Është nder i veçantë të mblidhemi në Republikën e Kosovës për të festuar ditëlindjen e Shkëlqesisë së Saj, Mbretëreshës Elizabeth.
I nderuari Ambasador Cliff,I nderuari kryetar i Kuvendit Krasniqi, Të nderuar udhëheqës dhe përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Republikën e Kosovës, Zonja dhe zotërinj,Është nder i veçantë të mblidhemi në Republikën e Kosovës për të festuar ditëlindjen e Shkëlqesisë së Saj, Mbretëreshës Elizabeth. Kjo ditëlindje, përpos që ka simbolikën e saj dhe që paraqet moment krenarie për vendin tuaj, na mundëson njëkohësisht të reflektojmë mbi miqësinë dhe partneritetin mes Britanisë së Madhe dhe Republikës së Kosovës, një marrëdhënie e çmuar e kalitur gjatë një beteje të gjatë për mbijetesë dhe liri të popullit tim dhe e forcuar shumë në procesin e ndërtimit të paqes dhe të shtetit tonë.Britania e Madhe ka qenë dhe mbetet përkrahëse e fuqishme e pavarësisë së Kosovës, shtetësisë tonë, sovranitetit e integritetit territorial dhe konsolidimit tonë në arenën ndërkombëtare. Krahas aleatëve tanë të tjerë, Britania ka bërë përpjekje të mëdha diplomatike dhe ushtarake të na ndihmojë ta fitojmë lirinë tonë. Qytetarët e Kosovës kurrë nuk do ta harrojnë fjalimin e kryeministrit Blair në Chicago kur po i apelonte bashkësisë ndërkombëtare të mos reshtte derisa të fitonte paqen për njerëzit e Kosovës. Kurrë nuk do ta harrojmë zbarkimin e ushtarëve britanikë me bereta të kuqe, të cilët po hapnin rrugë që qindra mijëra refugjatëve t’u mundësohej kthimi në shtëpitë e tyre. Ata dhe mijëra ushtarë tjerë britanikë që kaluan nëpër vendin tonë do të jenë përjetësisht pjesë e pandashme e historisë së Kosovës së re. Ju besuat në vizionin e qytetarëve të Kosovës për ndërtimin e shtetit demokratik dhe multikulturor. Ne e kemi mbajtur këtë premtim. Kosova sot është shtet i të gjithë qytetarëve të saj, të drejtat dhe liritë e të cilëve respektohen, që jetojnë me dinjitet dhe në paqe. Është rrëfim i përbashkët i suksesit i bashkësisë ndërkombëtare dhe popullit të Kosovës. Natyrisht, na mbetet shumë për t’u bërë. Ambasador, ne llogarisim në përkrahjen tuaj të vazhdueshme për të na ndihmuar t’ia zbulojmë botës Kosovën e re, për ta treguar rrëfimin e thesarit dhe traditave të pasura që i ka vendi ynë, të tregojmë se një vend i dërmuar nga lufta po i hapë rrugë një të ardhmeje paqësore dhe të qëndrueshme.Ne llogarisim në mbështetjen tuaj tani kur po i ndërmarrim reformat e nevojshme për të përshpejtuar integrimin tonë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, qëllim ky që na bashkon të gjithëve dhe që nuk ka alternativë.Më lejoni që të ngris dolli për Lartmadhërinë e Saj, për qytetarët e shtetit tuaj dhe për miqësinë e fuqishme mes dy vendeve tona!Ju faleminderit!