presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Deklaratë e Presidentes së Republikës, zonjës Atifete Jahjaga

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, për aksionin e mbrëmshëm dhe të sotëm të Policisë së Republikës së Kosovës të ndërmarrë sipas vendimit të Kryeministrit të Kosovës, pas raportimeve dhe njoftimeve të brendshme dhe të jashtme, jep këtë deklaratë:

Aksioni i Policisë së Republikës së Kosovës, sipas vendimit të Qeverisë, për të marrë nën kontroll pikat 1 dhe 31 të vendkalimeve kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, për të respektuar vendimin për masat e reciprocitetit në këmbimin doganor ndërmjet dy vendeve, është një veprim i qëlluar që ka përkrahjen e plotë të popullit dhe të gjitha subjekteve politike në Kosovë, por edhe përkrahjen ndërkombëtare, sepse është e drejtë sovrane dhe legjitime e shtetit që të ketë kontroll në mbarë territorin e vet. Ne kishim shumë shpresë në procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë që u zhvillua në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, që ndihmon qytetarët e të dyja vendeve që të zgjidhen çështjet të cilat që nga viti 1999 me vendim të Serbisë u bënë pengesë për komunikimin e lirë ndërmjet njerëzve dhe për këmbim të mallrave duke u privuar kështu nga të drejtat dhe liritë e elementare.Pasi në raundin e fundit të bisedimeve Serbia u tërhoq pa asnjë shkas duke vënë në rrezik edhe tri marrëveshjet për të cilat dy delegacionet u pajtuan, më nuk kishte asnjë alternativë tjetër përveç që Republika e Kosovës me mjete legale e ligjore të shtrijë autoritetin e pushtetin në tërë territorin, duke luftuar kështu kontrabandën dhe krimin e organizuar, një nga parakushtet për integrim evropian të Republikës së Kosovës.Republika e Kosovës të gjitha institucionet e saj janë të vendosura që të zbatojnë rendin dhe ligjin në mbarë territorin, që është në të mirën e të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim dhe që i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Dialogu është e vetmja rrugë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë si dy vende sovrane që në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian e kanë të ardhmen e përbashkët.Me këtë rast dua të lavdëroj punën dhe angazhimin e Policisë së Kosovës  në veprimet shumë profesionale në zbatimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend.Në bisedën e mbrëmshme dhe në takimin e sotëm me kryeministrin e Kosovës i shpreha përkrahjen institucionale për këtë veprim të domosdoshëm në funksionim të shtetit.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.