presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga me rastin e Darkës së Lamës – Ditës së Falënderimit

Jemi mbledhur sot së bashku, të gjithë Ne – Qytetarët e Republikës së Kosovës, me miqtë tanë, në këtë festë në përfundim të të korrave për t’iu gëzuar bereqetit që na e ka falur Zoti, në këtë tokë pjellore të vendit tonë.

Të nderuar qytetarë,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
I nderuari President Sejdiu,
Të nderuar Akademikë,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Republikën e Kosovës,
I nderuar komandant i KFOR-it, Farina,
I nderuar komandant i FSK-së, Kastrati,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar të pranishëm,
 
Jemi mbledhur sot së bashku, të gjithë Ne – Qytetarët e Republikës së Kosovës,  me miqtë tanë, në këtë festë në përfundim të të korrave  për t’iu gëzuar bereqetit që na e ka falur Zoti, në këtë tokë pjellore të vendit tonë.
 
Dita e Falënderimeve është festa jonë tradicionale, e moçme që prej kohëve të dardanëve ilirë, që ka bashkuar të gjithë njerëzit e Kosovës me njëri-tjetrin dhe me të ardhmen e tyre.
 
Kjo është një ditë që na mbledhë të gjithëve përreth sofrës sonë të begatë dhe kur bëhemi bashkë me më të dashurit tanë, pas punëve të kryera të stinës. Por gjithashtu kjo është një ditë kur duhet t’u shtrijmë dorën e ndihmës fqinjëve tanë dhe të gjithë atyre që kanë nevojë për ne.
Në këtë ditë le të jemi falënderues për sigurinë dhe përparimin e vendit tonë. Të jemi falënderues për tokën tonë të begatë dhe për bereqetin që na sjell ajo. Le të jemi falënderues për liritë tona, për të cilat kemi sakrifikuar aq shumë dhe për shëndetin e të gjithë qytetarëve tanë.
 
Le të udhëhiqemi në këtë Ditë të Falënderimeve nga trashëgimia e atyre që kanë sakrifikuar për të tashmen tonë, duke e shndërruar Kosovën, shtetin tonë, në një vend të mundësive të mëdha. Le të udhëhiqemi në këtë ditë të festës sonë tradicionale nga besimi se paqja ndërtohet me mirëkuptim dhe me respekt të ndërsjellë dhe ku qëndrueshmëria jonë varet nga vetë NE – qytetarë të devotshëm të këtij vendi, që duan ta gëzojnë të ardhmen e tyre.
 
Le të punojmë sot, me më shumë besim në vetvete dhe me dashurinë për vendin tonë, të bashkuar dhe një, për ta bërë Kosovën pjesë të pandashme të botës së përparuar dhe një vend të dinjitetshëm për të jetuar.
 
Le të jetë kjo Ditë e Falënderimeve dita e bashkimit tonë si qytetarë, e forcimit të lidhjeve me familjen si një burim i forcës sonë si njerëz, një ditë e besimit në fuqitë tona për një vit të ri, të mbarë e të bereqetshëm.
 
Prandaj le t’i lutemi Zotit për më shumë begati
Që ta ruaj Tokën e Kosovës,
Zoti  Ju bekoftë Juve,
Zoti i Bekoftë miqtë e Kosovës,
Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.