presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALA E PRESIDENTES ATIFETE JAHJAGA ME RASTIN E DITËS SË EVROPËS, 09 MAJ 2012

Dita e sotme që njihet si Dita e Evropës, për Ne vendet e Ballkanit, që synojmë integrimin me popujt e lirë të BE-në, është një ditë e veçantë në kalendarin e festave tona zyrtare.

I nderuari Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian, z. Zbogar, Të nderuar Ambasadorë dhe Anëtarë të Korit Diplomatik, I nderuar Kryeministër Thaçi,Të nderuar Ministra, E nderuara Ministre për Integrim Evropiane, znj. Çitaku, Të nderuar Deputetë, Përfaqësues të shoqërisë civile, Zonja dhe Zotërinj,  Dita e sotme që njihet si Dita e Evropës, për Ne vendet e Ballkanit, që synojmë integrimin me popujt e lirë të BE-në, është një ditë e veçantë në kalendarin e festave tona zyrtare.  Kjo ditë feste simbolizon përparimin si dhe bashkimin në një familje që ndan vlerat e përbashkëta dhe synimet e vizionin e qartë, për një jetë më të mirë për qytetarët.      Vlerat dhe sukseset e Bashkimit Evropian me fuqinë transformuese të tyre kanë  frymëzuar shumë vende të ndërmarrin reforma në të mirë të qytetarit.   Ne, shtetet e Ballkanit Perëndimor, e kemi mundësinë që me vullnet dhe krenari t’i ndjekim idealet dhe vizionin e Bashkimit Evropian, në rrugën e konsolidimit të brendshëm demokratik, përparimit të marrëdhënieve fqinjësore dhe gjatë rrugëtimit tonë të përbashkët drejt Evropës. E ardhmja demokratike e shtetit tonë ka bazë sistemin e qëndrueshëm juridik që garanton mbrojtjen e qytetarit të bazuar në trashëgiminë Evropiane të ideve politike dhe në praktikat më të mira të vendeve demokratike. Zbatimi i Kushtetutës së bashku me sundimin e rendit dhe ligjit siguron shtetin e së drejtës që  mundëson aderimin tonë të sigurt në Bashkimin Evropian.    Ne vendet e  Ballkanit Perëndimor duke u ofruar qytetarëve tonë siguri, prosperitet  dhe duke krijuar kushte dhe mundësi të barabarta për t’i përmbushur ëndrrat e tyre jetësore njëkohësisht punojmë në plotësimin e standardeve në integrimin sa më të shpejtë të popujve dhe vendeve tona në Bashkimin Evropian. Ne jemi te përkushtuar të jetojmë në paqe dhe stabilitet duke ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore,  duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial ndërmjet veti dhe duke ndihmuar njeri tjetrin në rrugën e integrimeve Euro-atlantike.  Politikat e përbashkëta dhe bashkërenditja e veprimeve tona si rajon na ndihmon të përcaktojmë prioritetet, na mundëson që bashkërisht të rrisim peshën dhe të forcohemi si faktor në skenën ndërkombëtare. Sepse kjo karakterizohet me varshmërinë e ndërsjellë ekonomike, lidhshmërinë e tregjeve dhe të resurseve. Republika e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, është më se e domosdoshme  të jetë anëtare e barabartë e të gjitha organizatave dhe mekanizmave ndërkombëtare duke dhënë kontributin e saj në të gjitha proceset bashkëkohore. Bashkimi Evropian si bashkësi e shteteve të pavarura është  një fenomen deri tani i paparë në historinë e njerëzimit dhe ajo që unë mendoj është se sot multipolariteti i botës nuk matet me fuqinë e shteteve individuale, as me ndikimin e dominimin në kontinentin e caktuar, por me pjesëmarrjen dhe me kontributin në strukturën ndërkombëtare të paqes dhe stabilitetit.  Ajo që unë e vlerësoj sot si multipolaritet është Bashkimi Evropian, është NATO, është Organizata e Kombeve të Bashkuara, aleanca që tubojnë rreth vetes shoqëri që kanë një vizion të bazuar në dinjitet, në liri dhe barazi,  dhe në ndihmë reciproke. Sot të gjithë Ne vendet e rajonit, jemi të orientuar të ndihmojmë njëri tjetrin, të bashkërendojmë veprimet tona sepse vetëm kështu mund të ndërtojmë një të ardhme më prosperuese për popujt dhe vendet tona.  Jemi në një moment të rëndësishëm për të përmbushur ëndrrën tonë të integrimit në Bashkimin Evropian. Republika e Kosovës dhe Bashkimi Evropian kanë shënuar një faqe të re në marrëdhëniet dypalëshe, me lansimin e Studimit të Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Ascociimit si dhe fillimin e procesit të dialogut për Liberalizim të Vizave, që ofron mundësi të reja për qytetarët e vendit dhe për ekonominë tonë.  Lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, dhe kapitalit, që janë parimet të cilat  Bashkimi Evropian i konsideron themelore, konsiderohen parime edhe të qytetarëve të Kosovës.  Jemi të përkushtuar që të përmbushim të gjitha kriteret dhe obligimet tona në rrugën e integrimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian. Qytetarët tanë na kërkojnë, me plotë të drejtë, që me vullnet dhe përkushtim të plotë të vazhdojmë përmbushjen e kritereve politike, ekonomike dhe ligjore për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Por, suksesi i integrimit tonë në Evropë varet nga të gjithë ne: institucionet, partitë politike, shoqëria civile dhe nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.  Evropa me vullnet të njëzëshëm politik po del nga secila betejë edhe më e fuqishme. Përkushtimi i Evropianëve për të gjetur modalitetet e forcimit të bllokut demokratik dëshmon me seriozitet dhe me plotë përgjegjësi se sfidat e momentit nuk kërcënojnë vizionin dhe misionin e BE-së për një Evropë të bashkuar dhe jemi te vetëdijshëm se  Bashkimi Evropian do ta përmbushë plotësisht vizionin e saj vetëm atëherë kur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen Familjes Evropiane. Z. Zbogar,Të nderuar pjesëmarrës, Në këtë ditë simbolike që po shënojmë sot, dëshiroj të theksoj edhe një herë përkushtimin dhe vullnetin e Republikës së Kosovës, të gjithë qytetarëve të saj, për t’ju bashkuar familjes suaj;  ju si aleatë dhe partnerët tanë e keni besimin tek ne, ashtu siç ne kemi besim tek ju, në zotësinë dhe fuqinë transformuese të Bashkimit Evropian. Së bashku do të tejkalojmë çdo sfidë që do të hasim në rrugën tonë drejt Evropës.  Në këtë ditë, ta ngremë një dolli për vizionin e bashkimit të popujve të lirë të Evropës!  Gëzuar!  

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.