...

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në Konferencën Vjetore të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit

Faleminderit shumë!

E nderuar Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, znj.Caka-Nimani,

Të nderuar kryetarë të gjykatave kushtetuese nga vende të ndryshme të Ballkanit,

Përfaqësues të Gjykatës Evropiane të të drejtave të Njeriut,

Profesorë të së Drejtës kushtetuese e të Drejtës ndërkombëtare,

Ish-gjyqtarë,

Të nderuar ambasadorë përfaqësues në Republikën e Kosovës,

Të nderuar të pranishëm,

Kam nderin që sot t`ju drejtohem në konferencën e dytë vjetore të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit dhe t’i bashkohem kryetares së Gjykatës që t’ju uroj mirëseardhje në Republikën e Kosovës.

Dua po ashtu të shfrytëzoj këtë mundësi për të uruar themelimin e Forumit të gjykatave si dhe organizimin e konferencave vjetore, sikur kjo sot. Jam e bindur se themelimi i këtij forumi do të rrisë edhe më tutje bashkëpunimin mes Gjykatave Kushtetuese drejt standardeve më të larta të interpretimit të Kushtetutës e në funksion të mbrojtjes dhe garantimit të lirive të të drejtave të njeriut.

Sot më gëzon po ashtu fakti që konferenca e dytë e këtij forumi i gjen gjykatat pjesëmarrëse të mbledhura në kryeqytetin e Republikës sonë, e që përkon po ashtu edhe me 15-vjetorin e themelimit të Gjykatës.

Republika e Kosovës mbetet e angazhuar ndaj parimeve themelore të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, të cilat janë mishëruar si vlerat themelore të rendit tonë kushtetues dhe janë vendosur në vetë themelet e shtetit tonë.

Kushtetuta jonë është tejet unike, ndër të tjera, edhe për faktin se i mvesh Presidentit të vendit një detyrë tejet të rëndësishme e substanciale: detyrën për të garantuar funksionimin kushtetues të të gjitha institucioneve  të Republikës së Kosovës. Kjo është ndër detyrat kryesore të këtij institucioni dhe gjatë këtyre viteve të mandatit tim jam udhëhequr çdo ditë nga kjo detyrë e shenjtë gjatë ushtrimit të të gjitha kompetencave.

Në interpretimin e Kushtetutës, shkronjës dhe frymës së saj, gjykatat kushtetuese sot paraqesin institucionin kulmor. Ato bartin një mision dhe përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe, sidomos në demokraci të reja siç është Republika jonë, në garantimin, por edhe afirmimin e parimeve kushtetuese, të kushtetutave nga të cilat edhe u buron legjitimiteti. Siç thoshte me plot të drejtë gjyqtari  Traja, një Kushtetutë ka kuptim vetëm atëherë kur ajo është baza dhe maja e një sistemi juridik, kur mbrohet nga normat dhe aktet që e cenojnë unitetin e saj, pra kur ekziston një funksion garantues dhe kontrollues dhe një institucion i posaçëm që e realizon këtë kontroll, siç është Gjykata Kushtetuese.

Zhvillimi i drejtësisë kushtetuese është i pashmangshëm edhe i lidhur me zhvillimin e shkencave të drejtësisë, prandaj, kur gjendemi në konferenca dhe forume të tilla, obligohemi të reflektojmë edhe mbi idenë e juristit të shquar gjerman, Kotz, i cili vlerësonte se: “asnjë studim nuk e meriton emrin e një shkence, nëse kufizohet vetëm me dukuritë që dalin brenda kufijve të tij kombëtarë”.

Kësisoj, bashkëpunime të tilla si kjo konferencë sot, rrisin mundësinë që interpretimi i Kushtetutës, që është epiqendra e veprimtarisë së një gjykate kushtetuese, të jetë ndër të tjera edhe një interpretim krahasues.

A mund ta imagjinojmë sot një vendim gjykate të izoluar?! Si mundet një vendim i tillë të avancohet me standardet bashkëkohore të garantimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, nëse si i tillë nuk i nënshtrohet një vlerësimi krahasues me praktikat e vendeve të tjera? Për më tepër, sot të gjithë jemi dëshmitarë të vendimeve të gjykatave kushtetuese të cilat në esencë të interpretimit të tyre, kanë edhe krahasimin dhe ndërlidhjen e fakteve dhe argumenteve kushtetuese me praktikën e një apo disa prej gjykatave të tjera.

Prandaj, tryeza si kjo sot, ku nga sa pashë nga agjenda trajtohen problematika kushtetuese nga perspektiva e praktika të ndryshme, janë po ashtu një mundësi e mirë e përfitimit nga përvojat e gjykatave mes vete, përvoja këto që janë padyshim ndihmesë e madhe për secilin gjyqtar në një rast të caktuar.

Më lejoni të ritheksoj se Republika e Kosovës, përgjatë 16 viteve të ekzistimit të saj dhe 15 viteve të ekzistimit të Gjykatës Kushtetuese, ka dhënë një shembull jashtëzakonisht të mirë të sundimit të ligjit, dhe në veçanti, institucionet e Republikës së Kosovës kanë treguar një kulturë dhe përgjegjësi të lartë institucionale në respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, edhe pse ka plot raste kur nuk iu kanë pëlqyer. Në anën tjetër, praktika e kësaj gjykate është pasuruar me parimet dhe standardet e vendosura nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e cila vazhdon të shërbejë si udhërrëfyes në ndërtimin e vlerave dhe rritjen e sigurisë juridike për qytetarët e Republikës sonë. Siç e dini, ky standard është i mishëruar edhe në vetë Kushtetutën tonë, e cila kërkon që vendimet e institucioneve publike të vendit tonë që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, duhet të jenë në përputhje me standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, gjë e cila është respektuar dhe vazhdon të respektohet, por po ashtu një argument shtesë pse Kosova e ka merituar dhe vazhdon ta meritojë të jetë anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Evropës.

Për fund, derisa po shënojmë këtë 15-vjetor, dëshiroj që të shpreh gatishmërinë time si Presidente e Republikës për të vazhduar bashkëpunimin me të gjithë ju në shërbim të Kushtetutës dhe të interesit të vendit dhe të qytetarëve tanë pa dallim. Një demokraci dhe një Kushtetutë mund të themi që ka pasur sukses të plotë vetëm atëherë kur të gjithë ne që jemi, qoftë në institucionet politike, qoftë në gjykata, përfshirë në Gjykatën Kushtetuese, e kuptojmë se asnjëri, askush nuk jemi mbi Kushtetutën.

Ju faleminderit!

 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.