Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ka bërë një deklaratë me rastin e 9 Prillit, Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Në deklaratë thuhet: Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës shënon aktin historik të miratimit të dokumentit më të lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit. Miratimi i Kushtetutës përmbledh gjithë sakrificën, punën dhe angazhimin e gjeneratave të tëra për ndërtimin e shtetit të Kosovës, për liri, pavarësi dhe demokraci, duke trasuar rrugën e zhvillimit dhe të përparimit të vendit. Në këtë pesëvjetor të miratimit të Kushtetutës të Republikës së Kosovës po kremtojmë historinë dhe trashëgiminë e vendit tonë që po ndërtohet si një shtet i së drejtës, me garancitë e plota për të gjithë dhe që siguron një të ardhme më të mirë. Gjithëpërfshirja, respektimi i ndërsjellë, demokratizimi dhe toleranca ndërmjet qytetarëve të Republikës së Kosovës, janë bazë e Kushtetutës dhe vlera të përgjithshme të shoqërisë sonë. Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve, një shtet i mundësive por edhe i përgjegjësive e obligimeve të barabarta. Shtrirja e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës është garant i zhvillimit demokratik dhe i barabarësisë të të gjithë qytetarëve, dhe është domosdoshmëri për të vënë bazat e shtetit ligjor, të perspektivës afatgjate si dhe ndikon në stabilitetin dhe paqen në rajon.