presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Deklaratë e Presidentes Jahjaga me rastin e Ditës së Lirisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ka bërë një deklaratë me rastin e 12 Qershorit – Ditës së Lirisë.

Në deklaratë thuhet:Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,Dymbëdhjetë qershori shënon për të gjithë ne, për popullin dhe shtetin e Kosovës, fundin e një epoke shumë të rëndë të historisë dhe fillimin e një etape të re, të ndritshme, të jetës e të zhvillimit tonë si shtet dhe shoqëri.Dita e Lirisë – 12 Qershori – shënon ditën kur, përfundimisht, iu dha fund shtypjes, politikës hegjemoniste dhe gjenocidit ndaj popullit të Kosovës. Liria u fitua me rezistencën e gjatë të popullit ndaj pushtimit, me luftën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me fushatën ajrore të NATO-s dhe përkrahjen e pakursyer të botës demokratike.Në këtë ditë, ne përulemi para kujtimit të të gjithë atyre që luftuan dhe u sakrifikuan për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Falënderojmë gjithë liderët dhe shtetet e botës, që u vunë në mbrojtje të popullit të Kosovës në njërën ndër periudhat më të rënda të historisë së tij.Nderojmë të gjithë ata burra e gra, pjesëtarë të NATO-s, që u angazhuan në mbrojtje të qytetarëve të Kosovës, duke u bërë simbol lirie e shpëtimi, dhe duke ndihmuar pas luftës rindërtimin dhe zhvillimin demokratik të vendit si dhe sigurinë e Kosovës.Republika e Kosovës sot është shtet demokratik i të gjithë qytetarëve të saj, faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, dhe promotor i fqinjësisë së mirë, me synim të qartë të anëtarësimit në BE, NATO dhe OKB.Ne po ndërtojmë një shtet të së drejtës, një shtet gjithëpërfshirës dhe ku respektohen vlerat e secilit qytetar. Sot duhet të jemi të bashkuar në rrugën tonë të përbashkët drejt një të ardhmeje më të mirë të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.