DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Zonja e parë, Nezafete Sejdiu vizitoi gratë e komunës së Dragashit

Zonja e parë e Republikës së Kosovës, Nezafete Sejdiu, vizitoi dje gratë e komunës së Dragashit, me ç’rast u njoh për së afërmi me hallet dhe brengat e grave të këtij lokaliteti, të cilat kryesisht merren me punë të ndryshme artizanale.

Znj. Sejdiu gjithashtu u takua edhe me gratë pjesëmarrëse në projektin “Nisma për ndryshime pozitive”, projekt ky i financuar nga USAID-i, dhe që është duke u implementuar nga organizatat joqeveritare “Lady” dhe “Besa Consulty”, i cili ka për qëllim t’u dalë në ndihmë femrave të Opojës dhe të Gorës. Pasi u njoftua me punën që bëjnë femrat e Komunës së Dragashit, si të komunitetit shqiptar ashtu edhe të atij goran, znj. Sejdiu premtoi se do të angazhohet fuqimisht në përmirësimin dhe fuqizimin e pozitës së femrës në këtë komunë. Gratë e këtij lokaliteti kryesisht merren me punë dore. Zonja Sejdiu i përgëzoi për punën e tyre dhe i inkurajoi që të vazhdojnë në këtë mënyrë. “Jam këtu me ju, për t’ju përkrahur dhe mbështetur moralisht në gjithë këtë punë të madhe që bëni. Natyrisht, që vlen për t’u çmuar jashtëzakonisht shumë puna juaj dhe vetëm në këtë mënyrë do të fuqizohet roli i femrës në shoqëri dhe ajo do të jetojë si e pavarur. Ne duhet që së bashku të punojmë dhe të angazhohemi për mirëqenie më të mirë, për forcimin e pozitës së femrës në shoqërinë tonë. Ajo duhet të jetë dhe të ketë edhe fuqinë e punës, mbijetesës, por edhe fuqinë e vendimmarrjes”, tha znj. Sejdiu. 

This site is registered on wpml.org as a development site.