Ish-Presidenti i Republikës së Çekisë, dijetari e burrështetasi i shquar, Vaslav Havel, është nderuar sot me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm – Dr. Ibrahim Rugova”.
Z.Havel është personaliteti i parë që nderohet me këtë medalje, të themeluar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu. Presidenti Sejdiu, duke shprehur konsideratat më të larta për kontributin e jashtëzakonshëm të z.Havel dhënë për lirinë, demokracinë dhe humanizmin në vendin e tij dhe kudo në botë dhe duke i dëshiruar shëndet e fat, Medaljen ia dorëzoi sot Ambasadores së Çekisë në Prishtinë, zonjës Janina Hrebickova, në kuadër të akademisë përkujtimore në katërvjetorin e vdekjes së Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.Duke u shprehur e nderuar për medaljen, Ambasadorja Hrebickova tha se ndjehet e nderuar që në emër të ish-Presidentit Çek, Havel, të marrë medaljen e cila jepet për herë të parë dhe e cila mban emrin e një personaliteti shumë të shquar, Dr. Ibrahim Rugova.Ambasadorja Hrebickova duke e falënderuar Presidentin Sejdiu për medaljen, në emër të Presidentit Havel e pranoi atë dhe e lexoi letrën të cilën Presidenti Havel, në pamundësi të ardhjes personalisht në këtë manifestim, ia kishte shkruar Presidentit Sejdiu.Në letrën e Presidentit Havel thuhet: I nderuar z. President,Zonja dhe zotërinj,Më lejoni që të shpreh falënderimet e mia të përzemërta për shpërblimin që po e marr sot.Është nder për mua që të jem personi i parë që shpërblehet me Medaljen e Artë, e cila e mban emrin e një personaliteti të shquar të historisë së shtetit tuaj të ri.Unë kam qenë shumë i lidhur me dr. Ibrahim Rugovën, me lidhje të miqësisë.Ai ishte partner në të cilin shtetet perëndimore i kishin vënë shpresat e tyre për një bashkëjetesë paqësore dhe zhvillim demokratik për mbarë rajonin. Me siguri që na mungon të gjithë neve.Kurrë nuk do ta harrojë vizitën time në Kosovë, në kohën kur Kosova kalonte nëpër krizën e një katastrofe humanitare të shkaktuar nga nacionalizmi postkomunist i cili vepronte me anë të spastrimit etnik.Megjithatë, edhe tani nuk mund të jemi të sigurt që zhvillimet e tilla nuk do të mund të përsëriten, por vërtet besoj se anëtarësimi i ardhshëm i vendeve të Ballkanit në Unionin Evropian do të ndihmojë në zvogëlimin e atyre konflikteve dhe ndodhive historike deri në atë masë sa që pjesëtarët e gjeneratave të reja do të rriten në paqe dhe respekt për njëri tjetrin.Më vjen keq që nuk do të mund të jem i pranishëm personalisht sot për të marrë këtë shpërblim, por e falënderoj ambasadoren tonë që më përfaqëson në këtë rast të rëndësishëm.Z. President, ju dëshiroj juve dhe bashkëqytetarëve tuaj si dhe familjes Rugova çdo sukses dhe lumturi në të ardhmen.Vaslav Havel
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN