presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Deklaratë e Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e dënon sulmin që e bëri mbrëmë një grup i qytetarëve, të nxitur dhe të mbështetur nga strukturat kriminale, mbi pjesëtarët e KFOR-it në fshatin Rudarë të komunës së Zveçanit.

Presidentja e Republikës së Kosovës konsideron se aktet e tilla të dhunës janë të patolerueshme dhe nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit. Këto akte do të marrin përgjigje ligjore sepse askush nuk mund të bllokojë dhe të pengojë lëvizjen e lirë të qytetarëve, një vlerë kjo e demokracisë.   Sulmi ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, që kanë ardhur me mision paqësor në Republikën e Kosovës, është një akt i shëmtuar që gjykohet nga të gjithë qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës.   Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, pati sot një bisedë telefonike me komandantin e KFOR-it në Kosovë, gjeneralin Erhard Drews, të cilit i shprehu brengosjen e saj për incidentin e ndodhur mbrëmë dhe për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it, me ç’rast u lënduan 21 pjesëtarë të forcës paqeruajtëse në Kosovë.  Presidentja e vendit i shprehu gjeneralit Drews konsideratat më të larta të saj dhe të popullit të Kosovës për misionin human dhe të përgjegjshëm të KFOR-it në Kosovë për sundim të ligjit dhe parandalim të akteve të dhunës dhe për krijimin e kushteve për lëvizje të lirë të të gjithë qytetarëve dhe të mallrave në gjithë territorin e Kosovës.  Presidentja Jahjaga i përcolli gjeneralit Drews dëshirën për shërimin më të shpejtë të ushtarëve të lënduar me kërkesën që kjo t’u përcillet ushtarëve dhe familjeve të tyre.  Populli i Kosovës e çmon lart angazhimin e KFOR-it dhe ka respekt për ushtarët që shërbejnë në funksion të stabilitetit dhe të paqes.  Presidentja e Kosovës i ofroi gjeneralit Drews gjithë përkrahjen dhe ndihmën e nevojshme të institucioneve dhe të qytetarëve të Kosovës për ushtarët e KFOR-it. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.