DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Deklaratë e Presidentes Atifete Jahjaga me rastin e Ditës së të Pagjeturve

Edhe sot, shumë familje në Kosovë mbeten ende pa asnjë përgjigje në lidhje me të afërmit e tyre që janë zhdukur gjatë luftës. Më 27 prill në Ditën e të Pagjeturve në Kosovë dëshiroj, si Presidente e Kosovës, t’u bëjë thirrje të gjithëve që të shtojnë përpjekjet për të zbardhur fatin e personave të pagjetur.

E drejta për ta ditur fatin e më të dashurve është brengë themelore e secilit njeri, e secilës familje dhe është e drejtë ndërkombëtare humanitare, e drejtë elementare e njeriut, të cilën duhet respektuar.Unë u takova me disa nga përfaqësuesit e familjeve të pagjeturve dhe i dëgjova brengat e tyre. Ato ishin rrëfime të dhimbshme, shumë prekëse dhe shumë të vërteta. Të gjithë ne e kuptojmë kërkesën e tyre themelore se është e drejtë e patjetërsueshme që secili ta ketë varrin ku familja dhe të afërmit do t’i kryejnë ceremonitë fetare, ku i kujtojnë dhe i nderojnë dëshmorët e viktimat që u vranë në konfliktin e armatosur në Kosovë.Si Presidente e Republikës së Kosovës unë do të përpiqem dhe do të bëj gjithçka që është në fuqinë time që t’u ndihmoj familjeve të gjejnë dhe të dinë për fatin e më të dashurve të tyre.Ka më shumë se një dekadë që nga mbarimi i luftës dhe çështja e të pagjeturve mbetet një kujtesë tragjike e të kaluarës së afërt të Kosovës dhe vazhdon të jetë një barrë e dhimbshme, jo vetëm për familjet që humbën të dashurit e tyre, por për tërë shoqërinë tonë.Fakti se ende ka mbi 1.800 persona të pagjetur, që i mungojnë Kosovës, tregon se përgjegjësia e plotë mbi këtë çështje është ende larg nga të qenit e përfunduar dhe ankthi i familjeve edhe sot po vazhdon.Unë dua ta shfrytëzoj këtë rast për t’u bërë apel edhe autoriteteve të Republikës së Serbisë që të japin të gjitha informatat dhe të ndihmojnë për të zgjidhur fatin e personave të pagjetur nga Kosova. Zbardhja e fatit të personave të pagjetur dhe sjellja para drejtësisë e autorëve të këtyre krimeve monstruoze, do t’i ndihmonte familjet për të kapërcyer të kaluarën tragjike dhe do të kontribuonte për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon.Qeveria e Republikës së Kosovës do ta ketë gjithë përkrahjen time që të forcojë kapacitetin profesional të institucioneve që merren me çështjen e personave të pagjetur, në veçanti të kapaciteteve të Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur. Kërkoj nga EULEX-i që në përputhje me Ligjet e Republikës së Kosovës, të bashkërendojë të gjitha aktivitetet me institucionet e Kosovës dhe të intensifikojë përpjekjet për gjetjen dhe identifikimin e të gjithë atyre që janë zhdukur gjatë luftës në Kosovë.Kuvendi i Kosovës është në procedurë të miratimit të Ligjit për Personat e Pagjetur, dhe institucionet e Kosovës si dhe unë si Presidente garantojmë zbatimin e plotë të tij.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.