presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Deklarimi i Presidentes Vjosa Osmani në konferencën për media

Të nderuar qytetarë, 

Të nderuar përfaqësues të mediave ju falënderoj për prezencën tuaj sot,

Kam ftuar këtë konferencë për të diskutuar në lidhje me disa çështje që janë trajtuar në Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, e që kanë të bëjnë ekskluzivisht me sundimin e ligjit në vend. 

Në veçanti, e konsideroj të nevojshme të ndalem tek disa prej temave që kanë të bëjnë me procesin e vetingut në Republikën e Kosovës, me rendin dhe ligjin në vendin tonë duke e përfshirë veriun, si dhe tek çështja e procesit zgjedhor. 
 
Sa i përket Vetingu, Komisioni Evropian konstaton se rivlerësimi i plotë dhe i njëhershëm i të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve paraqet një burim shqetësimi serioz. Si Presidente e vendit, nuk pajtohem fare me këtë konstatim. Në fakt, mungesa e vetingut do të ishte shqetësim serioz, e jo përmbushja e këtij procesi. Mos-realizimi i vetingut nuk i kontribuon as përpjekjeve të institucioneve të Republikës së Kosovës për garantim të sundimit të ligjit, e as të ardhmes evropiane të vendit tonë.

Tutje, në këtë raport, Komisioni Evropian konsideron se procesi i vetingut do të duhej të ishte një masë e fundit dhe e jashtëzakonshme, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet dhe mekanizmat ekzistues. Edhe ky konstatim është i gabuar madje edhe kontradiktor për shkak se mekanizmat ekzistues janë këtu për vite të tëra dhe kanë rezultuar joefektiv. E vërteta është se nëpërmjet këtyre mekanizmave nuk është arritur as rritja e profesionalizmit, integritetit dhe besimit qytetar në institucionet e drejtësisë. Për këto, BE vet ka kritikuar për vite të tëra. Prandaj, vetingu jo vetëm që është i rëndësishëm, por është edhe i domosdoshëm, dhe e vetmja mënyrë për të arritur të gjitha ato synime, që edhe vet Bashkimi Evropian i ka paraqitur si kërkesa dhe prioritete për Kosovën për vite me radhë. 

Për dallim nga ajo që konstatohet në Raportin e Bashkimit Evropian, ky proces do të jetë i vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës. Për vite me rradhë, raporte të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare kanë konstatuar ngecjet në sistemin e drejtësisë, dhe mungesën e mekanizmave adekuatë për trajtimin e këtyre ngecjeve. Si rrjedhojë, është mëse e qartë se vetëm me mekanizmat ekzistues, nuk do të ketë mundësi që të realizohen reformat e dëshiruara në sistemin tonë të drejtësisë. 

Vetingu prandaj do të jetë instrument kyç për verifikimin e integritetit, profesionalizmit dhe kontrollit të pasurisë të subjekteve të këtij vetingu. Ky proces do të jetë po ashtu mekanizëm për të nxjerrë në pah gjyqtarët, prokurorët dhe personelin administrativ e mbështetës që kanë integritet dhe janë profesionistë. Vetingu do të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare, si dhe praktikat më të mira të shteteve që kanë zhvilluar vetingun para Kosovës. 

Kjo do të duhej të shihej si përpjekja kryesore e institucioneve të vendit tonë për të garantuar sundim të rendit dhe ligjit, duke ndërmarrë reforma të thella në sistemin e drejtësisë, dhe duke siguruar pavarësinë e këtij sistemi nga ndërhyrjet qoftë të natyrës politike, qoftë të natyrës kriminale. Prandaj si Presidente e vendit jo vetëm që kërkoj që ky proces të vazhdojë e mos të ndalet, por edhe të përshpejtohet si një domosdoshmëri. I inkurajoj të gjitha institucionet përgjegjëse që të vazhdojnë këtë punë me prioritet e në bashkëpunim të plotë me partnerët tanë ndërkombëtar. Ndërkaq, si Presidente e vendit do të vazhdoj, siç kam bërë deri më tani, të aplikoj standardet më të larta të ligjshmërisë dhe integritetit në të gjitha emërimet që bëj, përfshirë ato në sistemin e drejtësisë. Ka pasur raste në të kaluarën kur në tavolinën time kanë ardhur propozime që nuk i kanë plotësuar kriteret ligjore, qoftë persona  të cilët në të kaluarën kanë kryer vepra penale, qoftë persona që në të kaluarën e kanë kryer provimin e jurisprudencës vetëm në Serbi në vitin 2010, natyrisht edhe kjo në kundërshtim me ligjin, por asnjëra nga këto nuk janë nënshkruar nga ana ime. Unë nuk jam Presidente që nënshkruaj letra të bardha dhe prandaj, para proceseve që implikojnë emërime të përjetshme në pozita vendimtare për Sundimin e Ligjit në vend, siç është rasti i Gjyqtarëve e Prokurorëve, do të udhëhiqem përherë dhe çdoherë nga parimi i zbatimit dhe respektimit të integritetit dhe profesionalizmit.

Tema e dytë që dua të trajtoj  është gjendja në Komunat tona Veriore sa i përket Sundimit të Ligjit.

Komisioni Evropian, edhe këtë vit sikurse vitet paraprake, e konfirmon se situata në veri te vendit është sfiduese sa i përket korrupsionit, krimit te organizuar dhe mungesës se lirisë se shprehjes. 

Kjo situatë sipas Komisionit paraqet sfidë për agjencitë ligjzbatuese në Kosovë. 

Dhe po ashtu Komisioni Evropian në këtë raport kërkon nga Kosova dhe institucionet e saja, po citoj “Duhet të merren masa shtesë për të luftuar pikëkalimet ilegale te kufirit dhe aktivitetet kriminale të lidhura (përfshirë korrupsionin), veçanërisht ne kufirin me Serbinë.” 

Ne kërkojmë nga të gjithë zyrtarët e BE-së, që t’i qëndrojnë besnik këtyre deklaratave në mënyrë që sa herë institucionet ligjzbatuese të Republikës së Kosovës luftojnë krimin, korrupsionin, kontrabandën në çdo cep të vendit tonë, përfshirë në veri, ta kemi përkrahjen e këtyre zyrtarëve, e jo kundërshtimin e tyre. 

Qëndrimi im si Presidente në lidhje me këtë është tashmë i qartë: në luftë me krimin e organizuar dhe korrupsionin nuk ka kompromis në asnjë pjesë të Republikës sonë. Kjo është dëshmuar tashmë nga institucionet e vendit dhe këtë qëndrim e kemi të paluhatshëm. Meqë këto janë konstatime të Bashkimit Evropian, siç edhe i lexova, presim nga ta përkrahje të plotë në drejtim të veprimeve të institucioneve tona sa i përket sundimit të ligjit në çdo pjesë të Kosovës, përfshirë edhe në veri, si pjesë e pandashme e vendit tonë. Prandaj shpresoj që në të ardhmen, zyrtarët e BE-së mos të bëjnë deklarata të njëanshme e të pabazuara të cilat vetëm sa mund të rrisin tensionet dhe pengojnë përpjekjet tona për sundim të ligjit në çdo cep të Kosovës. 

Mua më vjen mirë që ka pas sot reflektim në këtë drejtim, prandaj edhe e mirëpres deklaratën e sotme të Sekretarit Blinken ku natyrisht kurrë nuk ka pasur ndonjë dyshim, por që tashmë i është bashkuar edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Borell, të cilët sot deklaruan se “ne e mirëpresim dhe e mbështesim angazhimin e Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.”, dhe shpresoj që kjo përkrahje e fuqishme që gjithnjë ka qenë prezente nga Shtetet e Bashkuara të vazhdojë edhe nga të gjithë zyrtarët e Bashkimit Evropian. 

Çështja e tretë që dua ta diskutoj ka të bëj jo me raportin e Bashkimit Evropian për Kosovën, por me Deklaratën Preliminare të Ekipit teknik që ka vëzhguar zgjedhjet e datës 17 tetor, të cilët kanë ardhur në Kosovë me ftesën time të cilën ia kam drejtuar Bashkimit Evropian. 

Më lejoni sa i përket këtij dokumenti preliminar t’i paraqes disa observime:
 
E para, jam shumë e kënaqur që zgjedhjet e 17 tetorit janë cilësuar ndër më të mirat dhe më demokratiket në rajon. Ky është lajm i shkëlqyeshëm për Republikën e Kosovës, dhe tregon nivelin e maturisë dhe demokracisë që ka vendi ynë;
Poashtu tejet e lumtur që vlerësimi me punën e KQZ-së aktuale është shumë pozitive. Kjo është një e arritur, për dallim nga Raporti i kaluar përfundimtar i këtij Misioni i cili për zgjedhjet e 14 shkurtit, konstatonte se KQZ  në disa raste ka lejuar trajtim të pabarabartë të votuesve, ka pasur tejkalim të kompetencave nga ish-Kryesuesja duke tentuar të diktohet puna e PZAP-së, si dhe ka pasur kufizim të ndjeshëm të së drejtës për zgjidhje efektive përmes shkurtimit të afatit për ankimim.

Pa dyshim se në këtë Deklaratë Preliminare e kundërshtoj konstatimin në njërën nga fusnotat e kësaj Deklarate, përmes së cilës tentohet t’i ipet konotacion plotësisht politik, ndërprerjes së mandatit të ish-kryesueses së KQZ-së në muajin Qershor të këtij viti.

Problemi i parë qëndron në faktin se ndërprerja e këtij mandati nuk ka të bëj me procesin zgjedhor të 17 tetorit. Pra, edhe vëzhgimi i një veprimi të tillë që është bërë para se të shpallen zgjedhjet e 17 tetorit është tërësisht jashtë mandatit të këtij ekipi teknik sa i përket konstatimeve preliminare. 
 Siç edhe mund të vërehet nga Deklarata, ka pasur përmirësim të dukshëm tani në punën e KQZ-së, dhe zgjedhjet kanë qenë të organizuara në mënyrë të shkëlqyeshme nga udhëheqja e re e KQZ-së . 

Por, më lejoni të jem shumë e qartë interpretimi i ligjshmërisë së Vendimeve të Presidentes është kompetencë e gjykatave kompetente, jo e misioneve që të japin deklarata e konkluzione të tilla.  

Legjislacioni në fuqi parasheh se Presidentja është autoriteti kompetent për të emëruar Kryesuesen e KQZ-së, sikurse edhe për ndërprerje të mandatit të saj. Pra, Presidentja është autoriteti emërues, Presidentja është autoriteti shkarkues, dhe po ashtu edhe autoriteti që bënë vlerësimin e integritetit. Ky vendim ka qenë në përputhje të plotë me ligjin, në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ushtrim i qartë i kompetencave për të mbrojtur integritetin e atij institucioni aq të rëndësishëm për mbrojtje të së drejtës së votës së qytetarëve tanë. Rezultati po shihet tashmë që është pozitiv, me një udhëheqje të shkëlqyeshme profesionale e apolitike. 

Si rrjedhojë, KQZ tani nuk është më temë diskutimi në favor të agjendave politike, por është duke u vlerësuar me notat më të larta për performancën e tyre, si nga misionet ndërkombëtare po ashtu edhe nga vëzhguesit vendor.

Për fund, më lejoni të potencoj që mua nuk do të mund të më zmbrapsë askush me kërcënime për dërgim në Gjykatën Kushtetuese. Sa për mua le të më dërgojnë çdo javë nga një rast. Si Presidente e vendit, do të mbetem e përkushtuar në zbatim të plotë të kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, dhe do të jem e pakompromis në garantimin e integritetit dhe pavarësisë së institucioneve të pavarura në vend. Mbi të gjitha, kam mandat të qartë popullor që të mbroj interesin qytetar. Pikërisht këtë e kam bërë dhe nga kjo nuk do të tërhiqem në asnjë moment. 

Më lejoni ta theksoj edhe njëherë që sundimi i ligjit mbetet parakushti kryesor për suksesin tonë si Republikë e Kosovës. Kjo nuk nënkupton shkrim të ligjeve të mira, kjo mbi të gjitha nënkupton integritet të institucioneve, integritet të atyre që e zbatojnë ligjin. Për këtë do të punoj jo vetëm derisa jam Presidente, siç kam bërë edhe më herët si deputete, por do të punoj deri në frymën  e fundit pavarësisht presioneve, kërcënimeve e të tjera që vijnë apo që mund të vijnë në të ardhmen. 

Faleminderit! 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.