Presidentja Atifete Jahjaga takoi Presidentin e Sllovakisë, Andrej Kiska

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga u takua sot në Nju Jork me Presidentin e Sllovakisë, z.Andrej Kiska.

Në takim, Presidentja Jahjaga e informoi Presidentin Kiska për progresin që Kosova ka arritur nga pavarësia. Ajo theksoi se Kosova tashmë është një realitet ndërkombëtar, i njohur nga 108 shtete në mbarë botën, dhe që shtetësia e saj është e pakthyeshme.

Presidentja Jahjaga e informoi z.Kiska se Kosova do të vazhdojë të jetë e përkushtuar në dialogun dhe implementimin e marrëveshjeve me Republikën e Serbisë dhe që të dyja vendet kanë zgjedhur rrugën e integrimit në BE përmes normalizimit të marrëdhënieve në mes veti.

Presidentja Jahjaga, në takimin me Presidentin Kiska, kërkoi që Sllovakia ta njohë shtetësinë e Kosovës dhe të forcohen marrëdhëniet në mes të dy shteteve.

Presidenti Kiska falënderoi Presidenten Jahjaga për takimin dhe konfirmoi që Sllovakia është e përkushtuar të përkrahë integrimin evropian të rajonit të Ballkanit Perendimor.