmen e fëmijëve dhe familjeve të tyre dhe të zënë vendin e tyre të merituar në shoqëri. E kemi parë te gratë, që kanë ngritur zërin për liri duke marrë përsipër pasojat e rënda të agresorit, e kemi parë te gratë e suksesshme në biznes të cilat përkundrejt vështirësive kanë qenë të vendosura të mos mposhten, e kemi parë të gratë në politik të cilat përtej paragjykime nuk janë zmbrapsur por janë kthyer në zërin e përfaqësuesve të qytetarëve pa dallim, e kemi parë te gazetaret të cilat përkundrejt rrezikut janë udhëhequr nga kërkimi për të nxjerr në pah të vërtetat, e kemi parë të nënat kryefamiljare të Krushës të cilat mbi rrënojat e luftës kanë mbjell farat e suksesit të fëmijëve të tyre, e kemi parë te gratë viktima civile të luftës të cilat janë flijuar për paqen dhe lirinë tonë. E kemi parë se si suksesi i tyre ka tejkaluar kufijtë, dhe i ka dëshmuar botës mbarë, burrave dhe grave, djemve dhe vajzave, se ato nuk mund të mposhten, dhe se do të jenë gjithmonë e më shumë të përkushtuara për të ndërtuar shoqërinë dhe shtetit ku zëri i tyre dëgjohet dhe ku të drejtat e tyre të barabarta do të garantohen. Andaj ne duhet të mbesim të përkushtuar dhe të vendosur, si institucione dhe shoqëri, që mos të bëjmë hapa prapa sepse vetëm kështu garantohet suksesi  në arritjet që ne kemi bërë deri më tani dhe qëndrueshmërinë e kësaj arritjeje, por të ndërtojmë mbi to dhe të garantojmë trajtimin e barabartë të të drejtave të grave dhe vajzave, ashtu si edhe të burrave dhe djemve. Të dashura mike,Gjatë kësaj jave do bëheni pjesë e diskutimeve të rëndësishme që ndërlidhen me garantimin e barazisë gjinore, si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, avancimi ekonomik dhe qasje në pronësi, përfaqësimi politik si dhe procesi i ndërtimit të paqes për të gjithë qytetarët e vendit duke përfshirë rehabilitimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Në të gjitha këto diskutime do të dal në pah, se çelësi i avancimit të gjithmbarshëm shoqëror është në atë dhe të vetme në integrimin e plotë të gruas. Do të dal në pah se qasja në pronësi është një e drejtë themelore e njeriut dhe është kyçe për fuqizimin ekonomik të grave, fuqizim i cili garanton punësim, fuqizim i cili garanton mirëqenie të përgjithshme financiare e ekonomike dhe të ardhme më të mirë për të gjithë familjen dhe shoqërinë. Në këto diskutime do të dal në pah edhe se sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit, se ndërtimi i politikave të gjithmbarshme shoqërore është më efektiv dhe gjithëpërfshirës ndaj nevojave të qytetarëve pa dallim kur gratë janë pjesë e tavolinave vendimmarrëse. Do të dal në pah rëndësia e respektimit të të drejtave të gjitha viktimave civile të luftës për të konsoliduar shtetësinë tonë sepse këtë ua kemi për borxh. Beteja për garantimin e barazisë gjinore, është betejë e të gjithë shoqërisë, e grave dhe burrave, pasi efektet pozitive të saj prekin të gjithë shoqërinë pa dallim gjinie. Respektimi i të drejtave të njeriut është obligim qytetar dhe institucional përmbushja e të cilave i takon grave dhe burrave njësoj. Ju të dashura mike, ndërsa do ta konfirmoni bindjen se me përkushtim do arrini të prekni ëndrrat tuaja, jam e sigurt që gjatë kësaj jave, do frymëzoheni të ëndërroni edhe më shumë, të ëndërroni edhe për gjeneratat e ardhshme për të cilat jeni tashmë duke ndërtuar shoqërinë e vlerave pa dallim gjinie. Krejt në fund dua t’ju lë me shprehjen e asaj që u njoh si Mbretëresha e xhazit, e cila hyri në histori si afro-amerikania e parë që ka fituar çmimin e muzikës grammy, Ella Fitzgerald: Ajo thoshte: “Mos hiqni dorë nga përpjekjet tuaja për të bërë çfarë në të vërtetë dëshironi. Aty ku ka dashuri dhe frymëzim, e di që nuk do të dështoni”. Sepse ju nuk do të dështoni. Ju uroj një javë të suksesshme dhe ju garantoj sepse keni pasur për këto katër vite me radhë një përkrahje të fuqishme e të pakursyer dhe një aleate të fuqishme në mua personalisht, por edhe Zyrën e Presidentit. Disa minuta para se ta marrë fjalën, bisedova me dy përfaqësuesit e NDI-së dhe USAID-it që besojnë në këto rezultate katërvjeçare që kemi arritur si Javë e Gruas. Besoj që ne kemi arritur atë shkallë që ne mund të japim edhe një mesazh të fuqishëm në rajon dhe tani duhet të ngrisim mesazhin nga niveli i Kosovës në atë rajonal, që praktikën dhe përvojën e mirë që gjithsecila prej jush ka arritur ta plasojë këtë edhe tek miket e juaja në rajon pa dallim të niveleve dhe diferencave politike. Ju faleminderit dhe punë të mbarë!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.