
DR. JAKUP KRASNIQI
UD. I DETYRËS SË PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS - (28 SHTATOR 2010 - 22 SHKURT 2011)
Jakup Krasniqi (i lindur më 1 janar 1951) në fshatin Negrovc të Komunës së Drenasit, është politikan shqiptar dhe ish-President i përkohshëm i Kosovës. Ka qenë Kryetar i Kuvendit të Kosovës. Gjatë Luftës së Kosovës ai ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). Në nëntor të vitit 2020 u arrestua për krime lufte kundër njerëzimit të paraqitura para Dhomave Speciale të Kosovës.
Jeta
Studimet i mbaroi në Prishtinë në Fakultetin Filozofik dega Histori. Më pas i kushtohet punës si pedagog dhe krahas saj fillon veprimtarinë politike në ilegalitet. Në vitet 1981 deri më 1991 burgoset për arsye politike nga pushtuesi serb.
Aktiviteti politik
Ishte pjesëtar aktiv i LDK-së në Drenas e më vonë edhe anëtar i kryesisë së LDK-së. Angazhohet aktivisht në ndërtimin e strukturave të UÇK-së dhe zëdhënës i saj në kohën e luftës. Anëtar i delegacionit shqiptar në Rambuje të Francës. Ministër në qeverinë e parë të Kosovës. Pas zgjedhjeve të para në Kosovën e çliruar ministër për shërbimet publike.
Në zgjedhjet e lira pas pushtimit më 1992-1998 deputet në parlamentin e Kosovës. Në seancën e parlamentit të ri të Kosovës më 9 janar 2008, dalë nga votimet e 17 nëntorit 2007, Jakup Krasniqi zgjidhet Kryetar i Parlamentit të Kosovës.
Në vitin 2014 së bashku me Fatmir Limaj formuan partinë e quajtur Nisma për Kosovën. Tani është Kryetar i Këshillit Kombëtar të kësaj partie.
Detyrat dhe funksionet
- 1972–1977 Arsimtar në Fatos dhe Arllat;
- 1976–1977, Arsimtar në Shkollën e Mesme në Drenas;
- 1979–1981 Arsimtar në Arllat dhe pastaj në Shkollën e Mesme në Skenderaj;
- 1991–1994 Arsimtar në gjimnazin “Skënderbeu“ në Drenas;
- 1995–1998 Kryetar i Këshillit të Arsimit në Drenas;
- 1998–1999 Zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK);
- 1999 Anëtar i Delegacionit të Kosovës dhe i Grupit Politik në Konferencën e Rambujesë;
- 1999–janar 2000 ministër i Ministrisë për Rindërtim dhe Zhvillim;
- 2001-Deputet në Legjislaturën e Parë;
- mars 2002 dhjetor 2004 Ministër i Ministrisë së Shërbimeve Publike në Qeverinë e Kosovës;
- tetor 2004-2007 Deputet në Kuvendin e Kosovës, mandati II;
- 2004-2007 Shef i GP të PDK-së në Kuvendin e Kosovës;
- nëntor 2007 deputet, mandati III;
- janar 2008- vijon Kryetar i Kuvendit të Kosoves;
- 1973–1981 Veprimtari politike Klandestine (ilegale) në Lëvizjen Kombëtare të Kosovës;
- 1981–1991 I burgosur politik;
- 1991–1999 Anëtar i Kryesisë dhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dega në Drenas;
- 1992–1998 Deputet i Parlamentit të Kosovës;
- 1998–1999 Zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, anëtar i Drejtorisë Politike të UÇK;
- 1999–2003 Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Prosperitetit Demokratik të Kosovës (PPDK) përkatësisht Partisë Demokratike të Kosovës (PDK),
- tetor 2005-vijon Sekretar i Përgjithshëm i PDK-së,
- nëntor 2005 anëtar i Grupit Politik Strategjik nga PDK, në bisedimet e Vjenës.