presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga premton angazhim të pakursyeshëm për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot anëtarë të Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur dhe përfaqësues të shoqatave të të pagjeturve, të cilët e njoftuan me angazhimet e deritashme për zbardhjen e fatit të familjarëve të tyre të pagjetur.

Presidentja Jahjaga tha se ndan dhimbjen me të gjitha familjet e personave të pagjetur dhe theksoi se pasojat e luftës në Kosovë kanë qenë të rënda. Presidentja tha se shteti i Kosovës ka bërë, është duke bërë dhe duhet të bëjë çdo gjë që është e mundur për të lehtësuar dhimbjen e familjarëve të familjeve të dëshmorëve dhe të të pagjeturve si dhe të rikuperojë dëmin. Ajo tha se kjo punë po bëhet me një bashkëpunim ndërinstitucional dhe theksoi se në të ardhmen kjo punë duhet të jetë edhe më konkrete dhe më efikase.   Presidentja tha se angazhimi për të sanuar pasojat e luftës, për të lehtësuar dhimbjen e familjarëve dhe për të përmirësuar jetesën e tyre është i vetmi garant për paqen dhe qëndrueshmërinë në vend. Ajo tha se është e nevojshme ngritja e një përmendoreje ose obelisku në shenjë respekti për të gjitha familjet e të pagjeturve. Delegacioni i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur dhe të shoqatave të të pagjeturve tha se në Kosovë ende janë afro 1800 persona që konsiderohen si të pagjetur dhe kërkuan angazhim të institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare për zbardhjen e fatit të tyre. Ata kërkuan që t’u bëhet presion më i madh autoriteteve të Serbisë për hapjen e arkivave dhe të paraqesin vendvarrezat e qytetarëve të Kosovës që janë zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Delegacioni kërkoi që të formohen grupe ekspertësh për mbledhjen e dëshmive për krimet dhe gjenocidin e kryer ndaj popullatës në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-99 dhe që kryesit e tyre të dalin para drejtësisë. Ata kërkuan që të përshpejtohet procesi i identifikimit të kufomave që ndodhen në morgun e Departamentit të Mjekësisë Ligjore për Persona të Zhdukur. Delegacioni gjithashtu kërkoi edhe miratimin e ligjit për personat e pagjetur dhe që në skemën e asistencës sociale të futet edhe kategoria e të pagjeturve.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.