presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga me rastin e zbulimit të shtatores së atdhetarit Ali Ibra

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në ceremoninë e zbulimit të shtatores së Ali Ibrës, në Gjakovë. Në ceremoni ishin të pranishëm edhe kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi e zyrtarë të tjerë të lartë.

Me këtë rast, ajo mbajti një fjalim, të cilin po e sjellim në vijim:  I nderuar Kryeministër Berisha,I nderuar Kryeministër Thaçi,I nderuar Kryetar i Komunës Leka,Të nderuar pasardhës të atdhetarit Ali Ibra, familje e madhe Neza,Të nderuar bashkëqytetarë të mi të Gjakovës, Të nderuar pjesëmarrës ne këtë tubim, që shprehë simbolikën e përpjekjeve tona shekullore për Liri dhe për shtet. Gjakova sot por edhe gjithë Kosova është e nderuar me ngritjen e shtatores së prijësit të Lidhjes Shqiptare, të udhëheqësit të kryengritjeve për çlirim kombëtar, të Komandantit të luftërave për ruajtjen e tërësisë territoriale të tokave Shqiptare. E nderuar Gjakovë, e nderuar Malësi e Gjakovës, Jeni të shënuar për mikpritje dhe bujari, për qytetari dhe për trimëri. Për përkushtim ndaj Atdheut. Kjo anë, gjithmonë gjatë historisë sonë të lavdishme kombëtare ishte e rreshtuar drejt, me nder dhe me dinjitet. Shpesh herë qendër e Lëvizjes Atdhetare. Udhëheqëse e proceseve shtetformuese. Duke i ngritur shtatoret ne vlerësojmë punën dhe nderojmë veprimtarinë e brezave të mëhershëm. Të veprimtarëve që sakrifikuan dhe gjithmonë punuan për atdheun, për popullin tonë, që të dalim ballëhapur përpara historisë. Si një popull i lirë, zot i tokës tonë, i barabartë dhe i dinjitetshëm karshi gjithë popujve të tjerë të botës. Ali Ibër Nezaj është udhëheqës popullor, një nga prijësit e gjithë Malësisë së Gjakovës që organizoi dhe e mblodhi popullin për ta bërë Shqipërinë, për të ruajtur paprekshmërinë e trojeve tona,  për t’i kundërshtuar pazaret mbi kurrizin e popullit tonë. Ali Ibra nuk blihej me tituj e grada. Ai gjithmonë mbeti mbrojtës i interesave të mirëfillta të popullit, duke respektuar plotësisht tolerancën fetare dhe diversitetin kulturor të vendit. Mbronte të vegjlit dhe mbante drejtësi. Nami i tij mbetet i gjallë deri në ditët tona. Si udhërrëfyes përparimi dhe krenarie. Ndihem e nderuar që marrë pjesë në këtë manifestim historik, jam e nderuar qe si bijë e kësaj ane që së bashku të lartësojmë këtë shtatore, që të vazhdojmë traditën atdhetare të të parëve tanë. Urime familje Nezaj,  Urime popull i Gjakovës, Urime Kosovë, Urime Shqipëri. Qofshim gjithmonë!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.