Miq të USAID-it, partnerë
Të nderuar të ftuar,
Më lejoni të filloj duke ju uruar dhe shprehur një falënderim të përzemërt. Faleminderit USAID-it dhe qeverisë së SHBA-ve për mbështetjen e palëkundur historike për Republikën e Kosovës.
Unë me të vërtetë do të doja të isha personalisht me ju sonte dhe më besoni, ne u përpoqëm të gjenim zgjidhje. Megjithatë, edhe pse nuk jam fizikisht e pranishme, jam mirënjohëse për këtë mundësi që t’ju bashkohem virtualisht dhe të ndaj këtë moment të rëndësishëm me të gjithë ju.
Sonte, ne mblidhemi jo vetëm për të festuar një arritje të rëndësishme, por edhe për të nderuar një histori. Një histori shprese, qëndrueshmërie dhe një popull të vendosur për t`u ngritur mbi kapitujt më të errët të historisë së tyre. Një histori që nuk është vetëm e Kosovës, por edhe e Amerikës.
Njëzet e pesë vjet më parë, pas luftës gjenocidale të Millosheviqit, kur plagët ishin ende të freskëta dhe ëndrrat u shkatërruan, një dorë na u zgjat. Ishte dora e miqësisë, dora e partneritetit – dora e popullit amerikan. Nëpërmjet asaj dore, përmes USAID-it, erdhi një premtim: një premtim se populli i Kosovës nuk do të ecë vetëm në këtë rrugëtim.
Ne i kujtojmë ato ditë të hershme – kur shtëpitë ishin ende të rrënuara, kur institucionet tona ishin të reja dhe kur demokracia jonë sapo kishte filluar të lëshonte rrënjë. Pikërisht atëherë USAID-i, krah për krah me popullin e Kosovës, filloi punën e rindërtimit. Tullë pas tulle, shkollë pas shkolle, projekt pas projekti – ju na ndihmuat ta ngrehim kokën, t`i forcojmë komunitetet tona dhe t`i mbjellim farat e një të nesërme më të mirë.
Por misioni i USAID-it, këtu nuk ishte vetëm ndërtimi. Bëhej fjalë për diçka më të thellë—diçka më të qëndrueshme. Bëhej fjalë për investimin në ëndrrat e popullit tonë, fuqizimin e rinisë sonë dhe ndërtimin e institucioneve, të cilat qëndrojnë si shtylla të drejtësisë, barazisë dhe mundësive.
Kosova sot qëndron si një testament për atë që është e mundur kur vendet bashkojnë duart dhe qëndrojnë së bashku në ndjekje të vlerave të përbashkëta – lirisë, dinjitetit dhe besimit se çdo qenie njerëzore meriton mundësinë për ta formësuar fatin e vet.
Ne e shohim trashëgiminë e këtij partneriteti në çdo cep të vendit tonë: në frymën sipërmarrëse të të rejave dhe të rinjve tanë që formësojnë të ardhmen e Kosovës, në një
gjyqësor të forcuar dhe transparent, në mbrojtjen e sundimit të ligjit, në ekonominë tonë dhe forcën e saj gjithnjë e më të madhe.
Por, rrugëtimi ynë nuk ka mbaruar. Kemi arritur shumë, por ka ende punë për t`u bërë. Kosova vazhdon të përpiqet për realizimin e plotë të potencialit të saj si një anëtare krenare dhe e barabartë e bashkësisë ndërkombëtare. Ndaj në këtë mision të vazhdueshëm, ne e dimë se qëndrueshmëria e partneritetit tonë me Shtetet e Bashkuara dhe USAID-in do të mbetet jetike si kurrë më parë.
Sonte, teksa festojmë këtë rrugëtim 25-vjeçar, na kujtohet një e vërtetë e thjeshtë: historia nuk bëhet vetëm nga veprimet e institucioneve shtetërore, por edhe nga guximi dhe vendosmëria e njerëzve të thjeshtë. Është bërë nga ata që zgjedhin të besojnë, edhe përballë vështirësive, ngase e nesërmja mund të jetë më e mirë se e sotmja. Prandaj sigurisht, ne nuk mund ta bëjmë atë kurrë vetëm. Ne kemi nevojë për miq, partnerë dhe mbështetës dhe USAID-i ka qenë gjithnjë që nga dita e parë.
Pra, sonte, partnerëve tanë në USAID, ju themi: faleminderit nga thellësia e zemrës! Ne ju falënderojmë jo vetëm për atë që keni bërë, por për atë për të cilën keni qëndruar – për përkushtimin tuaj ndaj vlerave tona të përbashkëta, besimin tuaj në njerëzit tanë dhe që keni qëndruar me ne në kohët më të vështira ashtu edhe në momentet më të ndritura.
Le të ecim përpara nga kjo ditë me një qëllim të ri. Le të rizotohemi për kauzën e paqes, drejtësisë dhe përparimit. Së bashku, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë shkruar një kapitull të fuqishëm në librin e historisë. Së bashku, kam besim, do të shkruajmë edhe shumë të tjerë.
Ju faleminderit! Zoti e bekoftë Kosovën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe miqësinë e qëndrueshme mes dy vendeve tona!
