DR. FATMIR SEJDIU
PRESIDENT I PARË I REPUBLIKËS SË KOSOVËS - (2006-2010)
Dr. Fatmir Sejdiu u lind më 23 tetor 1951 në Pakashticë, komuna e Podujevës, Kosovë. Shkollimin fillor dhe të mesëm i ka mbaruar në Podujevë.
Ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës, më 1974, ku ka mbaruar edhe studimet pasuniversitare, si dhe ka mbrojtur disertacionin e doktoratës.
Ishte mësimdhënës në Fakultetin Juridik dhe në atë të Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës me thirrjen e profesorit ordinar për 33 vjet me radhë. Për studime të thelluara ka qëndruar në Francë (Universiteti “Paris 2”, në vitin 1984, në Seksionin e Historisë së Institucioneve të Ekonomisë, Filozofisë dhe Sociologjisë të së Drejtës dhe historisë së ideve politike) dhe në SHBA (Arizona State University, për 4 muaj), si dhe ka pasur qëndrime më të shkurtra studimore në universitete të tjera. Ka publikuar shumë punime shkencore nga fusha juridike – historike dhe juridike – kushtetuese, si dhe libra të veçantë nga këto fusha.
Fatmir Sejdiu ka qenë pjesëmarrës i Kuvendit themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) më 23 dhjetor 1989. Në Kuvendin e Parë Zgjedhor, në vitin 1991, është zgjedhur anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe më 1992 anëtar i Kryesisë së LDK-së, ndërsa më 1994 Sekretar i Përgjithshëm i LDK-së. Këtë funksion e ushtroi edhe nga 2004-2006.
Më 9 dhjetor 2006 është zgjedhur kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, funksion në të cilin ishte deri në vitin 2010.
Ka qenë anëtar i Komisionit Qendror për organizimin e Referendumit për pavarësinë e Kosovës të mbajtur më 1991.
Është zgjedhur deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës më 1992 dhe më 1998. Po kështu, më 1998 është zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit dhe kryetar i Komisionit për Çështje Kushtetuese. Më 2001, në zgjedhjet e para demokratike të pasluftës, është zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit, në të cilat cilësi është rizgjedhur sërish më 2004.
Më 10 shkurt 2006, Fatmir Sejdiu u zgjodh Presidenti i Republikës së Kosovës me dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Ka udhëhequr Ekipin e Unitetit, në bisedimet para përcaktimit të statusit final të Republikës së Kosovës.
Ka mbajtur ligjërata në institucione të rëndësishme shkencore në botë, si në Arizona State University, Unionin e Oxfordit, LSE Londër, Luven, Tiranë, në “World Affairs Council” – San Francisko, në Universitetin e Harvardit e institucione të tjera.
Në qershor të vitit 2006, Universiteti Shtetëror i Tiranës i akordoi Dr. Fatmir Sejdiut titullin Doctor Honoris Causa.
Më 3 nëntor 2008, Presidenti Sejdiu u nderua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z.Bamir Topi, me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Më 5 nëntor 2008, Presidenti Sejdiu ka marrë Çmimin “Qytetar Nderi i Shkodrës”.
Më 23 shkurt 2009, Presidenti Sejdiu, në Arizona State University, u nderua me çmimin “Distinguished Global Leadership”
Po kështu, në prill 2011, u nderua me titullin Doctor Honoris Causa nga Universiteti Shtetëror i Sakaryas në Turqi.
Komunikon në shqip, frëngjisht, anglisht, serbo-kroatisht, bullgarisht, maqedonisht. Është i martuar dhe ka tre fëmijë. Jeton në Prishtinë.
Më 27 shtator 2010, ai dha dorëheqje nga posti i Presidentit të Republikës së Kosovës.