presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Adresimi i Presidentes Vjosa Osmani drejtuar qytetarëve për Vitin e Ri 2023

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
 
Sezoni i festave është gjithmonë një periudhë reflektimi. E përderisa reflektojmë mbi vitin që po e lëmë pas, nuk do të mund të isha më krenare për njerëzit e vendit tonë. Pavarësisht sfidave që na kanë përcjellur ndër dekada, ne kemi dëshmuar se jemi një popull shpresëplotë e i përkushtuar për ditë gjithnjë e më të mira e një të ardhme më të ndritur.
 
Sonte, përderisa mblidheni me familjen, shoqërinë e njerëzit e dashur, shpresoj që po ashtu të kujtoni gjërat për të cilat jeni mirënjohës, por gjithashtu të reflektoni se si mund t'i kapërcejmë kolektivisht disa nga sfidat me të cilat përballemi si shoqëri dhe si vend. Jam e vetëdijshme se momenti i ndërrimit të motmoteve do t’i gjejë disa nga ju në ambientet e punës duke i shërbyer vendit tuaj e duke ndihmuar ekonominë tonë. Të gjithë juve u jemi pafundësisht mirënjohës. Ju faleminderit!
 
Në këto ditë, sheshet e rrugët tona janë të mbushura. Në mesin e shumë njerëzve që dalin për të përshëndetur e uruar njëri-tjetrin janë shumë pjesëtarë të mërgatës sonë. Mirë se vini në atdheun tuaj! Jemi vërtetë të lumtur t’u kemi në mesin tonë. Dua që edhe juve në veçanti t’u falenderoj që vazhdoni të jeni zëri ynë e sytë tanë në kryeqendra e vendet të ndryshme rreth e rreth globit.
Të dashur qytetarë,
 
Nuk do të pretendoj se ka qenë një vit i lehtë, me gjithë sfidat e sigurisë globale që kanë rezultuar me sfida ekonomike e të energjisë, të cilat janë ndier nga secila familje në Kosovë. Duhet edhe shumë mund e shumë punë e vazhdueshme, për adresuar këto sfida me sukses.
 
Por, po këtë vit kemi shënuar edhe arritje e suksese të shumta. Megjithatë, ne nuk duhet t’i marrim ato si të mirëqena. Ne duhet të punojmë gjithnjë e më shumë; gjithnjë e më mirë. Si një vend i vogël, ne po e shënojmë gradualisht historinë tonë moderne me sukseset që na bëjnë krenar dhe ambicie të shëndosha që na shpiejnë gjithnjë e drejt majave më të larta.
Në këtë rrugëtim, po aq sa ka qenë e rëndësishme puna e institucioneve tona, po kaq e vlefshme ka qenë mbështetja e miqve e aletatëve tanë ndërkombëtar. Së bashku e në koordinim të plotë me ta do të vazhdojmë rrugëtimin përpara drejt përmbylljes së suksesshme të synimeve tona.
 
Të dashur qytetarë,
 
Në këtë natë të veçantë, dua veçanërisht të falënderoj të gjithë ju që keni punuar kaq shumë për të mbajtur: vendin tonë të sigurt; fëmijët tanë të shëndetshëm e gjithnjë e më të përgatitur për të ardhmen; bizneset kosovare të vogla e të mëdha në punë. Ju falenderoj të gjithëe për kontributin që shtetin tonë ta bëjmë më të sukseshshëm e më të fortë.
 
Faleminderit në vecanti policisë së Kosovës që mbrojnë secilin qytetar pa dallim si dhe sovranitetin e shtetit tonë, faleminderit forcave tona të armatosura, zjarrfikësve tanë, infermierëve dhe mjekëve tanë, mësuesve tanë, sportistëve e artistëve tanë e gjithsecilit, pavarësisht profesionit. Faleminderit të gjithëve për punën, angazhimin dhe atdhedashurinë.
 
Sonte nuk mund të mos flas edhe për dhimbjen e përjetuar e nuk mund të mos përmend ata që nuk janë më në mesin tonë. Dua që në veçanti të kujtoj gratë e vajzat që u bënë viktimë e femicidit, një fenomeni të tmerrshëm të cilin duhet ta luftojmë të gjithë së bashku. Keqtrajtimi i grave në shoqërinë tonë, por edhe anë e mbanë botës, po shndërrohet në një epidemi. Prandaj duhet ta trajtojmë si një emergjencë kombëtare.
Në këtë përpjekje, ne kemi nevojë për angazhimin e të gjithëve: politikanëve, institucioneve të drejtësisë, atyre të sigurisë, punëtorëvë social, aktivistëve të shoqërisë civile e mediave. Kjo duhet të shndërrohet në kauzën tonë të përbashkët. Lufta për barazi gjinore duhet të jetë lufta jonë e çdoditshme.
 
Të dashur qytetarë,
 
Edhe pak e kalendari ynë do të shënoj një Vit të Ri. Kjo është një mundësi e re e një shans i ri për të bërë më shumë, për të punuar më shumë, për të ndryshuar atë çfarë mendojmë se mund e duhet bërë më mirë.
Besoj fort se përpara e kemi një të ardhme premtuese e ditë më të mira, sepse vullneti, qëndresa dhe vizioni i qytetarëve tanë është testuar e dëshmuar sfidë pas sfide e vit pas viti. 
 
Uroj që ky Vit i Ri të jetë vit i shpresës, por mbi të gjitha, uroj të jetë një vit i veprimit. Një vit ku do të veprojmë bindshëm e me përkushtim në çdo drejtim për të arritur synimet tona të përbashkëta, për të avancuar gjithnjë e më shumë demokracinë dhe ekonominë tonë, e për të konsoliduar gjithnjë e më tepër prezencën dhe imazhin tonë në çdo cep të botës.
 
Gëzuar vitin e Ri 2023!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.