Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, sot, me rastin e Ditës së Fëmijëve, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë vizituar Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për të qenë pranë fëmijëve që po trajtohen dhe familjeve të tyre.
“Kujdesi dhe ndjeshmëria nuk janë shtesë e trajtimit mjekësor ato janë pjesë e tij. Çdo fëmijë që kalon ditë të vështira larg shtëpisë ka nevojë jo vetëm për terapi, por edhe për ngrohtësi dhe praninë e njerëzve që u kushtojnë vëmendje”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo, ka shprehur mirënjohje të sinqertë për të gjithë stafin e Klinikës së Pediatrisë, mjekët, infermierët dhe të gjithë ata që punojnë me përkushtim çdo ditë.
“Humanizmi dhe profesionalizmi që ata demonstrojnë janë shembull i vërtetë i shërbimit publik”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se fëmijët meritojnë më të mirën prej nesh, ky është detyrimi që e kemi të gjithë, si individë dhe si institucione.
Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu, ka uruar shëndet dhe gëzim për secilin prej tyre.














