DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Urimi i Presidentit Sejdiu me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2010/2011 në Republikën e Kosovës

Me rastin e 1 shtatorit, ditës së fillimit të viti të ri shkollor, presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu uron të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit, duke u dëshiruar atyre një vit të mbarë dhe të suksesshëm.

Në urimin e Presidentit thuhet:

Të dashur nxënës dhe mësimdhënës,

Të nderuar prindër,

Nesër fillon viti i ri shkollor në Republikën e Kosovës, në shtetin tonë të dashur, të pavarur e sovran.

Kështu nis një dëshirë dhe mundësi e re për mijëra nxënës të klasës së parë, që do të fillojnë të mësojnë shkrim-leximin, të hapin fletën e gjerë dhe të madhe të dijes dhe dëshirës për arsimim.

Nga zemra uroj që Ju nxënës, nga dita e parë, të njihni vetëm përkushtim dhe suksese në rrugën e madhe dhe të re të fëmijërisë Suaj, me përgjegjësi tashmë të shtuara, por të mbushur me kureshtje dhe sprova të reja.

Po kështu, në këtë ditë, në vigjilje të fillimit të vitit të ri shkollor, ju  përgëzoj dhe uroj edhe Ju, të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, që vazhdoni me arsimimin tuaj. Uroj edhe mësuesit dhe profesorët, që me zellin, disiplinën, vullnetin dhe seriozitetin e mirënjohur që ka përcjellë gjenerata e gjenerata, edhe në kushte shumë të vështira, të aftësoni dhe të përgatisni të rinjtë tanë për qenë personalitete të devotshme, të suksesshme dhe me rezultate të larta arsimore, humane dhe profesionale.

Arsimi dhe edukimi mbeten prioritet në Republikën e Kosovës. Jemi të përkushtuar si institucione të vendit, të punojmë përherë në ngritjen e cilësisë, sepse vetëm kështu, kur të përfundoni, ju nxënës, ciklet  e arsimimit, të bëheni të aftë dhe konkurrues në tregun e madh të dijes dhe të punës, duke qenë përkrah bashkëmoshatarëve tuaj në gjithë globin.

Na duhen ende angazhime dhe investime serioze, në mënyrë që të krijohen kushte për punë dhe edukim të nivelit më të lartë, kërkesë kjo e arsimimit bashkëkohor.

Dua të falënderoj me këtë rast edhe prindërit që, duke investuar pakursyeshëm në arsimimin  e fëmijëve të tyre, investojnë në krijimin e një potenciale kreativ dhe të fuqishëm të zhvillimit dhe perspektivës së ndritshme të vendit tonë.

Urime dhe suksese në vitin e ri shkollor,

Presidenti i Republikës së Kosovës,

Prof. dr. Fatmir Sejdiu

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.