DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Osmani në Konferencën “Përmirësimi i qasjes së të mbijetuarave të dhunës me bazë gjinore në nisma për banim social dhe fuqizim ekonomik”

I nderuar z. Kryeministër Kurti
I nderuar ambasador Davenport
I nderuar ambasador Szunyog  
Zonja zëvendëskryeministre Rexhepi,         
Zonja ministre Haxhiu,
Të nderuar kryetar kmomunash,
Zëvendësministër dhe të gjithë ju të pranishëm,

Përfshirë të gjithë ata të pranishëm që po na ndjekin online në këtë diskutim ku flasim për një temë jashtëzakonisht të rëndësishme, për jetën e qytetarëve tanë, në veçanti për gratë dhe vajzat tona.

Realiteti është ky: siguria e grave nuk është e garantuar as brenda mureve të shtëpisë së tyre. Ky fakt është konfirmuar edhe më tutje këto dy vitet e fundit kur bota po përballet me pandeminë dhe kur dhuna mbi baza gjinore ka marrë hov.

Tashmë dihet se në nivel global numri i viktimave të dhunës mbi bazë gjinore i ka arritur majat. Prandaj, me të drejtë po i referohen si një `pandemi nën hije`. Por, ne nuk mund e nuk duhet kurrsesi të heshtim, e as të vëzhgojmë kundrejt një situate të tillë. Jo vetëm reagim, por kemi nevojë për veprim të përbashkët pa dallim kundrejt kësaj të keqeje globale. Sepse heshtja dhe mosveprimi kundrejt një fenomeni të tillë, na bën bashkëpunëtorë në këtë padrejtësi.

Në këtë angazhim asnjëherë nuk mjaftojnë fjalët, pra në këtë drejtim duhet të veprojmë konkretisht: kemi nevojë për ndjekje të protokolleve strikte të shpëtimit, rehabilitimit dhe fuqizimit ekonomik të të mbijetuarave të dhunës mbi baza gjinore.

Shoqëria jonë ka dëshmuar shumë herë përgjatë historisë se di t`i tejkaloj ndasitë dhe gjejë forcë të përballet me të keqen.  

Prandaj sot, karshi këtij fenomeni nuk duhet të jemi vëzhgues e vetëm raportues, por përfundimisht edhe parandalues.

Një shoqëri do të jetë e sigurt vetëm atëherë kur gratë do të ndihen të sigurta në punë, në rrugë dhe në shtëpitë e tyre. Këtë siguri duhet t`ua ofrojmë e t’ua garantojmë ne: institucionet e vendit. Mirëpo, raportimi e adresimi i dhunës nuk mund të kufizohet vetëm në aspektin formal e ligjor. Ne duhet të bëjmë më shumë e të kuptojmë më shumë përmes analizimit të shkaqeve të vërteta dhe kuptimit të barrës së pasojave.

Ofrimi i shërbimeve mbështetëse për të mbijetuarat është më e pakta që mund të bëjmë si shoqëri, është shkalla e parë e reagimit, është detyrim ligjor, por mbi të gjitha është detyrim njerëzor.

E hapi kyç drejt garantimit të sigurisë është garantimi i sigurisë së një jete të jetuar me dinjitet, barazia, dhe mundësitë e barabarta.

Andaj, përveç kujdesit emergjent të shëndetit fizik dhe mendor, akomodimit të sigurt, këshillimit psikosocial, shëndetësor dhe ligjor, strehimi dhe punësimi i qëndrueshëm është kritik për fuqizimin e tyre afatgjatë. Nuk ka mbrojtje më të mirë për të mbijetuarat nga dhuna me bazë gjinore  sesa pavarësia financiare e tyre. Këtë objektiv duhet ta kemi synim të çdoditshëm. Kjo  jo vetëm se do i ndihmonte gratë dhe vajzat personalisht, por dhe shoqërinë tonë kolektivisht.

Pionierja e feminizmit, shkrimtarja Virginia Woolf, afro një shekull më parë thoshte se një grua të shkruan letërsi, duhet të ketë para dhe një dhomë të veten, pikënisje këto të barazisë gjinore. E letra dhe dhoma e asaj kohe, janë edukimi, pavarësimi e fuqizimi ekonomik i ditëve tona.

Të nderuar pjesëmarrës 

Raporti i Policisë së Kosovës shpërfaqë rritje të dhunës mbi baza gjinore në vendin tonë. Në vitin 2020, ishin regjistruar 2069 raste të dhunës, teksa në vitin që lamë pas 2456 raste. Kjo rritje duhet ta mbajë zgjuar ndërgjegjen dhe aktivizmin tonë kundrejt dhunës mbi baza gjinore, ngase nga këto raste të vitit 2021, në 1986 raste, viktima janë gratë e vajzat, teksa vetëm 500 sosh djemtë e burrat.

Statistikat aktuale paraqesin një fotografi jo të këndshme, porse ne nuk duhet të mbesim vetëm peng të numrave, siç nuk duhet të ndalemi që të bëjmë përpjekje që këta numra t`i zvogëlojmë çdo ditë e më shumë.

Më gëzon fakti që Qeveria ka miratuar Strategjinë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave për vitet 2022 – 2025, një dokument jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe një ndër përkushtimet tona kryesore për veprim konkret në këtë drejtim si dhe po ashtu planin e veprimit që ka ardhur bashkë me këtë strategji. Përderisa për disa mund të shihet vetëm si një dokument shtesë, fakti që aprovimi i saj u prioritizua dhe u realizua brenda periudhës së zotuar, e po ashtu duke e bërë konventën e Stambollit si dokument udhërrëfyes më bën të besoj, dhe realisht dua të besoj, që angazhimi në këtë drejtim do të trajtohet me prioritet e urgjencë ashtu siç e meriton.

Për të ndalur këtë epidemi të dhunës, ashtu siç jemi zotuar edhe në Samitin për Demokraci të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të angazhohemi që të rriten dënimet minimale për dhunuesit duke i barazvlerësuar ato me akte terrori – sepse dhuna në familje është terror, por për dallim prej akteve të tjera është terror të cilin viktima e përjeton në vazhdimësi, çdo ditë të jetës së saj.

Përfundimisht, kjo përpjekje duhet të shoqërohet edhe me përmirësimin e infrastrukturës përcjellëse për banim social dhe fuqizim ekonomik të të mbijetuarave nga dhuna mbi baza gjinore.

Aktualisht, në tërë Kosovën ekzistojnë vetëm tetë strehimore të grave të drejtuara nga organizata joqeveritare. Garantimi i  qëndrueshmërisë financiare e buxhetore për strehimoret mbetet një prej problemeve më serioze të trashëguara, por padyshim një obligim që të gjitha do ta trajtojmë me prioritet dhe do ta zgjedhim së shpejti.

Prandaj, bashkërisht, duke përfshirë edhe diskutimin në këto tryeza, duhet ta gjejmë modelin e financimit të këtyre strehimoreve si një parakusht për trajtim të dinjitetshëm të të mbijetuarave të dhunës mbi baza gjinore.

Strehimore të tilla japin një kontribut gjithëpërfshirës dhe të rëndësishëm në riintegrimin e viktimave të dhunës në jetë. Përveç akomodimit dhe strehimit, të mbijetuarat marrin edhe shërbime psikosociale apo shëndetësore. Por mbi të gjitha, ato gjejnë një kulm larg kulmit të shtëpisë, nën të cilin përfundimisht duhet të ndjehen të sigurta.

Nuk duhet të lejojmë viktimizim të dyfishtë të të mbijetuarave të dhunës mbi baza gjinore, prandaj strehimi dhe trajtimi i dinjitetshëm dhe afatgjatë nuk përbën fundin e angazhimit për to. Duhet të lëvizim çdo gurë që secila nga këto të mbijetuara të aftësohen për të gjeneruar mjete për vetëmbajtje, si dhe duhet të mbështetën e fuqizohen përpjekjet dhe ambiciet e tyre për pavarësi e stabilitet financiar. Do ta përmbushim këtë obligim tonë shtetëror, kur secila nga to, pikërisht secila, pa lënë asnjërën prapa do ta kenë një burim të sigurt të ardhurash, si një garancë për stabilitetin e tyre jetësor, largë dhunës dhe të mbrojtura nga dhuna, dhe një përgatitje e aftësim të nevojshëm për të garantuar qëndrueshmërinë e kësaj pavarësie, ku ato po ashtu do t’i kontribuojnë shoqërisë sonë.

Ky fuqizim ekonomik nënkupton edhe sigurinë e tyre, por edhe shmangien e çfarëdo mundësie për riabuzim.

Duhet ta kuptojmë përfundimisht se fuqizimi i grave dhe barazia gjinore kontribuojnë në një performancë ekonomike më të mirë e të gjithmbarshme të shoqërisë dhe për shtetin tonë, dhe na mundëson përmbushjen e qëllimit për një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe të begatshme. 

Synimi ynë është që te kemi një shoqëri humane, e drejtë e ligjore ku gra përkrah burrave kontribuojnë për një Kosovë më të mirë.

Pra, sa më pak viktima të dhunës mbi baza gjinore, më shumë stabilitet shtetëror, shoqëri më e përparuar e më e sigurt, mjedis më i përshtatshëm për zhvillim ekonomik e mirëqenie më e lartë dhe e gjithmbarshme shoqërore.

Për fund dua të  them se, përderisa qasja dhe krijimi i mundësive për qasje në  banime sociale është  një  hap i duhur e i nevojshëm për të  kontribuar në  adresim të  këtij fenomeni, është  angazhimi kolektiv shoqëror për garantimin e sigurisë  në  shtëpi për secilën vajzë  e grua që  na mundëson zgjidhje afatgjatë  dhe shërben si preventivë  karshi këtij problemi. Rruga përpara është e gjatë, por vullneti e vendosmëria jonë për të mbrojtur çdo jetë e për të ngritur vetëdijen në çdo shtresë të shoqërisë është i palëkundur. 

Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.