Prishtinë, 11 qershor 2007 – Në takimin e sotëm Ekipi i Unitetit përshëndeti sërish qëndrimin e presidentit Bush për pavarësinë e Kosovës, ndërsa Presidenti Sejdiu tha se Kosova do të vazhdojë angazhimet për përgatitjen e fazës së transicionit.
Ekipi i Unitetit i miratoi kriteret e shpalljes së konkursit për simbolet shtetërore. Tashmë është në dorën e Kryesisë së Kuvendit që ta shpallë konkursin për flamurin dhe stemën, derisa për himnin do të procedohet më vonë. Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, theksoi se kriteret janë bazuar në pakon e Ahtisarit. Ai, po ashtu, pohoi se Kosova do t’i vazhdojë angazhimet për përgatitjen e fazës së transicionit, pavarësisht sa do të vonohet miratimi i rezolutës së re në Këshillin e Sigurimit. Presidenti shfaqi edhe një herë besimin se ky proces do të përmbyllet sa më shpejt dhe çmoi përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian në këtë proces.