presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Deklaratë e Presidentes Atifete Jahjaga me rastin e 16-vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s

Sulmet ajrore të NATO-s mbi objektivat ushtarake dhe policore serbe u bënë në mbrojtje të paqes, të parandalimit të gjenocidit, të shpërnguljes me dhunë të popullsisë, të shkatërrimit të jetës dhe pasurisë së qytetarëve të Kosovës.

Këto sulme ishin veprimet më humanitare në historinë e Aleancës Veri Atlantike, si një përcaktim i fuqishëm i botës demokratike kundër politikave agresive dhe në mbrojtje të popullsisë civile. Në shënimin e 16-vjetorit të sulmeve ajrore të NATO-s, kur shënohet fillimi i kthimit të shpresës për qytetarët e Kosovës për një jetë të re, shprehim mirënjohje të përhershme për SHBA-të, vendet anëtare të BE-së dhe të NATO-s, që me përkushtim u angazhuan në mbrojtjen e vlerave të qytetërimit dhe mundësuan që Kosova sot të jetë vend i qytetarëve të lirë dhe të barabartë.  Solidariteti ndërkombëtar, i dëshmuar përmes veprimit të NATO-s përpara 16 vjetësh, tregon humanizmin e botës së përparuar dhe përkushtimin e saj për respektimin e vlerave të demokracisë, duke u bërë një shpresë për paqe dhe siguri, për një jetë të qetë e të sigurt, për përparim dhe zhvillim për të gjithë popujt dhe shtetet.   Në këtë 16 vjetor, Kosova po dëshmon se është shembulli më i mirë i ndërtimit të një shoqërie të të barabartëve, pa dallim, i respektimit të diversitetit edhe kulturor e fetar dhe i ndërtimit mbi bazat e demokracisë. Një shtet, që dëshmon suksesin e përbashkët të qytetarëve e institucioneve të vendit dhe të bashkësisë ndërkombëtare, faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit dhe i fqinjësisë së mirë, shtet i pranuar ndërkombëtarisht me synime të qarta të anëtarësimit në BE, OKB dhe në NATO.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.