presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Dr. Ibrahim Rugova

DR. IBRAHIM RUGOVA

PRESIDENTI HISTORIK I REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Shënime biografike: letrare dhe politike

Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen e kreu në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984. Në vitin 1996 Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë punoi edhe në revistën Fjala. Mandej, për afro dy dekada, Dr. Ibrahim Rugova veprimtarinë e vet shkencore e zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike të këtij Instituti. Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.

Dr. Ibrahim Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila kundërshtoi sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes. Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992. Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.

Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe n zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK fitoi edhe zgjedhjet e fundit nacionale më 2004.

Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004.

Dr. Ibrahim Rugova vdiq më 21 kallnor 2006 në Prishtinë dhe u varros në Bregun e Diellit me nderimet më të mëdha të popullit të Kosovës.

Në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2007, Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, dekoroi Presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Ibrahim Rugova ka botuar këto vepra:

– Prekje lirike, Rilindja, Prishtinë, 1971,
– Kah teoria, Rilindja, Prishtinë, 1978,
– Bibliografia e kritikës letrare shqiptare 1944-1974, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1976 (së bashku me Isak Shemën),
– Kritika letrare (nga De Rada te Migjeni), Rilindja, Prishtinë, 1979 (së bashku me Sabri Hamitin),
– Strategjia e kuptimit, Rilindja, Prishtinë, 1980
– Vepra e Bogdanit 1675-1685, Rilindja, Prishtinë, 1982,
– Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1986
– Refuzimi estetik, Rilindja, Prishtinë, 1987,
– Pavarësia dhe demokracia, Fjala, Prishtinë, 1991,
– Çështja e Kosovës, Dukagjini, Pejë, 1994,
– Kompleti i veprave të Ibrahim Rugovës në tetë vëllime, Faik Konica, Prishtinë, 2005

Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë të Ibrahim Rugovës:

– Më 1995, Dr. Ibrahim Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.
– Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII, Sorbonë, Francë.
– Më 1998, Dr. Ibrahim Rugovës iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.
– Në vitin 1999, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster, Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedik, Milano dhe Breshia.
– Në vitin 2000, Dr. Ibrahim Rugova mori çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguerra” në Barcelonë, Spanjë.
– Në vitin 2004 Dr. Ibrahim Rugova u nderua me Çmimin e Evropës, Senator Nderi nga Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi.
– U nderua gjithashtu nga Komonuelthi i Pensilvanisë (SHBA), “Mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
– Më 2004, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.

Fjalime të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova

Për gati tri vjet pas luftës, Kosova në liri ka pasur një progres të madh së bashku me UNMIK-un, KFOR-in dhe OSBE-në në të gjitha fushat e jetës.

Po ashtu, Zgjedhjet lokale të vitit 2000 dhe Zgjedhjet nacionale të vitit të kaluar ishin një progres i madh në vendosjen e rendit demokratik në Kosovë. Në këto zgjedhje populli i Kosovës tregoi një kulturë të lartë demokratike e politike. Dhe, këto ditë, po përfundojmë me sukses implementimin e Zgjedhjeve nacionale për ndërtimin e institucioneve të Kosovës.

Sot ndihem shumë i nderuar për besimin që ma dha Kuvendi i Kosovës për të marrë përsipër Zyrën e Presidentit të Kosovës. Ky është një nderim dhe obligim i madh për mua. Ju siguroj se Presidenca e Kosovës do të shprehë unitetin e popullit dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Brenda fuqive të mia do të punoj për të mirën dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Njëherësh do të punojmë që të kemi një ndarje dhe koordinim të pushtetit të degës legjislative, ekzekutive dhe pavarësi të gjykatave, që t’u përgjigjen kërkesave dhe interesave të qytetarëve. Pra, do të kemi një Presidencë të unitetit, Kuvend demokratik dhe Qeveri efektive e stabile, me të gjitha ministritë, për të siguruar një shtet të së drejtës dhe të sigurt për të gjithë.

Në punën tonë të ardhshme të të gjitha institucioneve të Kosovës do të jetë koncentrimi në zhvillimin ekonomik, në sigurimin e investimeve dhe në privatizimin me prioritet. Pra, do të punojmë të kemi një ekonomi të hapur e konkurrente, për të krijuar vende të reja të punës për të rinjtë e Kosovës, që përbëjnë pjesën më të madhe të popullatës sonë.

Po ashtu, do të punojmë në integrimin e grupeve etnike në jetën politike, ekonomike e sociale të Kosovës. Pra, jo vetëm mbrojtje klasike, por integrim të plotë të tyre dhe garantim të ruajtjes së identitetit të tyre. Ne, si shumicë kosovare-shqiptare, kemi përgjegjësi për integrimin e serbëve, të boshnjakëve, të turqve, të romëve dhe të ashkalinjve e egjiptianëve kosovarë në shoqërinë e Kosovës. Pra, të gjithë ne jemi kosovarë dhe do të veprojmë si kosovarë, në të mirë të Kosovës.

Kujdes të veçantë do të kemi për forcimin e SHPK-së dhe TMK-së në punën e tyre.

Do të punojmë që të zhvillojmë edhe shoqërinë civile dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët. Do të zhvillojmë një shoqëri të tolerancës, të mirëkuptimit e të pajtimit midis njerëzve dhe të respektimit të njëri-tjetrit.

Do të punojmë së bashku në ndërtimin e një Kosove të lirë, demokratike, paqësore, prosperuese, të pavarur e të integruar në Bashkimin Evropian, në strukturat Veriatlantike dhe në marrëdhënie miqësore me SHBA, në bazë të vullnetit politik e demokratik të popullit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Kjo është e ardhmja e Kosovës, që tashmë ka filluar. Njohja formale e pavarësisë së Kosovës do ta siguronte dhe shpejtonte këtë proces.

Do të punojmë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët tani, si dhe për krijimin e miqësisë me popujt e rajonit tonë dhe të botës.

Jemi të bindur se të gjithë duhet të punojmë për një Kosovë të lirë në bashkësinë e popujve të botës së lirë. Për një Kosovë prosperuese e më të pasur për ne dhe fëmijët tanë.

Do të zhvillojmë një bashkëpunim të ngushtë me UNMIK-un në konsolidimin e institucioneve demokratike të Kosovës, si dhe me OSBE-në. Ndërsa, me KFOR-in do të punojmë ngushtë në forcimin e sigurisë, i cili deri tash ka bërë dhe po bën një punë të shkëlqyeshme.

Kam nderin që nga kjo Mbledhje solemne e Kuvendit të Kosovës të përshëndes Presidentin Bush, Kryeministrin Bler, Presidentin Shirak, Kancelarin Shrëder dhe Kryeministrin Berluskoni, për angazhimin e tyre për prosperitetin e Kosovës. Përshëndetje të veçantë i shprehim Atit të Shenjtë, Papa Gjon Pali II, për kujdesin e tij të përhershëm për Kosovën.

Me këtë rast dëshiroj të falënderoj ambasadorin Menzis për angazhimin e tij të palodhshëm gjatë kësaj kohe për ndërtimin e institucioneve të Kosovës, si dhe shefin e Zyrës britanike, zotin Llojd, të Zyrës gjermane, zotin Shmunk, të Zyrës franceze, zotin Garanshe, të Zyrës italiane, zotin Tafur, si dhe të Zyrës kanadeze, zotin Barber.

Po ashtu, falënderojmë Komisionerin për Politikë të Jashtme dhe Siguri në BE, zotin Solana që u angazhua në këtë proces.

Në mënyrë të veçantë falënderojmë zotin Shtajner, i cili na ndihmoi shumë për të arritur marrëveshjen për përfundimin me sukses të ndërtimit të institucioneve të Kosovës. Falënderojmë të gjitha partitë politike që u treguan konstruktive në arritjen e suksesit për ndërtimin e institucioneve të Kosovës, kryetarin e PDK-së, z. H. Thaçi, kryetarin e AAK-së, z. R. Haradinaj dhe prof. Mark Krasniqin.

Në fund të këtij procesi demokratik mund të themi se gjithë kjo ishte një përvojë demokratike për ne dhe për qytetarët e Kosovës. Duhet të mendojmë që për zgjedhjet e ardhshme të zgjedhim një sistem elektoral më të thjeshtë dhe më efektiv. Kjo tregon se kosovarët i pranojnë proceset demokratike dhe se dine dhe janë të aftë të udhëheqin veten dhe vendin e tyre.

Kryeministri Rexhepi dhe Qeveria do të gëzojnë përkrahjen tonë.

Edhe një fjalë: të gjithë jemi pajtuar se këto zgjedhje dhe ndërtimi i institucioneve janë një ngjarje historike në historinë më të re të Kosovës.

Në këtë kuptim ambasadori Menzis ka propozuar që 10 dhjetori – Dita e Konstituimit të Kuvendit të Kosovës të shpallet Ditë nacionale. Sugjeroj që Kuvendi i Kosovës të marrë parasysh këtë propozim kur të vendosë në të ardhmen për këtë çështje.

Në fund të kësaj fjale dëshiroj të them se dyert e Presidencës së Kosovës do të jenë të hapura për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe do të gëzojnë përkrahjen tone. Prandaj, i ftojmë të gjithë qytetarët për bashkëpunim, sepse Presidenca dhe institucionet e tjera të Kosovës do të jenë në shërbim të tyre. Janë institucionet tuaja, qytetarë të dashur, pra, t’i respektoni dhe t’i përkrahni. Unë do të jem në shërbimin tuaj për të mirën e Kosovës.

Jam i bindur se do të kemi përkrahjen tuaj për fillimin e ndërtimit të një pallati presidencial – një shtëpie të bardhë të Kosovës, që do të jetë shtëpi e të gjithë kosovarëve.

Qytetarë të dashur, përkundër obligimeve të përditshme, çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur “Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?”.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj.

(Fjala e Presidentit të Kosovës para gazetarëve me rastin e zgjedhjes së tij si President i vendit më 4 mars 2002)

Sot po bëjmë përurimin e Shtëpisë së Pavarësisë së Kosovës. Këtë akt solemn po e bëjmë në ditën e themelimit të LDK-së, më 23 dhjetor, pra në 13-vjetorin e jetës së saj. E bëjmë këtë akt solemn në 13-vjetorin e themelimit të LDK-së, sepse LDK-ja ishte që nga fillimi themelimi dhe bërthama e institucioneve të Kosovës.

Menjëherë pas themelimit të LDK-së dhe institucioneve të tjera u morën vendime të mëdha në këtë shtëpi, dhe kjo shtëpi është, shtëpi Pavarësisë, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës.

Ajo ishte seli e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, e cila po ashtu ishte ndër bërthamat e para të lirisë dhe të pavarësisë së popullit të Kosovës. Në këtë shtëpi u shtyp dhe u përkrah Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, Kushtetuta e Republikës dhe u organizua Referendumi për Pavarësinë e Kosovës më 1991. Pastaj u nxor dokumenti i tri opsioneve nga të gjitha partitë politike të trojeve shqiptare, u organizuan zgjedhjet e para parlamentare – presidenciale më 1992 dhe akte të tjera.

Këtu u themelua edhe Qeveria e Republikës së Kosovës që veproi me ministritë e veta, siç ishin Ministria e Arsimit, e Shëndetësisë dhe këtu përmes këshillave të arsimit e të shëndetësisë, pastaj të financave, Ministria e Mbrojtjes, ajo e Punëve të Brendshme dhe po ashtu më 1998 u mbajtën përsëri zgjedhjet e dyta nacionale dhe përfaqësuesit politikë të UÇK-së kanë mbajtur këtu konferencat për shtyp, pra zëdhënësi i veprimeve të tyre në terren.

Për dhjetë vjet, kjo shtëpi ishte shtëpi e të gjitha institucioneve të Kosovës, e shoqërisë civile të të gjitha grupeve, e partive politike, ishte shtëpi e popullit të Kosovës, sepse nëpër të kaluan me mijëra qytetarë të Kosovës për t’i plotësuar nevojat e jetës së përditshme dhe për të marrë pjesë në aktet madhore me rëndësi kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Kjo shtëpi u bë forca gravituese e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci. Ishte kjo shtëpi shtetërore e Kosovës, po ashtu ishte shtëpi përfaqësuese e Kosovës dhe e interesave të saj, sepse nëpër të kanë kaluar me qindra diplomat, kongresmenë, senator e deputetë amerikanë, evropianë dhe të shumë vendeve të tjera. Edhe nga bota u bë shtëpi e nderuar nga të gjithë.

Përurimi i kësaj shtëpie është shenjë e progresit të Kosovës së lire që tre vjet e gjysmë në liri, dhe njohja formale e pavarësisë së Kosovës do të ishte vazhdim i kësaj shtëpie. Me një vendim të veçantë e kam shpallur “Shtëpi të Pavarësisë së Kosovës”, e cila do të ketë edhe objekte përcjellëse si tërësi e kompleksit të pavarësisë që do të ndërtohet në të ardhmen. Për Shoqatën e Shkrimtarëve do të gjendet zgjidhje afatgjate dhe shkrimtarët do të kenë një objekt të vetin ku do të veprojnë.

Kjo shtëpi, do të hapet për publik më 2 korrik 2003, pasi të kenë përfunduar të gjitha punimet dhe të jetë kompletuar.

Sot kjo shtëpi e rindërtuar është bërë sikur shumë shtëpi të rindërtuara të Kosovës. Kjo shtëpi sot edhe formalisht po hyn në historinë e Kosovës si shtëpi e ndritur, e cila do ta ruajë kujtesën historike që të na japë shtytje për të ardhmen. Përkujtojmë me pietet të lartë të gjithë që nuk janë më me ne si professor Agani, Enver Maloku, Xhemail Mustafa, Shaban Manaj, Ismet Rraci, Smajl Hajdaraj, Ukë Bytyçi, dhe të tjerët që kanë rënë në fushat e luftës.

Mund të themi se pas Shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit, që ishte shtëpi e lidhjes së të gjithë shqiptarëve, sot në kryeqytetin e Kosovës po e përurojmë Shtëpinë e Pavarësisë, që do të jetë shtëpi e lirisë, e pavarësisë, e popullit të Kosovës.

Nga ky solemnitet përshëndesim UNMIK-un, KFOR-in, OSBE-në, pastaj Presidentin Bush, Kryeministrin Bler, Presidentin Shirak, Kancelarin Shrëder dhe Kryeministrin Berluskoni dhe në mënyrë të veçantë Atin e shenjtë, Papa Gjon Palin II, që gjithmonë përkujdeset për Kosovën.

 

           Me fat Krishtlindjet dhe Viti i Ri!

           Me fat “Shtëpia e Pavarësisë”së Kosovës!

 

           Zoti e bekoftë Kosovën!

 

(Fjalimi i Presidentit Rugova në përurimin e Shtëpisë së Pavarësisë së Kosovës, në Prishtinë, më 23 dhjetor 2002)

Jemi tubuar sot në këtë akademi solemne për një ditë solemne të historisë sonë, në 125-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Kjo ditë solemne bëhet edhe më e madhe, sepse për herë të parë po e kremtojmë në Kosovën e lirë, çfarë ishte ëndërr dhe projekt i burrave të mëdhenj të Lidhjes së Prizrenit.

Lidhja e Prizrenit ishte lëvizje për themelimin e shtetit modern shqiptar. Ishte lëvizje për mbrojtjen e territoreve shqiptare dhe për çlirimin nga Mbretëria Otomane.

Sot mund të themi se ishte lëvizja më e kompletuar për shtetin shqiptar pas rezistencës së shkëlqyeshme të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i cili për 25 vjet rresht e mbrojti vendin e vet dhe botën perëndimore. Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore.

Më 10 qershor të vitit 1878, u mblodhën në Prizren delegatë nga të gjitha viset shqiptare, themeluan institucionet: Kuvendin kombëtar, Qeverinë, sektorin diplomatik dhe forcat mbrojtëse – ushtrinë e vet. Këto institucione funksionuan plot tri vjet rresht. Kuvendi i Prizrenit i kundërshtoi vendimet e Kongresit të Berlinit për shkëputjen e territoreve shqiptare dhe vazhdoi ndërtimin dhe mbrojtjen e shtetit të vet në tërësinë territoriale. Për tri vjet Lidhja e Prizrenit vendosi administratën shqiptare, në Kosovë kryesisht dhe në viset e tjera.

Më 1881 Mbretëria Otomane nuk mundi ta toleronte më ngritjen e shpejtë të shtetit shqiptar dhe vendosi ta shkatërronte atë me forca të armatosura. Pas rezistencës së ashpër të forcave të Lidhjes së Prizrenit nën komandën e Sylejman Vokshit, të luftimeve që u zhvilluan sidomos në Kosovë, u shua kjo lëvizje e shkëlqyeshme. Në këtë kohë njëri nga krerët e Lidhjes së Prizrenit Abdyl Frashëri bashkë me Ymer Prizrenin dhe Sylejman Vokshin thoshte me optimizëm dhe vizion të madh “Ne po mbjellim e të tjerët do të korrin”. Ky ishte vizioni i burrave të mëdhenj të Lidhjes së Prizrenit, të bindur se shpirti i saj do të vazhdojë të jetojë.

Kështu sot mund të themi se Lidhja e Prizrenit ishte një lëvizje e kompletuar shtetërore që i aktivizoi të gjitha fuqitë e një kombi për liri, pavarësi dhe demokraci.

Pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit shqiptarët u forcuan dhe u konsoliduan në planin e brendshëm kulturor, diplomatik e të miqësisë. Kështu më 1899 nën drejtimin e Haxhi Zekës në Pejë u themelua “Lidhja e Pejës” si ringjallje e Lidhjes së Prizrenit që u pranua në të gjitha territoret. Po atë vit Sami Frashëri botoi traktatin e vet një lloj kushtetute për drejtimin e shtetit shqiptar “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”.

Por edhe kjo Lidhja e Pejës u shua nga Porta e Lartë.

Kështu, përpjekjet për liri e pavarësi nuk pushuan as pas shuarjes së Lidhjes së Pejës. Në fillim të viteve 1900 burrat e Lidhjes së Prizrenit dhe brezi tjetër i burrave të kësaj kohe për 34 vjet rresht vazhduan përpjekjet për liri e pavarësi. Kështu më 1912 u shpall pavarësia shqiptare. Pork jo pavarësi u cungua me mbetjen e gjysmës së territoreve shqiptare jashtë shtetit që u njoh nga fuqitë e mëdha. Kjo u sanksionua edhe pas Luftës së Parë Botërore, si dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Në vitet ’90 me fillimin e përfundimit të Luftës së ftohtë dhe me shkatërrimin e një shteti ku u vendos me dhunë Kosova dhe territoret e tjera shqiptare, në Kosovë filloi organizimi i Lëvizjes demokratike për liri, pavarësi e demokraci dhe ndërtoi shtetin e vet.

Objektiv i të gjitha partive politike në viset shqiptare u vendos: Kosova e pavarur, shqiptarët në Maqedoni të jenë në strukturën shtetërore, shqiptarët në Mal të Zi të kenë administratë lokale dhe në Preshevë.

Lëvizja demokratike për liri e pavarësi e Kosovës ishte për integrime evropiane e veriatlantike.

Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 qershor të vitit ’99 Kosova u lirua.

Qe katër vjet pas luftës Kosova ka pasur një progres të mirë në të gjitha fushat e jetës. Kemi bashkëpunim të mirë me UNMIK-un dhe KFOR-in e OSBE-në. Institucionet e Kosovës bashkë me UNMIK-un po përgatiten për zhvillim ekonomik të vendit. Pra do të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike e paqësore me garanca për minoritetet dhe të gjithë qytetarët e saj të integruar në BE, në NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të. Njohja formale e pavarësisë do të qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës dhe do të shpejtonte zhvillimin ekonomik e demokratik.

Në 125-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit do thënë se objektivat e saj ishin legjitime për mbrojtjen e territoreve të veta, ishin objektiva humane si të çdo populli dhe nuk ishte për marrjen e territoreve e të tjerëve.

Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mirë. Nga kjo Akademi solemne përshëndesim Presidentin Bush, Kryeministrin Bler, Presidentin Shirak, Kancelarin Shrëder dhe Kryeministrin Berluskoni. Si gjithmonë përshëndesim Papa Gjon Palin II, që gjithnjë lutet për Kosovën.

Zoti e bekoftë Lidhjen e Prizrenit!

Zoti i bekoftë shqiptarët!

Zoti e bekoftë Kosovën!

 

(Fjalimi i Presidentit Rugova në akademinë solemne kushtuar 125-vjetorit të Lidhjes së

Prizrenit, 9 qershor 2003)

Ky tempull do të jetë më i madhërishëm, sepse e mban emrin e Nënës sonë të madhe Tereze, nobelistes së paqes, dhe i kushtohet asaj. Ky tempull do të rrezatojë paqe, dashuri, mirësi dhe solidarësi të veprës e të figurës së Nënës Tereze. Ky tempull po nis sot, në vitin e shenjtërimit të Nënës Tereze, të Nënës shqiptare, të Nënës së njerëzimit të Nënës universale.

Ndërtimi i këtij tempulli do të thotë se Kosova është vend i paqes, dhe populli i saj është paqësor. Do të thotë se Kosova po ndërton paqen dhe lirinë e vet.

Kosova ka traditë paqësore. Për më shumë se dhjet vjet, e frymëzuar nga Nëna Tereze, Kosova ndërtoi një rezistencë dhe lëvizje paqësore për liri e pavarësi, dhe shtetin e vet që u mbrojt nga kosovarët dhe miqtë tanë SHBA-të, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja. Sot Kosova është e lire, ndërton ardhmërinë e vet dhe pret njohjen formale të pavarësisë, që do të sillte paqe dhe do të qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës.

Ky tempull do të bëhet edhe një vend për bashkimin e të rinjve të Kosovës, një objekt – shtëpi e kulturës, të paqes e dashurisë për njëri-tjetrin, i mësimit të mirësisë që është filozofi bazë e Nënës Tereze. Ky tempull do ta zbukurojë kryeqytetin dhe Kosovën, do të jetë në shërbim të saj, sipas shembullit të Nënës Tereze që i shërbeu Kombit të vet dhe i shërbeu gjithë njerëzimit.

 

Zoti e bekoftë Tempullin e Nënës Tereze!

Zoti e bekoftë Kosovën”

 

(Fjalimi i Presidentit Rugova në ceremoninë e vënies së gurthemelit të “Tempullit të paqes”, kushtuar humanists së madhe shqiptare, Nënës Tereze, 23 gusht 2003)

Përshëndes hapjen e këtij takimi në Vjenë, të rëndësishëm për vendin tim dhe për rajonin e Evropës Juglindore si dhe për BE-në, NATO-n dhe SHBA-të.

Në fillim dëshiroj të flas shkurt për progresin që ka arritur Kosova gjatë katër vjetëve pas luftës, në liri. Kosova ka bërë një progres të madh në të gjitha fushat e jetës.

Gjendja e sigurisë publike është më e mirë. Policia e Kosovës është forcuar dhe kemi filluar specializimin e saj. Kështu policia e Kosovës bashkë me policinë e UNMIK-ut dhe me KFOR-in / NATO-n bën sigurinë e vendit. Në të njejtën kohë është në vendosje e sipër rendi dhe ligji. Gjykatat në të gjitha nivelet po veprojnë deri te Gjykata Supreme e Kosovës.

Do theksuar se Kosova ka pasur progres të mirë dhe në ndërtimin e demokracisë. Gjatë vitit të kaluar u mbajtën zgjedhjet e dyta lokale me mandat katërvjeçar. Qe një vit e gjysmë funksionojnë institucionet qendrore: Parlamenti, Qeveria dhe Presidenti i Kosovës, në bazë të zgjedhjeve nacionale të vitit 2001. Parlamenti i Kosovës ka miratuar me dhjetëra ligje në të gjitha fushat e jetës për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Një progres të shquar kemi pasur edhe në integrimin e grupeve etnike, apo të minoriteteve. Sot të gjitha minoritetet marrin pjesë aktive në të gjitha institucionet e Kosovës, në nivel qendror dhe lokal. Në Parlament dhe në Qeveri kemi vende të rezervuara për minoritetet. Kështu në Parlament, nga 120 vende, 20 janë të rezervuara për minoritetet, plus vendet e fituara me votë. Në Qeveri, e cila ka 10 ministri, dy ministra janë nga minoritetet. Ky është një progres në planin e integrimit administrativ. Duhet thënë se për ditë e më shumë shoqëria e Kosovës po bëhet më e integruar.

Do të punojmë më shumë në planin e komunikimit midis shumicës shqiptare dhe minoriteteve, siç janë serbët, boshnjakët, turqit, goranët, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët. Pra, duhet të punojmë më intensivisht në fushën e pajtimit dhe të mirëkuptimit të të gjithë kosovarëve, proces të cilin e kemi filluar.

Po ashtu në planin e kthimit të refugjatëve kemi shënuar progres.

Janë kthyer mbi 7.000 njerëz të grupeve minoritare, kryesisht serbë. Të gjitha institucionet e Kosovës janë përcaktuar për një kthim individual të të gjithë atyre që dëshirojnë të jetojnë në Kosovë.

Nga shumica shqiptare, qindra-mijëra njerëz, vazhdojnë të qëndrojnë në Evropë dhe SHBA, sepse nuk mund të kthehen për shkak të gjendjes sociale e ekonomike të Kosovës. Unë e them se pas luftës, tash në Kosovë, të gjithë jemi më pak.

Me këtë rast do thënë se edhe në fushën e ekonomisë kemi pasur progres. Sektori privat është mjaft i fuqishëm e dinamik. Kosovarët janë popull ndërmarrës. Vetëm një fakt: 95% të buxhetit Kosova e ka bërë nga të hyrat e veta.

Objektivat e institucioneve shtetërore të Kosovës janë: zhvillimi ekonomik, tërheqja e investimeve dhe krijimi i vendeve të punës për të rinjtë. Këto ditë kemi filluar privatizimin së bashku me UNMIK-un si proces pozitiv ekonomik. Mund të themi se Kosova po hyn në fazën e një jete normale të një vendi.

Është politikë nacionale e Kosovës të ndërtojë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët e saj. Mund të themi se edhe në këtë fushë kemi pasur progres. Kështu me Shqipërinë kemi marrëdhënie të mira, me Republikën e Maqedonisë kemi filluar një progres si dhe me Malin e Zi.

Sot jemi tubuar në Vjenë që të fillojmë një proces të marrëdhënieve pozitive fqinjësore me Serbinë në disa fusha praktike me interes për të dy vendet dhe për rajonin e Evropës Juglindore. Për fillim kemi pranuar të bisedojmë për bashkëpunim në fushën e energjisë, që është problem për gjithë rajonin e Evropës Juglindore, pastaj çështjen e të zhdukurve nga lufta që krijon shqetësime të vazhdueshme, për çështjen e kthimit të refugjatëve në baza individuale të atyre që dëshirojnë të jetojnë në Kosovë, si dhe për çështje të transportit dhe të telekomunikacionit, që është me rëndësi për të dy vendet dhe për rajonin. Me këtë rast do të themelohen grupe punuese, të cilat do të prodhojnë marrëveshje në nivel të dy vendeve.

Sot këtu, në Vjenë jemi takuar për të biseduar për disa çështje praktike midis dy vendeve, Serbisë dhe Kosovës. Dëshiroj të theksoj se është pozitive se të gjitha vendet e rajonit të Evropës Juglindore aspirojnë për integrim në BE dhe në NATO. Këtë e aspiron dhe po përgaditet edhe vendi im, Kosova. Pra, një Kosovë demokratike, paqësore e pavarur dhe e integruar në BE e NATO dhe në miqësi permanente me SHBA. Ky aspirim është në të mirë të qytetarëve të Kosovës dhe do ta qetësonte rajonin e Evropës Juglindore. Kosova është e gatshme t’i pranojë obligimet ndërkombëtare.

Do të përdor autoritetin tim së bashku me PSSP-në, zotin Holkeri, që në bisedat rreth çështjeve praktike të involvohen strukturat qeveritare të Kosovës.

Ndërsa gjendemi në këtë takim, dëshiroj të theksoj se e kaluara nuk bën të harrohet, sepse mund të përsëritet në forma më të këqija, por duhet të shikojmë kah e ardhmja. Shpresoj se një ditë Serbia do të kërkojë falje për masakrat e luftës në Kosovë, që do t’i lehtësonte marrëdhëniet midis dy vendeve dhe dy popujve.

Nga ky takim i Vjenës, e përshëndesim Presidentin Bush, Kryeministrin Bler, Presidentin Shirak, Kancelarin Shrëder dhe Kryeministrin Berluskoni.

Përshëndetje të veçantë i bëjmë Atit të Shenjtë Papa Gjon Pali II, që gjithmonë lutet për Kosovën dhe paqen e popujve.

Me këtë rast e falënderoj zotin Holkeri që ka punuar shumë për realizimin e këtij takimi.

Po ashtu e falënderoj Presidentin Klestil, Kancelarin Shysel dhe Qeverinë austriake për mikpritjen, ashtu siç di Vjena ta bëjë këtë.

(Fjalimi i Presidentit Rugova në takimin e parë të dialogut Prishtinë-Beograd për çështje teknike, mbajtur më 14 tetor 2003 në Vjenë)

I nderuari Kryetari Daci,

I nderuari Zoti Brayshaw,

Të nderuar përfaqësues të KFOR-it,

I nderuari Gjeneral Beck,

Të nderuar deputetë e ministra,

Të nderuar kryetarë të komunave,

Të nderuar përfaqësues diplomatikë në Prishtinë,

Zonja dhe zotërinj,

 

Me kënaqësi të veçantë Ju kam ftuar sot në këtë ditë me rastin e Festës Tradicionale kosovare të Ditës së Falënderimit-Darkës së Lamës.

Festa e Ditës së Falënderimit, Darka e Lamës është një festë tradicionale popullore dhe familjare e Kosovës dhe në viset e tjera shqiptare.

Festa e Darkës së Lamës është shumë e vjetër. Autorët antikë e kanë shënuar që nga shekulli V para Krishtit si festë e vitit te ilirët, të parët tanë, pra te shqiptarët që është festuar rreth 23 tetorit.

Autorëve antikë u aka tërhequr vëmendjen kjo festë e rëndësishme e kulturës shqiptare.

Kjo festë nëpër shekuj është ruajtur deri në ditët tona. Populli ynë ka shumë festa të vitit, që lidhen me solsticin, si shumë popuj të tjerë, që përmbyllen me Darkën e Lamës, që është më e njohura në Kosovë.

Vitin e kaluar e kam shpallur festë tradicionale shtetërore të Kosovës, që do të festohet në çdo familje dhe nga të gjithë qytetarët e vendit tonë, Kosovës.

Në këtë ditë kemi menduar si të parët tanë, t’i bëjmë falënderim Zotit për të mirat që na i ka falur brenda një viti dhe t’i lutemi Atij që në vitin tjetër, në motin tjetër të na falë, të na dhurojë më shumë të mira.

Kjo ditë Falënderimi, pra Darka e Lamës na obligon dhe na përkujton se duhet t’i shtojmë prodhimet tona të tokës. Po ashtu na obligon që prodhimet e tokës së Kosovës t’i përpunojmë, t’i bëjmë më cilësore për të gjithë qytetarët tanë dhe për eksport për kombet e tjera. Dhe në këtë ditë ne i lutemi Zotit për këtë.

Zonja dhe zotërinj,

Sivjet Festën e Darkës së Lamës po e festojmë në një rreth më të gjerë.

Që nga viti i ardhshëm për ditën e kësaj feste nuk do të punohet dhe do të jetë ditë që i kushtohet falënderimit.

Shpresoj se kjo festë do të pasurohet me forma të ndryshme të manifestimit në të ardhmen.

Ju lutem kënaquni me tryezën e shtruar kryesisht me prodhime kosovare tradicionale.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe të mirat e saj.

Ju faleminderit!

 

(Fjalimi i Presidentit Rugova në Darkën e Lamës, shtruar më 23 tetor, 2003 në Prishtinë)

I nderuari Kryetar Daci,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar të ftuar,

Qytetarë të dashur të Kosovës,

Zonja dhe zotërinj,

 

Ndihem shumë i nderuar që kam mundësi të bëj këtë Fjalim Vjetor para Kuvendit të Kosovës, këtij institucioni të lartë të vendit tonë.

Në fillim dëshiroj t’Ju njoftoj se kam vendosur që Fjalimi Vjetor i Presidentit të Kosovës të mbahet çdo vit në formë tradicionale të enjten e parafundit të janarit. Fjalimi i Presidentit do të bëhet në formë solemne në frymë të vlerësimit të gjendjes të vizionit për kombin në fillim të vitit.

Zonja dhe zotërinj,

Në këto katër vjet e gjysmë në liri Kosova ka pasur një progres të madh në të gjitha fushat e jetës. Mund të themi se këto ishin vite të forcimit të lirisë, të sigurisë, të ekonomisë dhe të demokracisë. Ndërsa sot, pas afër dy vjetësh të ndërtimit të institucioneve shtetërore të Kosovës, do thënë se këto institucione kanë funksionuar me sukses. Kjo ishte një periudhë e konsolidimit të institucioneve nacionale të Kosovës. Me këtë rast do të veçoja punën e Kuvendit të Kosovës, i cili ka miratuar me dhjetëra ligje sistemore bazike dhe ligje të tjera si dhe rezoluta e deklarata të ndryshme në interes të qytetarëve të vendit tone. Mendoj se gjatë kësaj kohe Kuvendi i Kosovës ka kultivuar frymën dhe funksionimin demokratik të institucionit. Po ashtu edhe Qeveria me të gjitha ministritë ka funksionuar mire dhe ka arritur të jetë një ekzekutiv i qëndrueshëm. Presidenti i Kosovës është kujdesuar për funksionimin e institucioneve dhe i ka ndihmuar ato me ide e propozime dhe ka luajtur rolin reprezentativ të popullit dhe të gjithë qytetarëve në vend dhe jashtë. Prioritet kryesor ka qenë ruajtja dhe forcimi i stabilitetit politik dhe shtetëror të vendit. Mund të themi se kemi fituar një përvojë të mirë në funksionimin e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe reprezentativ si dhe të vendosjes së shtetit ligjor.

Do përmendim këtu edhe funksionimin e mirë të pushtetit lokal të vendit, që gjithnjë e më shumë po forcohet, e që ka gëzuar përkrahjen tonë.

Deputetë të nderuar,

Në planin ekonomik Kosova ka pasur progres. Është forcuar sektori privat në të gjitha fushat, që sot përbën gjysmën e ekonomisë. Gjatë kësaj kohe kosovarët kanë treguar shpirtin e tyre ndërmarrës dhe dinamik. Element me rëndësi është edhe buxheti i Kosovës, që mblidhet nga të ardhurat vetanake, çfarë tregon se Kosova është në gjendje të funksionojë si shtet. Euro ka ndikuar në stabilitetin monetar dhe ekonomik. Që dy vjet kemi pasur suficit që do ta përdorim në mënyrë racionale. Herave të tjera duhet të kujdesemi që buxheti të realizohet me kohë, sepse paraja e shpenzuar në kohën e duhur, ka vlerë më të madhe.

Segment me rëndësi në fushën financiare është konsolidimi i bankave në sektorin privat, të cilat duhet të lidhen me bankat ndërkombëtare dhe të ndihmojnë ekonominë e Kosovës dhe qytetarët përmes kredive të ndryshme për prodhim. Do të bëjmë më shumë në stimulimin e eksportit të prodhimeve kosovare në tregjet ndërkombëtare dhe t’i zvoglojmë barrierat e ndryshme, që e pengojnë këtë veprimtari.

Në masë të madhe është përmirësuar infrastruktura e përgjithshme dhe infrastruktura rrugore nacionale e lokale, ku do të realizohen projekte të rëndësishme, si pjesa kosovare e Autostradës Prishtinë – Durrës që ka edhe karakter ndërkombëtar. Edhe trafiku ajror i Kosovës ka pasur sukses nga kompanitë e ndryshme, e sidomos me themelimin e kompanisë ajrore kosovare dhe me modernizimin e Aeroportit të Prishtinës dhe së shpejti të Aeroportit të Gjakovës. Në fushën e telekomunikacionit ka pasur progres në telefoninë mobile e fikse dhe tash po hyjmë në fazën e konkurrencës. Do të forcohet sistemi i internetit.

Zonja dhe zotërinj,

Gjatë kësaj kohe është forcuar siguria publike. Policia e Kosovës sot ka një kontigjent të qëndrueshëm, që duhet të specializohet për detyra të ndryshme. Trupat mbrojtëse të Kosovës kanë arritur fazën e organizimit dhe do të kenë përkrahjen tonë në konsolidimin dhe profesionalizmin e tyre, që do të jenë forcë për detyrat e veta dhe force mbrojtëse në të ardhmen.

Në fushën e arsimit po realizohet procesi i reformave, që të kemi një arsim kompatibil me zhvillimet ekonomike dhe demokratike të vendit. Do të angazhohemi për një kompjuterizim të shkollave, që çdo fëmijë të ketë qasje dhe të mësojë gjuhën angleze, e cila po bëhet gjuhë e dytë në Kosovë.

Shëndetësia gjendet në etapën e reformimit dhe do të ndihmojmë që kjo fushë e rëndësishme të stimulohet dhe do të bëjmë përpjekje për vendosjen e mjekësisë së lartë. Edhe farmaceutika kosovare ka arritur që të anëtarësohet në këtë fushë ndërkombëtare.

Çështjet sociale kanë qenë preokupim për kujdesin ndaj grupeve të caktuara sociale për punësimin e tyre dhe ndihma. Ne duhet të shikojmë mundësitë e konsolidimit të Fondit të pensioneve e të invalidëve të punës e të luftës.

Sektori i bujqësisë ka pasur përparime dhe do të angazhohemi për stimulimin dhe subvencionimin e projekteve në këtë degë, siç veprohet në BE dhe në SHBA si dhe në vende të tjera. Kosova ka një tokë fertile, që është në gjendje të ushqejë popullin e vet.

Në fushën e mbrojtjes së ambientit ka pasur një kujdes të shtuar dhe duhet të bëjmë përpjekje për hartimin e planeve hapësinore nga komunat për të gjitha qytetet dhe vendbanimet në harmoni me planin global hapësinor të vendit tonë, që është në përgaditje e sipër.

Gjatë këtyre viteve është punuar në fushën e sportit, po duhet të angazhohemi më shumë në ndërtimin e infrastrukturës sportive dhe të kultivohet fryma e garës dhe e miqësisë midis të rinjve. Do theksuar se disa federata sportive janë anëtarësuar në federatat ndërkombëtare, si sukses i punës së tyre.

Në fushën e kulturës kemi pasur përparime të qëndrueshme dhe do të bëjmë më shumë për financimin e këtij segmenti me vlerë të vendit tonë dhe afirmimit të këtyre vlerave kosovare në botë.

Kujdes të veçantë kemi pasur dhe më shumë do të kemi për diasporën kosovare në SHBA dhe në Evropë, që t’i ndihmojmë në fushën e komunikimit me atdheun dhe t’u ofrojmë mundësi për investime në Kosovë, që tashmë disa i kanë filluar me sukses.

Në mënyrë të veçantë do të theksoja se gjatë kësaj periudhe është forcuar mendimi për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës.

Të nderuar deputetë,

Viti në të cilin kemi hyrë do të jetë vit i progresit më të madh të Kosovës në të gjitha fushat, sepse kemi krijuar një bazë të mirë të zhvillimit. Institucionet e Kosovës do të koncentrohen më shumë në zhvillimin ekonomik, në procesin e privatizimit, në sigurimin e investimeve dhe në përkrahjen e sektorit privat dhe në krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë e vendit tonë, që duhet të krijojnë familje të reja.

Ne do t’i kushtojmë më shumë vëmendje zgjidhjes së problemit energjetik që është element kyç për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Duhet të shikojmë mundësinë e koncesioneve, që besojmë së shpejti ky Kuvend do të miratojë Ligjin për Koncesione që do të hapë perspektiva të reja. Ne duhet të mendojmë edhe për forma të tjera të energjisë alternative.

Në planin e brendshëm do të vazhdojmë të punojmë në integrimin e grupeve etnike apo minoriteteve në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës dhe në garantimin dhe mbrojtjen e tyre. Njëherësh e dëshirojmë një vullnet më të madh të minoriteteve për integrim në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës.

Zonja dhe zotërinj,

Një kujdes të veçantë do të kemi për mundësitë e përfaqësimit të Kosovës, përmes hapjes së zyrave në botën e jashtme apo formave të tjera. Në vitin 2002 kemi bërë një hap në këtë plan me emërimin e mikut të madh të Kosovës Senatorit Dole Ambasador nderi të Kosovës në SHBA. Kjo është një çështje vitale për Kosovën në këtë fazë të zhvillimit. Ne do të kërkojmë një liberalizim të vizave, sidomos për njerëzit e biznesit të Kosovës me vendet e BE dhe me SHBA.

Një veprim të përbashkët do të bëjmë me UNMIK-un rreth bartjes së kompetencave, me qëllim të shtimit të efikasitetit të institucioneve të Kosovës. Ky është një proces që duhet ta zhvillojmë së bashku.

Zonja dhe zotërinj,

Një element tjetër me rëndësi do të jetë puna në vlerësimin e standardeve të paraqitura, të atyre që i kemi përmbushur dhe të atyre që do t’i përmbushim në bashkëpunim me UNMIK-un, OSBE-në dhe me KFOR-in. Ne mendojmë se këto standarde janë në të mirë të zhvillimit dhe të prosperitetit të vendit tonë, e jo punë e nisur prej fillimit, sepse të gjithë e kemi pranuar se Kosova ka pasur progres, të cilin duhet fuqizuar.

Deputetë të nderuar,

Njëherësh ne do të punojmë dhe insistojmë në njohjen formale të pavarësisë së Kosovës, e cila do të shpejtonte dhe stabilizonte proceset e brendshme ekonomike e demokratike dhe do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës dhe popullin e Kosovës. Një Kosovë e pavarur, demokratike e paqësore e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA-të që është vullnet politik i popullit dhe i qytetarëve. Vëmendje të veçantë do t’i kushtojmë kultivimit të marrëdhënieve të mira me fqinjët tone dhe t’i përparojmë ato, çfarë është politikë nacionale e Kosovës.

Të nderuar deputetë,

Në vjeshtë na presin zgjedhjet e dyta nacionale të Kosovës së lirë. Ne jemi të bindur se do të kemi zgjedhje të mira e të qeta, sepse tash kemi një eksperiencë të mirë në këtë plan. Të gjithë duhet të kontribuojmë në këtë drejtim. Kosova e ka dhënë tashmë këtë provim. Do thënë se Kosova po hyn në fazën e një vendi normal dhe është e gatshme t’i pranojë obligimet ndërkombëtare.

Zonja dhe zotërinj,

Do të shikojmë të gjitha mundësitë e angazhimit tonë në ndriçimin e fatit të të zhdukurve.

Njëherësh sot i kujtojmë me pietet të lartë të gjithë ata që ranë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e vendit tonë.

Zonja dhe zotërinj,

Me këtë rast e përshëndesim Zotin Harri Holkeri dhe UNMIK-un, Ambasador Fieschin dhe OSBE-në si dhe Gjeneralin Kammerhoff dhe NATO/KFOR-in, që po bëjnë një punë eksellente në mbrojtjen dhe sigurinë e Kosovës. Po ashtu përshëndesim Korin Diplomatik në Kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë. Njëherësh i përshëndesim institucionet ndërkombëtare e financiare në Prishtinë dhe donatorët që po e ndihmojnë Kosovën.

Zonja dhe zotërinj,

Nga kjo Seancë Solemne e Kuvendit të Kosovës i përshëndesim Presidentin Bush, Kryeministrin Blair, Presidentin Chirac, Kancelarin Schröder dhe Kryeministrin Berlusconi që vazhdimisht e përkrahin Kosovën.

Përshëndetje të veçantë i bëjmë Atit të shenjtë Papa Gjon Pali II, që gjthmonë lutet për Kosovën.

I nderuari Kryetar Daci,

Në fund të këtij fjalimi dëshiroj t’Ju njoftoj se së shpejti do të fillojmë ndërtimin e Pallatit Presidencial Shtëpisë së Bardhë të Kosovës dhe do t’Ju ftoj së bashku me deputetët e nderuar në këtë ceremoni solemne e të rëndësishme për vendin tonë.

Shpresoj se së shpejti do të takohemi në përurimin e Sallës Solemne të Kuvendit të Kosovës, që po i përfundon punimet këto ditë dhe Ju deputetë të nderuar do të keni më shumë kushte për punë edhe më të suksesshme.

       

Zoti ju bekoftë!

Zoti e bekoftë Kuvendin e Kosovës!

Zoti e bekoftë Kosovën!

Ju faleminderit!

 

(Fjalimi vjetor i Presidentit Rugova para Kuvendit të Kosovës, 22 janar 2004)

I nderuar Senator Von Habsburg,

Të nderuar senatorë

Zonja dhe zotërinj,

 

Titulli që po më akordoni sot, është një nderim i madh për mua, për vendin tim Kosovën dhe për popullin tim.

Me këtë rast më lejoni të them disa fjalë për rrugën që kaloi Kosova në historinë më të re të saj. Në fillim të viteve ’90, ne themeluam lëvizjen për liri, pavarësi e demokraci. Bartëse kryesore ishte Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK, 1989) si parti e pare demokratike në botën shqiptare dhe në këtë pjesë të Evropës e të botës, kur filloi rënia e komunizmit dhe në kohën e shembjes së Murit të Berlinit. Kjo lëvizje u krijua në kohën kur Kosova ishte në sulm të egër të Beogradit për ta dominuar dhe për ta shkatërruar kombin shumicë të saj shqiptarët.

Ne ndërtuam këtë lëvizje paqësore për liri, pavarësi e demokraci për të mbrojtur ekzistencën tonë nacionale, vlerat tona dhe vlerat njerëzore të një populli. Në ndërkohë ne ndërtuam edhe strukturën shtetërore të Kosovës, përmes akteve madhore siç ishin Deklarata e Pavarësisë (korrik ’90), Kushtetuta e Republikës së Kosovës (shtator ’90) si dhe Referendumi për Pavarësinë e Kosovës (shtator ’91). Në vitin 1992 ne i organizuam zgjedhjet e para të lira presidenciale e parlamentare me qëllim të funksionimit demokratik të institucioneve tona. Kështu shteti ynë filloi të funksionojë në të gjitha fushat e jetës. Në botë ky shtet filloi të njihet si “shtet i shqiptarëve të Kosovës”, “shtet paralel” i Kosovës. Ky është kontributi ynë në lëvizjet e popujve për liri e pavarësi.

Në vitin 1998, kur lëvizja jonë u forcua dhe shteti ynë afirmohej gjithnjë e më shumë në arenën ndërkombëtare, Beogradi vendosi ta shkatërrojë me sulm të armatosur duke shkaktuar masakra e shkatërrime masive. Mirëpo bashkësia ndërkombëtare, doli në mbrojtje të popullit të Kosovës, në radhë të parë SHBA dhe BE. Dhe me ndërhyrjen e NATO-s u ndërpre dhuna, masakrat, gjenocidi dhe ekzodusi ndaj popullit të Kosovës dhe Kosova u bë e lirë më 12 qershor 1999.

Zonja dhe zotërinj,

Sot Kosova është vend i lirë, falë Zotit, NATO-s dhe miqve tanë.

Për katër vjet e gjysmë në liri Kosova ka bërë një progres të madh në të gjitha fushat e jetës. Ishin këto vite të forcimit të lirisë, të sigurisë, të ekonomisë dhe të demokracisë. Institucionet e Kosovës të themeluara në bazë të zgjedhjeve nacionale të vitit 2001 funksionojnë me sukses. Objektiva të këtyre institucioneve janë: zhvillimi ekonomik, privatizimi, siguria për investime dhe krijimi i vendeve të punës për të rinjtë si dhe integrimi dhe mbrojtja e grupeve etnike, apo minoriteteve në shoqërinë dhe në shtetin e Kosovës. Progres kemi pasur në fushën e ekonomisë, ku sektori privat është mjaft i gjallë dhe dinamik. Kosovarët kanë një shpirt ndërmarrës dhe ndërtues për jetën dhe vendin e vet.

Senatorë të nderuar,

Unë punoj dhe insistoj për njohjen formale më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës. Pavarësia do t’i shpejtonte proceset e brendshme demokratike e ekonomike dhe do të qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës si dhe popullin e Kosovës. Pra, një Kosovë e pavarur, demokratike e paqësore e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA, është vullneti politik i popullit dhe i qytetarëve të vendit tim. Po ashtu ne do punojmë të kemi marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë.

Në këtë proces të progresit të Kosovës ne po punojmë me UNMIK-un për bartjen e kompetencave të institucioneve shtetërore të Kosovës, që ato të jenë më efektive.

Zonja dhe zotërinj,

Në këtë ceremoni solemne dëshiroj të theksoj se ne gjithnjë duhet të bëjmë përpjekje që problemet t’i zgjdhim me mjete paqësore e politike, por kur kjo nuk është e mundur, atëherë lufta apo intervenimi në emër të paqes e të vlerave njerëzore e demokratike është çështje e drejtë. Shembulli i vendit tim e tregon këtë më së miri. Kështu sot, pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosovës i është hapur perspektiva e brendshme dhe perspektiva e një kombi të lirë për integrime evropiane e perëndimore. Po ashtu dëshiroj të them se perspektiva e Evropës është respektimi i të gjithëve dhe integrimi i të gjithëve në një bashkësi të kombeve të lira duke përfshirë edhe vendin tim Kosovën.

Me këtë rast e përkujtoj së bashku me Ju Profesor Fehmi Aganin që ishte gjithmonë pranë meje si dhe shumë aktivistë të tjerë që u vranë, burra të çmuar të lëvizjes sonë për liri, pavarësi, paqe e demokraci të Kosovës.

Senatorë të nderuar,

Në fund Ju falënderoj për titullin që më keni dhënë që është mirënjohje për mua dhe për vendin tim. Le të jetë pozitive se vendi im së shpejti si vend i pavarur do të gjendet edhe formalisht në familjen e madhe evropiane, aty ku e kishte vendin gjithmonë, sepse Kosova e sotme është Dardania centrale antike iliro-shqiptare, pra, Dardania e Justinianit, vend i një civilizimi që qëndron në themelet e civilizimit modern evropian e perëndimor.

I nderuari Senator Von Habsburg,

Të nderuar senatorë

Duke pranuar titullin Senator Nderi i Evropës, Ju premtoj se do të punoj me të gjitha fuqitë e mia në të mirën e vendit tim, në të mirën e popujve evropianë dhe në të mire të miqësisë me SHBA-të dhe me popujt e tjerë të botës dhe për forcimin e paqes dhe të lirisë në botë.

Ju faleminderit.

 

(Fjalimi i Presidentit Rugova në ceremoninë e shpalljes Senator Nderi i Evropës, 1 shkurt 2004, në Antverp, Belgjikë).

Prishtinë, 24 maj 2004

Në rezidencën e Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova në Velani, sot me një ceremoni solemne u shënua për herë të parë 24 maji – Dita e Presidentit të Kosovës, e cila do të jetë festë tradicionale.

Presidenti Rugova tha se Dita e Presidentit të Kosovës do të jetë 24 maji, kur më 24 maj të vitit 1992 janë mbajtur zgjedhjet e para të lira nacionale për Presidentin e Republikës së Kosovës.

Këto zgjedhje ishin konfirmim i Deklaratës për pavarësinë e Kosovës të 2 korrikut të vitit 1990, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në shtator të vitit 1990 dhe të Referendumit për pavarësinë e Kosovës, shtator 1991.

“Këto zgjedhje janë përkrahur nga i gjithë populli i Kosovës, me pjesëmarrje të gjerë e masive. Po ashtu në formë demokratike qytetarët shprehën vullnetin e tyre politik për Presidentin dhe për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Këto zgjedhje kanë hyrë në analet e historisë më të re të Kosovës si ditë e rëndësishme dhe e shënuar, ndërsa janë regjistruar në të gjitha dokumentet e rëndësishme ndërkombëtare dhe në publikimet e ndryshme enciklopedike për funksionimin e shoqërisë dhe të shtetit të Kosovës”, përkujtoi me këtë rast Presidenti Rugova.

Ndërkaq, duke folur për zhvillimet e pasluftës, Presidenti Rugova vlerësoi se pas gjashtë vjetësh në liri Kosova ka pasur një progres të madh në të gjitha fushat e jetës. Institucionet e Kosovës, tha ai, tash janë duke punuar me miqtë tanë për vlerësimin e progresit në njohjen e pavarësisë së vendit.

”Unë insistoj në njohjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë së vendit tonë nga SHBA-të, BE-ja. Pra, një Kosovë e pavarur e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA-të. Ky është vullneti politik i popullit të Kosovës, i shprehur më 1991 me referendum”. Në vazhdim Presidenti Rugova foli për kulturën shtetërore dhe kuptimin e fjalës President, duke thënë se “dita e Presidentit është ditë e postit më të lartë të shtetit, të një vendi që simbolizon mbrojtjen, unitetin, sigurinë dhe prosperitetin”. Të njejtën kuptim, tha ai, e ka edhe fjala shqipe kryetar, do të thotë njeriu që është në krye të vendit, që mbron shtetin. Ndërkaq, duke falënderuar pjesëmarrësit e rinj për vizitën dhe për urimet në Ditën e Presidentit në këtë solemnitet, Presidenti Rugova tha se kjo do të jetë ditë tradicionale që do të festohet çdo vit si ditë e simbolikës shtetërore.

“Ne e kemi të ngjashme me traditën amerikane, por që ditën e Presidentit e kanë edhe vendet e tjera. Do të jetë festë popullore dhe do të shënohet sipas dëshirës së qytetarëve dhe me ceremoni zyrtare si sot. Sigurisht në të ardhmen do të pasurohet me forma të reja festive”, njoftoi Presidenti Rugova.

Me këtë rast Presidenti Rugova bëri të ditur se me një dekret të veçantë ka vendosur të dekorojë me Medalje të Artë të Pavarësisë veprimtarin e shquar Tahir Berisha nga rrethina e Pejës, për merita për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Tahir Berisha u vra në atë kohë nga pushtuesi, në mëngjes të 25 majit 1992, pasi ishin numëruar votat në një vendvotim.

Dorëzimi i Medaljes do të bëhet në një ceremoni të veçantë solemne.

(QIK)

I nderuari President Moisiu,

I nderuari Kryeministër Nano,

I nderuari Rektor Rrokaj,

I nderuari Kryetar i Kuvendit Pëllumbi,

Të nderuar kryetarë të forcave politike,

Të nderuar senatorë dhe profesorë të Universitetit të Tiranës,

Zonja dhe zotërinj,

 

Titulli që po më akordoni sot është një nderim i madh për mua, për popullin tim dhe vendin tim Kosovën. Njëherësh kam një ndjenjë të veçantë gëzimi që më dhatë mundësinë të gjendem në mesin e Universitetit Tuaj. Me këtë rast më lejoni t’i them disa fjalë për Universitetin Tuaj. Do thënë me bindje të plotë se Universiteti i Tiranës i vuri themelet e studimeve moderne në fushat e të gjitha shkencave. Do pranuar se ky Universitet e afirmoi shkencën dhe kulturën shqiptare në botë. Këtu po veçojmë se në fushën e historisë vërtetoi dhe afirmoi njërën nga çështjet kyçe në historinë e popullit tonë, vazhdimësinë e drejtpërdrejt ilire-shqiptare, që më parë ishte tezë shkencore. Sot mund të themi se është argument, fakt i kryer i vërtetuar në fushën e arkeologjisë, të gjuhësisë dhe të etnologjisë, ku vërtetohet populli dhe territori në Ilirinë e Jugut, pra Shqipëria, Kosova-Dardania antike dhe Maqedonia që mbijetuan historinë në Gadishullin Ilirik në Evropën e sotme juglindore. Ky është kontribut i përbashkët i Universitetit Tuaj dhe Universitetit të Prishtinës. Sot është e vërtetë notore se shqiptarët janë një popull antik, që origjina e tyre lidhet edhe me Gjenealogjinë biblike.

Do përmendur edhe një veçori tjetër se fillet e bashkëpunimit midis Universitetit të Tiranës dhe të Prishtinës ishte shenja e parë e prishjes së themeleve artificiale të murit ndërshqiptar. Dhe sot falë përpjekjeve të përbashkëta dhe të miqve tanë, zhvillohet një jetë e lirë universitare ndërshqiptare dhe ndërshtetërore.

Zonja dhe zotërinj,

Në këtë moment solemn dëshiroj të theksoj se Kosova gjatë këtyre pesë vjetëve pas lufte, në liri, ka pasur një progres të madh në të gjitha fushat e jetës. Kosova i ka krijuar strukturat e veta shtetërore dhe po funksionon si shtet në të gjitha segmentet. Objektiva të institucioneve të Kosovës janë: zhvillimi ekonomik, privatizimi, siguria e investimeve, krijimi i vendeve të punës për të rinjtë si dhe mbrojtja e grupeve etnike apo minoriteteve. Ndërsa tash po punojmë me UNMIK-un për bartjen e kompetencave te institucionet nacionale. Njëherësh po punojmë për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës sa më shpejt, çfarë do të qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës. Pra, një Kosovë demokratike, paqësore e tolerante e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA.

Zonja dhe zotërinj,

Do theksuar se zgjidhja e çështjes shqiptare do të përmbushej me pavarësinë e Kosovës, ndërsa shqiptarët në Maqedoni do të jenë element i shtetit dhe shqiptarët në Mal të Zi e në Preshevë do të udhëheqin veten. Mendojmë se pavarësia e Kosovës është një optimum i shqiptarëve. Unë shpesh e them se pse edhe shqiptarët të mos i kenë dy shtete apo dy e gjysmë si popujt e tjerë në rajon apo në Evropë.

Zonja dhe zotërinj,

Objektiva të përbashkëta të Kosovës dhe të Shqipërisë, pra të dy vendeve tona, janë integrimi në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA. E themi me bindje të plotë se shqiptarët në përgjithësi sot janë në rrugë të progresit, janë populli më dinamik në këtë pjesë të Evropës e të botës dhe kanë shansin historik të hyjnë me vlerat e tyre në familjen e madhe evropiane.

I nderuari zoti rektor,

Në këtë ditë solemne i shprehim mirënjohje të lartë Universitetit të Tiranës për përkrahjen që në vitet ’90 i dha Lëvizjes së Kosovës për liri, pavarësi e demokraci dhe për njohjen e Republikës së pavarur të Kosovës.

Zonja dhe zotërinj,

Më lejoni që në këtë moment solemn t’i përkujtojmë me pietet të lartë doajenët e Universitetit Tuaj Prof. Eqrem Çabejn dhe Prof. Aleks Budën që dhanë kontribut të madh për shkencën shqiptare dhe evropiane.

Në fund do theksuar se nga ky Universitet kanë dalë shumë studiues e shkrimtarë të njohur, në mesin e të cilëve është Ismail Kadare, që me veprën e tij të madhe i afirmoi shqiptarët në botën moderne.

Zoti President dhe zoti rektor,

Zonja dhe zotërinj,

Duke pranuar këtë titull të lartë, Ju premtoj se do të punojë me të gjitha fuqitë e mia për vendin tim Kosovën, për integrimet shqiptare dhe për mirëkuptim ndërshqiptar e ndërnjerëzor.

Zoti e bekoftë Universitetin e Tiranës.

Zoti i bekoftë shqiptarët.

Zoti e bekoftë Shqipërinë.

Zoti e bekoftë Kosovën.

 

(Fjalimi i Presidentit Rugova në ceremoninë e shpalljes Doktor Nderi i Universitetit të

Tiranës, 9 shtator 2004)

Qytetarë të dashur të Kosovës,

Zonja dhe zotërinj,

Me rastin e 12 qershorit, 6-vjetorit të Ditës së hyrjes të trupave të NATO-s në Kosovë, që është Ditë e Lirisë së vendit tonë, Ju shpreh urimet e mia të përzemërta.

Dita e 12 qershorit, pra Dita e Lirisë së Kosovës, është një ditë e madhe që e siguroi qenien tonë nacionale e njerëzore dhe të ardhmen më të lumtur për të gjithë ne.

Në këtë Ditë feste, urime të përzemërta i shprehim Komandantit të KFOR-it, Gjeneralit Ivë dë Kermabo dhe ushtarëve të Tij.

Njëherësh urime të sinqerta i shprehim UNMIK-ut dhe OSBE-së.

Urime të sinqerta po ashtu u shprehim përfaqësive diplomatike në kryeqytetin e vendit tonë, në Prishtinë.

Dhashtë Zoti që 12 qershorin e ardhshëm, Ditën e Lirisë, ta festojmë me njohjen formale të pavarësisë së Kosovës.

Me fat Dita e Lirisë!

Zoti e bekoftë NATO/KFOR-in!

Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës!

Zoti e bekoftë Kosovën!

(Mesazhi i Presidentit të Kosovës për 12 Qershorin, Ditën e Lirisë së Kosovës, 12 qershor 2005)

I nderuari Imzot Sopi,

E nderuara Eminencë McCarrick – Arqipeshkv i Uashingtonit,

I nderuari Kryetar Tërrnava,

I nderuari Kryetar Daci,

I nderuari Zv. Kryeministër Salihaj,

Të nderuar deputetë, ministra, kryetarë të komunave,

Të nderuar përfaqësues të partive politike,

Të nderuar përfaqësues të Komunës së Kryeqytetit,

Të nderuar përfaqësues të UNMIK-ut, të KFOR-it dhe të përfaqësive diplomatike në Kosovë,

Të nderuar qytetarë dhe besimtarë,

Zonja dhe zotërinj,

 

Jemi tubuar sot me gëzim të madh në këtë Ceremoni Solemne për një moment të rëndësishëm, për të vënë dhe bekuar Gurthemelin e Katedrales katolike “Nëna Tereze” të Prishtinës. E themi se sot është një ditë e madhe për Kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit të lumturës Nëna Tereze. Asaj që lartësoi emrin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin.

Zonja dhe zotërinj,

Kosova e sotme apo Dardania centrale antike ishte një vend i shenjtë dhe ishte vendi më kompakt në planin nacional, gjuhësor e fetar dhe shquhet në gjithë Ilirinë e më gjerë. Këtu i kemi martirët e parë të Krishterimit Florin e Laurin më 117-135 – pas Krishtit.

Po ashtu në Kosovë – në Dardaninë antike kemi Kishën e Ulpianës, këtu afër Prishtinës së sotme, nga shekulli IV-V pas Krishtit, që është njëra nga kishat më të vjetra të Dardanisë e të Ilirisë dhe të botës perëndimore. Këto reminishenca historike i bëra me qëllim të mirë të historisë për të theksuar rëndësinë dhe fisnikërinë e Kosovës, të Dardanisë antike në botën antike edhe sot, në botën moderne.

Miq të dashur,

Ne jemi të bindur se ndërtimi i Katedrales “Nëna Tereze”, do të jetë simbol i bashkimit, i tolerancës dhe i mirëkuptimit, siç ishte vepra dhe filozofia e Nënë Terezes dhe e popullit tonë dhe qytetarëve të Kosovës. Pra, do të jetë qendër e rëndësishme fetare, kulturore e kombëtare për të gjithë. Gjithsesi do të jetë simbol i dritës më të madhe, simbol i forcimit të besimit në Zotin në të mirën. Njëherësh do të jetë simbol i pavarësisë së Kosovës, që duhet të njihet sa më shpejtë nga miqtë tanë.

Zonja dhe Zotërinj,

Në këtë ditë të madhe për Kosovën, nga ky solemnitet përshëndesim Presidentin Bush, Kryeministrin Blair, Presidentin Chirac, Kancelarin Schröder dhe Kryeministrin Berluskoni që po e përkrahin Kosovën.

E kujtojmë me pietet të lartë Papa Gjon Pali II, që e përkrahu lirinë dhe pavarësinë e Kosovës si dhe e përkrahu ndërtimin e Katedrales ” Nëna Tereze ”.

Njëherësh e përshëndesim Atin e Shenjtë Benediktin XVI, që të përkrahë pavarësinë e vendit tonë. Shpresojmë se do të gjejë kohë të vijë në Kosovë dhe të bëjë përurimin e Katedrales sa më shpejt.

Miq të dashur,

Me fat bekimi i Gurthemelit të Katedrales dhe besojmë se Ipeshkvia e Kosovës me Imzot Sopin, si dhe me ndihmën e të gjithë neve, do ta kryejë sa më shpejt këtë objekt madhështor për gjithë vendin tonë të shtrenjtë, Kosovën.

 Zoti e bekoftë Katedralen “Nëna Tereze”!

 Zoti e bekoftë Kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën!

Zoti e bekoftë Kosovën!

 

(Fjala e Presidentit Rugova në ceremoninë solemne me rastin e vënies së gurthemelit të katedrales katolike “Nëna Tereze”, 26 gusht 2005)

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.