Të nderuar anëtarë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë,
Me rastin e 54-vjetorit të themelimit, dëshiroj t’ju përcjell, në emër të institucionit të Presidentes së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, urimet më të përzemërta dhe respektin e thellë për këtë jubile të rëndësishëm!
Që nga udhëheqja e profesor Aleks Budës e deri nën drejtimin aktual të saj nga z.Skënder Gjinushi, Akademia nisi rrugën e saj si strehë e dijes, e kërkimit të thelluar dhe e mbrojtjes së trashëgimisë kombëtare.
Gjatë këtyre 54 viteve, Akademia ka qenë dhe mbetet një nga shtyllat e identitetit intelektual të kombit shqiptar.
Në këtë rrugëtim, ajo ka ruajtur me kujdes trashëgiminë kombëtare dhe, në të njëjtën kohë, është angazhuar në sfidat e reja të shkencës, të inovacionit dhe të zhvillimit të qëndrueshëm.
Në këtë kohë kur shoqëria shqiptare, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, përballet me ndryshime të thella dhe me kërkesa të larta për dije, dhe për ekspertizë, roli i Akademisë së Shkencave është tejet i rëndësishëm.
Për ne, shqiptarët e Kosovës, ky institucion ka qenë dhe mbetet një referencë e rëndësishme e dijes dhe e krenarisë kombëtare.
Në këtë 54-vjetor, uroj që Akademia e Shkencave e Shqipërisë të vazhdojë të jetë një shtëpi e hapur e dijes, vend ku gjeneratat e reja të studiuesve gjejnë frymëzim dhe ku Shqipëria e Kosova gjejnë një zë të fuqishëm e të respektuar në botën e shkencës dhe të kulturës.
Qoftë ky jubile nxitje për të ecur përpara me më shumë ambicie dhe besim në fuqinë e dijes.
Ju uroj suksese të mëtejshme në punën tuaj të përditshme, botime të reja me vlerë, projekte kërkimore që i shërbejnë vendit dhe bashkëpunime ndërkombëtare që e ngrenë emrin e shkencës shqiptare.
Me respekt të thellë dhe urime të përzemërta për 54-vjetorin,
Justina Shiroka-Pula
Presidente e Republikës së Kosovës
