Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës,I nderuari ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotëri Dell
Zonja dhe zotërinj,
Sot ju bashkohemi qindra milionë amerikanëve, qytetarëve të botës së lirë, që po kremtojnë 236 vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tokës së mundësive të mëdha.
Po i bashkohemi në festë qytetarëve të këtij shteti, paraardhësit e të cilit krijuan një atdhe ku qytetarët zgjodhën të lidhin fatin e tyre me njëri tjetrin.
Jo për shkak të prejardhjes së tyre, por për të ndjekur një ëndërr të përbashkët.
Ëndrrën e një shembulli të demokracisë ku do të jetojnë të lirë dhe ku do të jenë pjesëmarrës aktivë në drejtimet që merr vendi i tyre.
Për çdo vit, në këtë ditë, përkujtohemi për madhështinë e shoqërisë amerikane dhe atë që kjo shoqëri, së bashku me idealet dhe parimet mbi të cilat është krijuar, paraqesin për botën në të cilën jetojmë. Dhe vlerësojmë në këta, gati, dy shekuj e gjysmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë demokraci e vërtetuar që luajnë rol të fuqishëm dhe thelbësor në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Kjo demokraci sot kultivon dhe ruan vlerat më të rëndësishme të shoqërisë amerikane – lirinë për të zgjedhur, lirinë e shprehjes, lirinë e veprimit.
Si një vend i ri, që ka bërë hapat e parë për të krijuar një shtet të së drejtës të bazuar në parimin qytetar, tashmë e kemi të qartë mundin dhe energjinë që nevojitet për të mobilizuar të gjitha segmentet e shoqërisë, që në mënyrë të bashkërenduar të udhëhiqen nga këto parime. Është një sfidë e pareshtur që kërkon përkushtim dhe devotshmëri dhe besim se liria nuk është zgjedhje, por e drejtë e garantuar që duhet të përjetohet nga të gjithë.
Këtë ideal amerikan se liria është e drejtë askush nuk e ka më të qartë se qytetarët e Kosovës, të cilët në momentet e tyre më të vështira të historisë, atëherë kur edhe qenia e tyre ishte vënë në pikëpyetje, patën pranë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përkushtimin e popullit amerikan, për t’i shpëtuar dhe për t’i ndihmuar të gjejnë paqen.
I nderuar Ambasador Dell, dua t’iu falënderoj ju personalisht për të gjitha që bëtë për ne. Gjatë mandatit tuaj keni ofruar mbështetje të përhershme dhe keni dhëne këshilla të mençura që kanë ndihmuar Kosovën të ecë përpara. Kjo nuk është hera e parë qe ju shërbeni në Kosovë dhe urojmë që kjo të mos jetë as hera e fundit. Kosova është dhe do të mbetet shtëpia juaj.
Më lejoni që në emër të qytetarëve të Kosovës t’iu shpreh admirimin për suksesin e ndërtimit të një shteti shembull në botë. Të festojmë bashkërisht suksesin tonë të përbashkët në Kosovë dhe miqësinë e përjetshme. Amerika është një vend që unë dhe qytetarët e Kosovës do ta kemi gjithmonë shumë, shumë për zemër.
Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti e bekoftë Amerikën dhe miqësinë mes dy vendeve tona!