presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga në Konferencën “Frontiers in Development”

Shkëlqesi, mysafirë të nderuar, zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi e veçantë të rikthehem në Georgetown dhe të jem me ju sot, në këtë tubim të rëndësishëm. Gjatë vizitës sime të fundit në Uashington, në muajin dhjetor, kam pasur nderin t’i bashkohem ftesës së Sekretares Clinton, e cila ka bërë aq shumë gjatë gjithë karrierës së saj dhe sidomos gjatë katër viteve të fundit për ta bërë botën një vend më të mirë dhe të sigurt.Do të doja të falënderoj Administratorin Raj Shah dhe USAID-in për mbajtjen e kësaj konference dhe për të mbledhur së bashku kaq shumë njerëz të suksesshëm, të jashtëzakonshëm dhe të ndritur nga e gjithë bota. Ne jemi këtu për të shtjelluar çështjet që kanë ndikim thelbësor në jetën e njerëzve, të pasurive të vendeve, në të vërtetë të gjendjes së botës. Është me vend që ky diskutim zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, një demokraci e dëshmuar që ushtron një rol të fortë dhe konstruktiv në çështjet globale. Dhe një vend që unë dhe populli i Kosovës e mbajmë afër – shumë afër – zemrave tona. Për takimin tonë në Uashington DC për të diskutuar temën “Kufijtë në Zhvillim,” parashtroj këtë pyetje: Si mund të bashkëpunojnë për të përmirësuar jetën e njerëzve dhe të forcojmë resurset materiale dhe sistemin moral të vlerave shoqërore, ndërkohë që zvogëlojmë konfliktet që prodhojnë trazira, shkatërrojnë jetëra dhe cenojnë përparimin e gjithëmbarshëm? Konfliktet janë të shumta dhe shkaktarët e tyre po shtohen. Konfliktet mund të lindin nga grindjet etnike dhe sektariane, ngërçi politik, privimi ekonomik, apo mungesa e burimeve natyrore.Këto janë pyetje të mëdha për të cilat duhet menduar shumë. Këto pyetje kërkojnë përgjigje nga pothuajse çdo aspekt i përpjekjeve të gjithëmbarshme njerëzore: zhvillimi ekonomik, kohezioni shoqëror, pjesëmarrja politike, inovacioni shkencor dhe shkëmbimi kulturor. Kolektivisht, përgjigjet duhet të dëshmojnë vizion. Për to nevojitet mençuri. Ato kërkojnë lidership. Që kur jam bërë presidente e vendit tim, para më shumë se një vit, kam pasur nderin të përfaqësoj Kosovën në të gjithë botën dhe, siç është rasti këtu, kam takuar udhëheqës që merren me çështje të mëdha më të cilat të gjithë përballemi: pavarësisht nëse jetojmë në Liberi apo Kosovë. Siç e dini, Kosova është shteti më i ri i Evropës në dy aspekte: është pavarësuar në vitin 2008 dhe mosha mesatare e 2 milion qytetarëve tw saj është njëzet e gjashtë vjeç. Sot qëndroj para jush si dikush që e ka të kaluarën të formësuar nga konfliktet që i kemi parë vazhdimisht ne shekullin e 20-të, por sidomos nga lufta e fundit, ne vitin 1999, që më preku mua, familjen time, vendin tone – drejtpërdrejt, dhe që për shumëkënd barti pasoja tragjike. Ishte një luftë që nuk ka qenë e nevojshme të ndodhë. Që nuk është dashur të ndodhë. Por që ngjau për shkak të një diktatori i cili kishte fuqinë për të mbjellur farat e mosbesim dhe për të krijuar frikë. E kishte gabim. Dhe pësoi disfatë. Na ka mbetur ne të rindërtojmë, të zhvillohemi, të kujtojmë, dhe të mos i përsërisim gabimet e së kaluarës. Ky është misioni im, i lindur nga tragjedia e konfliktit të fundit të shekullit të njëzetë, i frymëzuar nga shpresa që lindi ne këtë shekull dhe e mbështetur nga shpirti njerëzor që jeton brenda nesh. Për të patur sukses, ky mision duhet të adresojë pyetjet që i parashtrova më herët. Si mund të bashkëpunojmë për të përmirësuar jetën e njerëzve dhe për të reduktuar mundësitë për konflikt? Përgjigja e parë është që të ndërtojmë demokraci – nëpërmjet shoqërive të hapura që shkëmbejnë informacione. Kur ka informacion, ka dituri. Kur ka debat, ka zgjidhje. Kur nuk ka ndarje të pushtetit, nuk ka sundim të ligjit, nuk ka llogaridhënie; ka abuzim, korrupsion, nënshtrim, dhe indinjatë. Aty ku nuk ka demokraci, ka diktaturë. Dhe kur ka diktaturë, ka konflikt—veçanërisht në kohën e globalizimit dhe epokës së internetit. Këtë e kemi parë në Egjipt dhe Siri—diktatorët krijojnë një stabilitet të rremë që nuk lë mundësi përveç që popujt të realizojnë dëshirën e pamohueshme dhe të drejtën për të qenë të lirë. Kur vjen, demokracia është përjetësim. Por, demokracia është poashtu e komplikuar. Duhet mbajtur zgjedhjet, duhet hartuar politikat, duhet mbrojtur të drejta, pakënaqësi për të adresuar dhe institucione për të ndërtuar. Shpesh, për herë të parë, njerëzit mund të flasin hapur dhe sinqerisht. Për shumë kjo është ndjenjë çliruese. Për të tjerët kjo mund të jetë zhgënjyese kur kuptohet se demokracia nuk përkthehet menjëherë në jetë më të mirë. Ne duhet të mos harrojmë se demokracia funksionon kur i jepet kohë për t’u zhvilluar, për t’u pjekur, dhe për të dhënë rezultate. Njerëzit duhet të kenë qasje në të dhëna për të zhvilluar debat të informuar. Institucionet qeveritare duhet të trajtojnë qytetarët në mënyrë të drejtë, me dinjitet, përderisa i adresojnë nevojat e tyre.  Shoqëritë duhet të zhvillojnë jo vetëm besimin për të përqafuar lirinë, por të sillen me bamirësi dhe mençuri. Vetëm ne këto rrethana demokracia funksionon. Këtë ju tashmë e dini, dhe ky është mesazhi që unë dhe populli i Kosovës e kemi përvetësuar gjatë rrugëtimit tonë nëpër vitet e para si shoqëri e lirë dhe demokratike, duke mësuar, duke u përshtatur dhe duke korrur suksese. Procesi i demokratizimit në Kosovë ka kaluar nëpër sfida të mëdha. Faza e emergjencës, periudha e rindërtimit dhe ringjallja e përgjithshme ishin në harmoni me përpjekjet për ta demokratizuar vendin. Jam krenare që ne këtë periudhë kemi arritur të ndërtojmë pluralizëm dhe të inkurajojmë pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve të Kosovës.Gjatë procesit të ndërtimit të themeleve të shtetit tonë demokratik, ne kemi kërkuar praktikat më të mira ndërkombëtare për t’i zbatuar ato në përputhje me nevojat e Kosovës. Duke u pasuruar me përvojat e qytetarëve tjerë të botës, kemi zbuluar se çfarë dëshirojnë qytetarët tanë nuk është shumë më e ndryshme nga ajo që dëshirojnë të gjithë të tjerët në mbarë botën: ata kërkojnë llogaridhënie nga liderët e tyre, kërkojnë qeverisje më të mirë. Dhe që institucionet t’i shërbejë njerëzit në vend se njerëzit t’iu shërbejnë institucioneve. Dhe ne jemi duke u munduar me fuqinë tonë të plotë për të përmbushur pritjet e tyre.Me të njëjtën vendosmëri po përpiqemi që t’i tejkalojmë dallimet dhe të rivendosim besimin e tronditur që ende ekziston ne sfond si pasoj e trashëgimisë së luftës, sidomos në mes të shumicës shqiptare dhe pakicës serbe. Ne këto pwrpjekje kemi shënuar sukses sepse institucionet e përbëra nga shumica shqiptare kanë ofruar një gamë të gjerë të drejtash dhe garancish ligjore për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit serb, si dhe mënyrën e tyre të jetës dhe traditës fetare në Kosovë. Si rezultat i kësaj, komuniteti serb në shumicën e Kosovës është integruar plotësisht në jetën institucionale dhe në menaxhimin e punëve të përditshme në komunat ku ata banojnë. Para pak kohe, në një vizitë në komunës së Shtërpcës, kam pasur kënaqësinë të vizitoj një panair të organizuar nga gra ndërmarrëse serbe për të cilat shqetësimi kryesor nuk ishte ndarja etnike, por se si më së miri të kontribuohet ne krijimin e një ambient serioz për bizneset e tyre që do të ishte tërheqës për investime të huaja.Përgjigja e dytë për të përmbushur nevojat e qytetarëve në demokracitë ne zhvillim është zhvillimi ekonomik. Kur bëhen sondazhet në vendin tim ashtu si edhe ne shumë vende të tjera, njerëzit duan punë më shumë se çdo gjë tjetër, duan një ekonomi të fortë, kujdes cilësor shëndetësor, arsimim kualitativ dhe një infrastrukturë funksionale. Ata duan të përmirësojnë jetën e tyre në mënyrë që fëmijët e tyre të gëzojnë jetë me të mirë, me më shumë mundësi.Pikërisht kjo është ajo se çka nënkupton zhvillimi: rritjen e hovshme të ekonomive tona, plotësimin e kërkesave të shoqërisë dhe përqendrimin e qeverisë në shërbim të interesit publik. Zhvillimi nënkupton që qeveria të ketë resurset dhe politikat që i lejojnë secilit individ të zhvillojë potencialin e vet, ndërkohë që bën çmos për t’i dhënë mundësi të gjithëve përmes atyre resurseve dhe politikave qeveritare.Vendet nikoqire, sikurse Kosova, janë edhe partner edhe përfitues të ndihmës. Por komuniteti ndërkombëtar duhet të kuptojë se zhvillimi përbën një ekuilibër mes qëllimeve afatshkurtra dhe afatgjata. Komuniteti ndërkombëtar gjithashtu ka nevojë të kuptoj se kur është koha për të ndërhyrë dhe kur për t’i dhënë fund angazhimit të vet, sepse kur ndihma ndërkombëtare vazhdon për një kohë të gjatë ose kur bëhet e gjithanshme, një ndërhyrje qëllimmirë mund të prodhojë rezultate kontraproduktive.Ndonjëherë ky rol i dyfishtë i të qenit partner dhe përfitues mund të ngatërrojë obligimet e qeverive për atë që është dashur të arrijnë, dhe se si ato mund të japin rezultate. Nëse përgjegjësit zhvillimore transferohen shumë ngadalë te institucionet vendore, ato mund të bëhen shumë të varura nga ndihma e jashtme. Kur përgjegjësitë për zhvillim transferohen shumë shpejt, ato vende mund të bëhen të paqëndrueshme. Pranimi i këtij dualiteti është element i rëndësishëm në maksimalizimin e strategjive të zhvillimit, sepse nëse një vend mbetet i varur nga të tjerët për të trajtuar prioritetet e veta kryesore ai vend kurrë nuk mund të zhvillojë aftësinë për t’u kujdesur për vete.Duhet pranuar se me kalimin e kohës, qeveritë, por edhe sektori privat dhe shoqëria civile, duhet të marrin përgjegjësi të plotë në zhvillimin e vendeve të tyre.Shkurtimisht, demokracia dhe zhvillimi shkojnë krah për krahu. Zhvillimi nuk ndodh nëse njerëzve nuk iu dëgjohet zëri për mënyrën se si vendoset të zgjidhen çështjet e tyre. Dhe demokracia nuk mund të lëshojë rrënjë nëse nevojat themelore të njerëzve nuk përmbushen. Siç ka thënë Madeline Albright, mikja ime e cila kurrë nuk pushon të më frymëzuari: “Njerëzit duan bukë për të ngrënë dhe pjesëmarrje ne mënyrën se si qeverisen”.Zhvillimi i vet Kosovës, që nga ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, që i dha fund shtypjes, ishte i shkëlqyeshëm, por ndonjëherë edhe i ngadalshëm. Ky zhvillimi kaloi nëpër faza të ndryshme. Mbi njëqind e njëzet mijë shtëpi të shkatërruara gjatë luftës u rindërtuan me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë, dhe Kosova ka ndryshuar në mënyrë dramatike gjatë viteve; megjithatë, vazhdojmë të jemi thellësisht të shqetësuar nga vuajtjet njerëzore dhe besimi i lëkundur në mes komuniteteve.Ndihma ndërkombëtare në Kosovë ishte thelbësore për t’u ballafaquar me vështirësitë e tranzicionit dhe ringjalljes. Ndihma gjithëpërfshirëse për shtetet post-konfliktuoze është jetike. Periudha e jashtëzakonshme pas luftës në Kosovë ka zgjatur më shumë se sa pritej dhe kjo ka ngadalësuar zhvillimin e vendit në shumë fusha, duke e bërë atë më të varur nga ndihmat e jashtme se sa që ishte parashikuar.Kjo varësi ekonomike dhe politike ndonjëherë ka ngadalësuar procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës dhe konsolidimin e klasës politike të vendit. Zhvillimi i Kosovës, megjithatë, është një histori e përbashkët suksesi edhe pse angazhimi dhe roli i forcave vendase duhej të ketë qenë më i fuqishëm dhe më i drejtpërdrejt në të gjitha fazat e konsolidimit të Kosovës.Kjo brishtësi ka ndikuar në zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës në fushën e politikës, ekonomisë dhe sigurisë. Zhvillimi dhe siguria janë të lidhura ngushtë. Siguria përcakton zhvillimin e një vendi. Kosova kishte një lidhje reciproke të fortë në mes të mekanizmave të brendshëm dhe ndërkombëtare të sigurisë. Forca paqeruajtëse e NATO-s, e vendosur në Kosovë që prej përfundimit të luftës, shpesh ka luajtur rolin jo vetëm të kujdestarit të kufijve të Kosovës me vendet fqinje, por ajo gjithashtu ka ndihmuar komunitetet në Kosovë për të lehtësuar jetën e tyre dhe rindërtimin e lidhjeve mes tyre.Kjo më sjell në përgjigjen time të tretë, mbi sigurinë dhe gjithëpërfshirjen. Shoqëritë në të gjithë botën po ndryshojnë me shpejtësi krahas zhvillimit të mënyrave të reja të të menduari dhe formave të reja të shprehjes. Njerëzit e margjinalizuar historikisht për shkak të normave shoqërore dhe paragjykimeve personale —në lidhje me gjininë, racën, rininë, orientimin seksual dhe aftësitë e kufizuara—po zënë vendin e tyre të merituar.Ne duhet të ndërtojmë një vend për të gjithë, sepse pasurohemi nga përfshirja e tyre, e cila sjellë siguri. Siguria është themeli i procesit të shtet-ndërtimit. Siguria nënkupton zhvillim ekonomik dhe investime dhe siguria garanton ndërtimin e një shoqërie të fortë dhe të respektuar. Kosova është një vend në zhvillim, që ka hedhur themelet e një vendi të së drejtës, që synon të krijoj mundësi të barabarta për gjithë qytetarët e saj. Ne kemi ndërtuar një sistem të shëndoshë ligjor dhe mekanizma të tjerë që garantojnë zbatimin e sundimit të ligjit.Për shumë vite, në vendin tim, uniforma simbolizonte dhunën dhe brutalitetin. Por, në dekadën e fundit, Kosova është bërë një vend në të cilin qytetarët e perceptojnë forcën policore si të veten, një forcë që kujdeset për sigurinë e tyre dhe për sundimin e ligjit, pavarësisht se cilit komunitet etnik i shërbejnë.Unë kam qenë pjesë e ndërtimit të kësaj force dhe jam besimtare e fortë se siguria e një individi dhe siguria e një komuniteti nënkupton sigurinë e tërë vendit. Unë besoj fuqimisht se forcat e sigurisë kanë nevojë të ndërtojnë marrëdhënie me komunitetin dhe të ndihmojnë prosperitetin, zhvillimin dhe demokratizimin e vendit. Policia e Kosovës ka qenë e suksesshme ne këtë ndërmarrje, në tejkalimin e dekadave të mosbesimit që erdhën si pasojë e një historie të gjatë represive të forcave të sigurisë.Duke thënë këtë, gjithashtu dua të theksoj se vendi im, si të gjitha vendet e rajonit dhe ato të Evropës Juglindore, janë përballur me kërcënimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Perceptimi se Kosova është një vend i korruptuar me një shkallë të lartë të krimit të organizuar ndonjëherë ka ngulfatur përpjekjet tona për të paraqitur vendin tonë si një tregim të përbashkët suksesi ndërkombëtar dhe vendor.Si rrjedhojë, unë kam marrë me vendosmëri rolin udhëheqës kundër korrupsionit, një fenomen që po shkatërron ëndrrat e qytetarëve të zakonshëm për një të ardhme më të mirë. Kam themeluar Këshillin Kombëtar Korrupsionit, ku kam mbledhur të gjitha institucionet dhe anëtarë të shoqërisë civile për të gjetur një zgjidhje të përbashkët për të luftuar korrupsionin. Unë kam caktuar prioritete dhe kam vendosur kornizën e përgjithshme për të luftuar këtë sëmundje që po kërcënon shoqërinë e Kosovës, për të cilën kwrkoj rezultate konkrete.Jam e vetëdijshme se kjo iniciativë që e kam nisur, e mbështetur nga shoqëria në përgjithësi dhe institucionet e vendit, është e kufizuar se çfarë mund të arrijë brenda një kohe të shkurtë. Por unë kam vullnetin për të ndryshuar qasjen dhe jam e gatshme për ta bërë këtë. Për hir të Kosovës dhe për hir të gjeneratave të reja të Kosovës, unë kam bërë luftën kundër korrupsionit prioritetin tim më të lartë gjatë kohës sime në detyrë. Ne nuk mund të humbim mundësinë për të ecur përpara dhe për të kërkuar integrimin në mekanizmat ndërkombëtarë. Dhe nuk do ta humbim këtë luftë.Sa i përket gjithëpërfshirës, unë kam një perspektivë të veçantë në këtë drejtim, duke qenë femra e parë ne krye të shtetit tim dhe duke u ngjitur në radhët e një profesioni që ka qenë tradicionalisht i dominuar nga gjinia mashkullore—forca policore. I kam parë dhe i shoh pengesa me të cilat shumë gra në Kosovë përballen: arsimim i mangët, mundësi të kufizuara ekonomike, dhunë në familje. Unë e di se gratë kudo në botë përballen me këto probleme. Kur takohem me gratë në tërë Kosovën, unë i shoh sfidat. Por e shoh edhe pasionin, angazhimin, shtytjen dhe unitetin për të ndryshuar gjërat për të mirë.Ne e dimë se kur gratë marrin ne duar fatin e tyre, si nëna, bashkëshorte dhe si qytetare, dhe marrin pjesë si anëtare fuqiplota të shoqërisë krahas burrave, jo vetëm që gjejnë përmbushjen që u takon, por ato e bëjnë shoqërinë më të fortë dhe qeverinë e shtyejnë të funksionojë më mirë. Unë planifikoj organizimin e një konferencë ndërkombëtare këtë vjeshtë që do t’i shtjellojë pikërisht këto tema.Pra në pyetjen se si të bashkëpunojmë për të përmirësuar jetën e njerëzve, për të forcuar shoqëritë dhe për të reduktuar konfliktin, unë përgjigjem demokracia, zhvillimi, siguria dhe gjithëpërfshirja.Meqë kjo konferencë nisi me ide dhe vizion, duhet gjithashtu të na përforcojë si udhëheqës për të frymëzuar të gjithë botën për një të ardhme më të mirë—një të ardhme ku demokracia është realitet, realiteti është siguri dhe ku kombinimi i të dyjave sjellë një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët.Unë e përqafoj këtë rol, si dhe ofroj dhe kërkoj nga secili prej jush mbështetje për të përmbushur këto detyrime: besim në misionin tonë dhe konfidencë për suksesin e tij.Duartrokas secilin prej jush për përpjekjet tuaja dhe ju falënderoj për vëmendjen tuaj.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.